• |
ide | kryesore

Ardian Fullani: Euroskepticizmi po largon fuqinë punëtore nga rajoni

Planet



Ish guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani është përzgjedhur si një nga 34 kontribuesit për librin elektronik “Fytyrat e Konvergjencës”, projekt i përbashkët mes Komisionit Europian dhe Institutit të Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

Në raportin e tij 5-faqësh në këtë libër, Fullani flet për politikat ekonomike dhe aspiratën e Shqipërisë për t’iu bashkuar familjes europiane. Ai thotë se hapi i parë që Shqipëria ka bërë për t’u afruar me Bashkimin Europian, ishte bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 1991.

Duke marrë shkas edhe nga refuzimi i fundit i vendeve të BE-së për të hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Ardian Fullani thekson se disa aktorë të Bashkimit Europian kanë humbur interesin për rajonin. Humbja e besimit tek BE po shkakton emigrimin e qytetarëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, asaj shtrese të cilën ish- guvernatori Fullani e konsideron si “pjesën më të arsimuar dhe më vitale”, duke çuar drejt humbjes së fuqisë punëtore dhe kapitalit njerëzor.

Libri elektronik “Fytyrat e Konvergjencës” është një përmbledhje esesh nga 34 personalitete që kanë dhënë kontributin e tyre ndër vite për vendet që janë anëtarësuar në BE që prej vitit 2004, si dhe në procesin e përafrimit me familjen europiane të shteteve si rasti i Shqipërisë apo vendeve të tjera në rajonin e Ballkanit.

Më poshtë teksti i plotë i Ardian Fullanit, publikuar në “Fytyrat e Konvergjencës”:

E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

Ky ishte slogani që përdorën studentët gjatë revolucionit demokratik të vitit 1990. I njëjti slogan mbetet edhe sot motivi më përfaqësues që unifikon aspiratat institucionale, sociale politike e ekonomike të shoqërisë shqiptare, ndërsa Shqipëria mbetet pas dyerve të BE-së, duke pritur që të hapen negociatat. Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë, por ëndrra e shqiptarëve për t’u bërë qytetarë të Europës mbetet po e njëjta.

Akti i parë i konvergjencës europiane, në vitin 1991, në kujtesën time, ishtë mbështetja që FMN i dha vendit për financimin e bilancit të pagesave me jashtë. Që nga ai moment, Shqipëria është angazhuar në një proces të shpejtë transformimi drejt ekonomisë së tregut dhe anëtarësimit në BE. Reformat strukturore të ndërmarra që nga fillimi i këtij tranzicioni kanë sjellë një proces ndryshimi të konsiderueshëm politik, ekonomik dhe social, që ka pasur si rezultat një rritje thelbësore të standarteve të jetesës. Reformat e hershme kishin për qëllim krijimin e ekonomisë së tregut dhe morën rrugë nën drejtimin e FMN duke u ankoruar në dy procese themelore, integrimin europian dhe anëtarësimin në NATO. Këto reforma, shpesh edhe të dhimbshme, përfshinin heqjen e mbështetjes financiare nga ndërmarrjet shtetërore pa asnje fuqi financiare, liberalizimin e cmimeve, privatizimin, reformën e pronësisë mbi tokën, si edhe thellimin dhe zgjerimin e tregjeve e demokratizimin e shoqërisë.

Programet e FMN-së dhe institucionet e BE-së u bënë udhërrëfyes të rëndësishem dhe luajten një rol thelbesor si ankora të huaja për zhvillimin ekonomik, institucional, legjislativ dhe rregullator. Këto reforma ofruan stimujt e nevojshëm për konsolidimin e shpejtë makroekonomik. Megjithë ulje-ngritjet dhe pavarësisht nga disa episode krizash, Shqipëria arriti të ripaguajë borxhet e saj të huaja publike dhe private dhe vendosi themelet makroekonomike që mundësuan procesin e saj të shpejtë të konvergjences ekonomike. Në fillim të vitit 2000, Shqipëria kishte bërë përparim thelbësor në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Acquis communautaire dhe kriteret e Mastrihtit u shndërruan në ankorat e jashtme më të rëndësishme të zhvillimit institucional, politik, ligjor dhe ekonomik të Shqipërisë.

Përparim i rëndësishëm është bërë gjithashtu edhe në procesin e pranimit në BE. Kjo rezultoi në konsolidimin e mëtejshëm të kushteve makroekonomike, si dhe adaptimin e politikave të përgjegjshme monetare dhe fiskale që kanë kontribuar në ecurinë mbresëlënëse ekonomike. Për më shumë se një dekadë, ekonomia u rrit me rreth 6% përqind në vit me inflacion të qëndrueshëm dhe tregje financiare të shëndetshme e fitimprurëse. Reformat strukturore që synonin anëtarësimin në BE çuan në modernizimin dhe demokratizimin e kornizës institucionale dhe ligjore.

Institucionet e Shqipërisë dhe funksionimi i tyre u dizenjuan rreth procesit të integrimit evropian dhe institucioneve evropiane. Kjo është ilustruar më së miri në rastin e Bankës së Shqipërisë, objektivat, qëllimet, instrumentat e politikave, modeli i organizimit dhe i qeverisjes të së cilës u bazuan intesivisht në modelin e Bankës Qëndrore Evropiane.

Theksoj shembullin e Bankës së Shqipërisë sepse mendoj se suksesi i procesit të konvergjencës varet nga zbatimi i reformave strukturore që lejojnë ekonominë të funksionojë me efikasitet, duke promovuar në këtë mënyrë konvergjencën politike, sociale dhe ekonomike drejt BE-së. Kjo do të thotë që secili vend dhe institucionet e tij duhet të miratojnë standardet që rrjedhin nga acquis

communautaire dhe kode të tjera ndërkombëtare të pranuara (siç janë rregullat e Bazelit), të kombinuara me hapa energjikë për të përmirësuar ekonominë, shoqërinë, kulturën dhe mjedisin.

Aspiratat e Shqipërisë për në BE kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e saj dhe kanë sjellë përparim jo vetëm në shoqërinë tonë dhe institucionet e saj, por njëkohësisht kanë përshpejtuar edhe integrimin ekonomik dhe financiar me BE. BE ka qënë dhe mbetet partneri kryesor dhe më i fuqishëm në tregtinë e jashtme të mallrave dhe shërbimeve, investimet e huaja direkte dhe strukturën e pronësisë së sistemit bankar dhe financiar. Ky integrim ekonomik dhe financiar u bë natyrisht një forcë indirekte e integrimit që përshpejtoi konvergjencën institucionale, ligjore dhe rregullatore në tregjet financiare dhe sektorin privat. Pasi ngritën prezencën e tyre në Shqipëri, kompanitë mëma të grupeve financiare të BE-së imponuan kërkesa për të respektuar rregulloret e BE-së në sektorin financiar. Kjo u bë një forcë drejtuese për zbatimin dhe konvergjencën e ligjeve dhe rregulloreve në nivel lokal.

Rrjedhimisht, integrimi i tregjeve financiare dhe sektorit bankar në Shqipëri dhe konvergjenca e tyre institucionale, ligjore dhe rregullatore ka ecur më shpejt dhe ka qenë më e plotë se niveli i përgjithshëm i konvergjencës politike dhe institucionale dhe integrimit të shoqërisë në përgjithësi. Edhe shkalla e konsiderueshme e “euroizimit” mund të konsiderohet një shprehje natyrore dhe pasojë e konvergjencës nga një sektor privat i cili kupton që procesi i anëtarësimit dhe integrimit të plotë në BE përfundon me adoptimin e euros si njësi monetare.

Ankorat e jashtme, të siguruara nga procesi i integrimit në BE gjithashtu kanë ndihmuar në forcimin e ankorave të politikës së brendshme. Reformat zakonisht kanë kosto të konsiderueshme politike dhe politikanët gjithmonë tundohen nga politikat që sjellin përfitime afatshkurtra, duke humbur drejtimin e reformave e fokusin tek objektivat afatgjata, të cilat, duhet të jenë të vetmet ankora të brendshme për zhvillimin politik, institucional e legjislativ. Kjo është arsyeja pse unë e konsideroj procesin e integrimit në BE një spirancë të jashtme të domosdoshme dhe të efektshme për krijimin dhe qëndrueshmërinë e reformave të brendshme në shoqëritë tona. Presioni i ankorave të jashtme do të jetë i domosdoshëm derisa shoqëria jonë të ketë arritur atë nivel emancipimi dhe mirëqenieje, i cili do të mund të mbështesë natyrshëm qëndrueshmërinë e reformave në politikën e brendshme. Përvoja jonë tregon se ky proces i konvergjencës funksionoi automatikisht si një mekanizëm mbrojtës për stabilitetin financiar dhe politikën e çmimeve, madje edhe gjatë krizës më të vështirë financiare dhe të borxhit të BE-së.

Këto tipare dalluese të konvergjencës politike, institucionale dhe legjislative dhe integrimit ekonomik dhe financiar nuk ishin unike për Shqipërinë, por u shfaqën në të gjitha vendet e rajonit.

Të gjitha vendet e Evropës Jug-Lindore kanë zgjedhur integrimin me BE-në si instrumentin kryesor për të ofruar prosperitet ekonomik të qëndrueshëm dhe afatgjatë për qytetarët e tyre që flasin gjuhët e konvergjencës. Politikanët, vendimmarrësit, analistët, pothuajse të gjithë në vendet tona e kanë cilësuar pranimin në BE si përparësinë kryesore dhe qëllimin kryesor politik. Në këtë drejtim, procesi i integrimit në BE ka mbështetur drejtpërdrejt dhe indirekt zhvillimin dhe promovoi kohezionin dhe bashkëpunimin midis vendeve të Evropës Jug-Lindore.

Të udhëhequr nga procesi i integrimit evropian, vendet e rajonit kanë nënshkruar ndërmjet tyre marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë dhe kanë ndërmarrë projekte të koordinuara të infrastrukturës. Në këtë proces, ata kuptuan se shfrytëzimi i avantazheve krahasuese nuk krijon konkurrencë e vështirësi komunikimi, por ndërton ura bashkëpunimi. Studimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se këto marrëveshje të tregtisë së lirë kanë ndikuar pozitivisht në fluksin e tregtisë midis vendeve të rajonit. Autoritetet në vendet e Evropës Jug-Lindore kanë treguar shenja të bashkëpunimit rajonal të qëndrueshëm dhe gadishmëri të bëjnë përpjekje shtesë për të unifikuar dhe harmonizuar kuadrin e tyre ligjor, institucional, rregullativ dhe infrastrukturor. Në këtë drejtim, investimet në projekte të mëdha infrastrukturore, siç është autostrada “Rruga e Kombit” që lidh Shqipërinë me Kosovën, nuk përbejnë akte të thjeshta patriotike, por duhet të konsiderohen si akte të konvergjencës. Në këtë rast, autostrada premton të lejojë qasje të shpejtë dhe të lehtë në portet shqiptare, dhe të lidhë Ballkanin me BE.

Ashtu sikurse për Shqipërinë, BE është partneri kryesor tregtar në të gjithë rajonin, ndërkohë që grupet financiare të BE mbizotërojnë në sistemin financiar të tij. Kjo ka çuar në rritjen e ndërmjetësimit financiar me Shtetet Anëtare të BE-së dhe ka mbështetur tregtinë, flukset e investimeve dhe forcimin institucional. Ky zgjerim i sektorit financiar dhe flukseve financiare ka mbështetur gjithashtu konvergjencën reale brenda Evropës jug-lindore dhe njëkohësisht konvergjencën institucionale, ligjore dhe rregullatore (siç përshkruhet më lart për Shqipërinë).

Për më shumë se 20 vjet, integrimi evropian, në të gjitha dimensionet e tij politike, ekonomike dhe financiare, ka qenë forca kryesore lëvizëse për prosperitetin ekonomik dhe shoqëror të rajonit të Evropës Jug-Lindore. Vendet tona kanë pësuar reforma strukturore dhe kanë përshtatur kornizat e tyre rregullatore, legjislative dhe institucionale si rezultat i këtij partneriteti. Këto reforma kanë rritur besueshmërinë dhe pavarësinë e institucioneve publike dhe, veçanërisht, rolin dhe pavarësinë e bankës qendrore.

Procesi ka dhënë rezultate shumë pozitive dhe bazuar në treguesit e zhvillimit ekonomik, të tillë si PBB për frymë, shkalla relative e ndërmjetësimit financiar, kostoja relative e punës dhe kapitalit dhe niveli i adaptimit të teknologjisë, konvergjenca duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Megjithatë, pas krizës financiare globale dhe krizës së borxhit sovran në Eurozonë, këndvështrime dhe tendenca të reja janë shfaqur në horizontin politik evropian në lidhje me integrimin e rajonit në BE. Këto ide janë duke precipituar në institucionet evropiane dhe po konkurrojnë idenë e integrimit dhe rolin ankorues që ka luajtur procesi i integrimit dhe vetë BE.

Vitet e fundit, BE është përballur me sfida të rëndësishme nga Brexit, tek Euroscepticizmi dhe rritja e pabarazisë dhe presionit të populizmit në politikë. Anëtarët jugorë të BE-së, po përballen me probleme shtesë të qëndrueshmërisë fiskale dhe të sektorit financiar. Zgjidhjet për këto sfida nga autoritetet e zonës së euros, individualisht ose në një mënyrë të bashkërenduar, do të kenë implikime të rëndësishme dhe të drejtpërdrejta ekonomike dhe politike edhe për ekonomitë e Evropës Jug-Lindore. Rritja e populizmit dhe Euroscepticizmit, Brexit, së bashku me problemet e pabarazisë sociale dhe ato të stabilitetit ekonomik dhe financiar mund të ngadalësonin (e ndoshta të ndalonin) procesin e integrimit. Nëse kjo do të ndodhte, mund të ketë implikime të rëndësishme dhe të drejtpërdrejta negative për konvergjencën politike, institucionale, ligjore dhe ekonomike të rajonit te Evropes Jug-Lindore.

Për më tepër, aktorë të caktuar në BE duket se kanë humbur interesin për rajonin. Cdo tërheqje nga zgjerimi, do të dëmtonte bazën mbi të cilën është ndërtuar progresi drejt integrimit dhe konvergjencës në rajon. Edhe më keq, pas krizës, duke synuar të rregullonin cështjet e tyre të brendshme, autoritetet rregullatore të BE-së kanë vendosur kërkesa shtrënguese për grupet e BE-së në rajon që rrisin kërkesat e kapitalit dhe koston e të bërit biznes, edhe kur ato merren me qeveritë qëndrore dhe bankat qëndrore. Këto politika paraqesin një fenomen, i cili kundërshton rolin integrues dhe stabilizues që partnerët tanë kanë luajtur deri më tani në Evropën Jug-Lindore.

Lodhja, euroscepticizmi dhe një humbje e përgjithshme e shpresës po fitojnë terren edhe në rajon, duke çuar në rrjedhje të kapitalit human nga rajoni në BE. Largimi i pjesës më të mirë, më të arsimuar e me vitale po redukton burimin më të çmuar të fuqisë punëtore dhe kapitalit njerëzor, duke dëmtuar sistemet arsimore dhe shëndetësore të rajonit, por mbi të gjitha vetë burimin e rritjes ekonomike e të zhvillimit social. Shpresa e humbur në integrim, do të ngadalësojë në mënyrë të konsiderueshme e të pashmangshme konvergjencën në planin afatgjatë.

Për fat të mirë, përkundër këtyre sfidave, procesi i integrimit në BE vazhdon të përparojë. Sidoqoftë, përdorimi i integrimit si një spirancë e jashtme për zhvillimin e ekonomive në rajon gjatë këtyre kohërave të vështira kërkon më shumë angazhim, aftësi e profesionalizëm, pasi aktualisht jemi duke lundruar kundër erës. Për hir të vendeve të rajonit dhe vetë BE-së, shpresojmë që politikanët në Bruksel do ta mbajnë gjallë procesin e integrimit.

Integrimi me BE ka qenë me rëndësi të madhe për vendet dhe shoqëritë e rajonit, duke gjeneruar shpresë për prosperitet afatgjatë dhe një të ardhme brenda një shtëpie evropiane pa kufij. Vendet tona mund të bëhen një forcë shtytëse e këtij integrimi, duke sjellë energji dhe motivim të ri në BE për të vazhduar procesin. Unë kam besim se kjo do të ndodhë, sepse të gjitha rrugët në Ballkan të çojnë në Evropë.



1 Comment

  1. Sa interesant ,eee?Priteni kur te zevendesoje Bracen ,prane vehtes kryerilindasi.Se ai vetem njerez te mencur dhe teper interesant,kerkon!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *