• |
ide | kryesore

28 nëntori, Vetëvendosje njofton marshim për bashkim kombëtar në Tiranë

Lajme, Të fundit

Këtë 28 nëntor,  Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë do të organizojë një marshim për bashkim të Shqipërisë dhe Kosovës. Përmes një njoftimi, VV thotë se marshimi do të nisë nga monumenti i Skënderbeut drejt shtatores së Adem Jasharit.

Më poshtë deklarata.

MARSHIM PËR BASHKIM

Bashkim kauzash me hapa drejt integrimit kombëtar

Shqiptarët nuk e kanë luksin ta shohin 28 Nëntorin thjesht si festë. 28 Nëntori është projekt i pazbatuar. Data përkujton shpalljen e Pavarësisë për një Shqipëri të bashkuar e të begatë, për të cilën dhanë gjithçka heronjtë kombëtarë. Por Shqipëria sot nuk është e begatë, shqiptarët nuk janë të bashkuar. Prandaj, 28 Nëntori është projekt i gjallë, që thërret për ndryshime sociale, ekonomike dhe politike, për rritje të sigurisë e për përparim shoqëror. Këto synime kërkojnë të ecet me hapa konkretë integrues, mes Shqipërisë e Kosovës. Ky integrim do të rrisë cilësisht demokracinë, do të zhvillojë ekonominë, do të forcojë shtetformimin, dhe do të përmirësojë ndjeshëm pozitën e shqiptarëve autoktonë në trojet e tjera dhe të atyre që jetojnë në mërgim.

28 Nëntori, data që na kujton se për sa kohë jemi të ndarë, nuk arrijmë dot begati, zhvillim e siguri.

Pavarësia pa sovranitetin e brendshëm fillon t’i përngjajë një guaske të boshatisur. Demokracia nuk ka kuptim tjetër përveç sovranitetit, dhe sovraniteti është mundësia e një populli për të zhvilluar vetveten. Goditjet ndaj së përbashkëtës, rrënimi i publikes kudo ku ajo shfaqet, po ia cenon Shqipërisë sovranitetin e brendshëm përditë e më shumë. Sovraniteti, zhvillimi dhe drejtësia në Shqipëri janë të pandashme nga çështja kombëtare. Kush rrënon sovranitetin e Shqipërisë, kush rrit pabarazinë shoqërore, kush përfiton prej mjerimit e varfërimit të shumicës, kush thellon padrejtësinë duke dobësuar shtetin e demokracinë, është drejtpërdrejt kundërshtar i çështjes kombëtare shqiptare.

Çështja kombëtare nuk është togfjalësh folklorik, ceremonial e ritual, i zbrazur nga përmbajtja. Ajo është drejtësi e mohuar aktuale dhe historike, sa ç’është edhe projekt për të ardhmen e afërt. Është çështje e trashëgimisë kulturore, sa ç’është dhe e prodhimit dhe punësimit. Është çështje për të drejtat e grave e barazinë njerëzore, sa ç’është edhe luftë kundër varfërisë, diskriminimit dhe pabarazive ekstreme. Ajo është çështje e demokracisë dhe organizimit qytetar që vjen nga populli, kundër oligarkisë e mafias që na sundon nga lart. Është nevojë për mirëmenaxhim të burimeve dhe pasurive kombëtare natyrore, ashtu siç është edhe domosdoshmëri për zbatimin e një strategjie për mbrojten e mjedisit. Çështja kombëtare na lidh me njohjen, përdorimin dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, siç na lidh edhe me të drejtën për arsim pubik cilësor e falas në të gjitha nivelet. Problemet tona burojnë nga të njëjtat shkaqe, prandaj vetëm përpjekja jonë e përbashkët u jep atyre zgjidhje. Bashkimi i kauzave brenda projektit kombëtar sjell mobilizimin e përbashkët qytetar për drejtësi e zhvillim.

Tre dekadat e pluralizmit në Shqipëri janë karakterizuar shpesh nga papjekuria dhe makutëria politike sa i përket çështjes kombëtare, demokracisë dhe rolit të shtetit në raport me shoqërinë e me zhvillimin ekonomik. Pushteti politik shpesh e ka dorëzuar dhe privatizuar publiken, duke rrudhur sovranitetin, e nganjëherë është bërë njësh me klane e oligarkë që kanë monopolizuar e kartelizuar ekonominë kombëtare. Problemet dhe padrejtësitë e mëdha socio-ekonomike na shfaqen në mënyra nga më brutalet në secilën sferë. Prej tyre preken shtresa të ndryshme shoqërore. Ata që vuajnë më shumë nga këto padrejtësi janë gratë, fëmijët, të moshuarit, të rinjtë, njerëzit që jetojnë në periferi, në fshatra e në provinca, si dhe minoritetet. Privatizimet dhe forma e tyre e modës së fundit, PPP-të, pasi shkatërruan dhe mbyllën shumë industri e sektorë ekonomikë, tashmë po rrënojnë arsimin dhe shëndetësinë, po pengojnë kalimin në akset e rëndësishme rrugore, dhe po prishin lumenjtë e bregdetin, po ndotin ajrin dhe ujin e pijshëm. Pabarazia e skajshme e krijuar në Shqipëri është shoqëruar me papunësi e me rroga të ulta, duke u mohuar të drejtat bazë punëtorëve, që prej punës pa kushte e siguri mbeten shpesh me probleme të rënda shëndetësore, e jo rrallë humbin dhe jetën e tyre. Tregtia dhe importet kanë fituar përparësi përballë prodhimit vendas, që mbetet i pambrojtur. Fermerët e bujqit janë lënë në mëshirë të fatit, prodhimet e tyre shpesh përfundojnë në kalbje, përballë një konkurrence të pandershme nga mallra të importuara, që subvencionohen haptazi ose fshehurazi në vendet e origjinës.

Qytetarët e Shqipërisë janë të pakënaqur nga kjo situatë, dhe e kanë shprehur indinjatën e tyre me protesta, por edhe me largime masive nga vendi. Mërgimi masiv është përgjigje e dëshpëruar ndaj mënyrës së qeverisjes, politikave neoliberale ekonomike, dhe dështimit të drejtësisë e sigurisë. Ka patur vende të tjera, që problemin e mërgimit e kanë patur edhe më të madh, por duke investuar në prodhim e duke ndërtuar shtet të së drejtës i kanë përmbysur trendet negative demografike. Shpopullimi mund dhe do të përmbyset nga vetë shqiptarët me vullnet e me sakrifica për një organizim të qëndrueshëm që sjell transformimin e shoqërisë me modele ekonomike që ulin pabarazinë dhe sjellin zhvillim.

Në këtë 28 Nëntor, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë në një marshim në Tiranë, në ora 12:00, nga Monumenti i “Gjergj Kastriot Skënderbeut” te monumenti i “Adem Jasharit”. Heronjtë kombëtarë nderohen jo thjesht me lule dhe ceremoni, por kur ne njëmend ecim në rrugën që ata kanë shtruar. Ne do të ecim në rrugët e kryeqytetit për të bashkuar kauzat dhe vullnetet, njerëzit dhe zemrat, kundër padrejtësive dhe pabarazive ekstreme, për të kërkuar hapa konkretë për integrimin kombëtar për zhvillim e drejtësi, drejt bashkimit për progres dhe siguri, për emancipim.

Tiranë, 9 nëntor 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

10 Comments

  1. Mos hani mut me demagogji.

    Ekonomia krimi dhe korupsioni janë çeshtja e vetme kombëtare sot.

    Pa plotësuar këto kushte jo vetëm që nuk do të bëjmë ndonjë gjë të hajrit, por rrezik të realizohen planet e Vuçiçit, edvinit, thaçit e batonit.

  2. Aksioni i Vetëvendosjes për të mos trazuar pushtetin e Edi Ramës
    Nga Ilir Nikolla – 18:08, 09/11/2019
    Në treg ka dalë sot edhe nisma populiste e krahut politik të Vetëvendosjes në Tiranë për të mbajtur një marshim në Tiranë, me 28 nëntor, një marshim për bashkimin kombëtar. Nisma nuk thotë asnjë fjalë për keqqeverisjen që po i bëhet aktualisht shtetit shqiptar dhe ndjek pikë për pikë linjën politikisht korrekte të Albin Kurtit, i cili në intervistat e tij të fundit që dha në Tiranë, pas takimit shumëorësh me Edi Ramën, u përpoq ta hante turpin me bukë e të thoshtë se me Edi Ramën ndante vizione, se do të bashkëpunonte ngushtë me të e se do ta bindtte të hiqte dorë nga korrigjimi i kufijve, paçka se ai vetë ishte i bindur se “Rama s’kishte qenë asnjëherë për ndryshimin e kufijvve”.

    Proklamata e marshimit për bashkim kombëtar mbulohet me dëngla rreth “integrimit kombëtar”, një tjetër frazë-mushkë që synon të largojë disi zhurmën e antipropagandës që mund të bjerë mbi këtë thirrje, por edhe që qetëson vëzhguesit e pavëmendshëm që janë gati ta marrin seriozisht thirrjen e marshimit. Gjithçka, që nga thirrja, përgatitjet, data e shpalljes e deri tek data e mbajtjes së marshimit, bëhen me të njëjtat qëllime strategjike që u prodhuan në takimin shumëorësh të Edi Ramës me Albin Kurtin. Rama s’duhet të shqetësohet kurrsesi në këto orë të vështira të pushtetit të tij. Ojq-ja “Vetëvendosje” e Tiranës duhet të bëjë vetëm atë për të cilën i është dhënë leje, pra, të bëjë propagandë, të ndërmarrë nisma në kajde seminaresh e të luajë folklorin që mund të çojë ushqim tek magjja e Albin Kurtin. Për më tej, meazallah! Asnjë fjalë për Rama-Vuçiçin e Ohrit, asnjë fjalë pse qeveria e Edi Ramës s’ka mbajtur asnjë premtim të bërë në këto 6 vitet e fundit për rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, asnjë fjalë për luftën e pisët tregtare që oligarkët e Ramës zhvillojnë ndaj biznesit të Kosovës, dhe – mos o Zot – asnjë fjalë pse shndërrimi i Shqipërisë në një Kanabistan po e dëmton rëndë procesin e forcimit të shtetësisë së Kosovës.

    Këto “vija të bardha” e çojnë detyrimisht objektivin e ojq-së së Tiranës drejt të vetmes temë që u intereson të gjithë partizanëve të “status-quo”-së, drejt marrjes nëpërgojë të aspiratës së bashkimit kombëtar. Kjo aspiratë është shndërruar në një qyrk që e veshin të gjithë politikanët e Tiranës, Prishtinës e Shkupit sa herë janë në hall. Aktualisht, Albin Kurti i Prishtinës s’ka shumë nevojë për këtë qyrk, se tashmë ai i fitoi zgjedhjet dhe do t’i duhet pak punë që të marrë frenat e qeverisjes në dorë, por gjithsesi i duhet pak qetësi e pak “pakt mossulmimi” me kryeministrin në hall të Tiranës. Për këtë shkak, dega e tij “ojq” po e vesh qyrkun, dega e Tiranës po i vjen në ndihmë kryeministrit në hall. Skica e një bote të trazuar shqiptare, e cila s’gjen paqe e s’formon dot shtete të forta, se është e përçarë, se s’e lufton dot korrupsionin e implikimin me krimin e organizuar e narko-trafikun, se ende s’vepron dot në njësinë etnike shqiptare, është një asist i artë për qeverinë e izoluar të Tiranës dhe për klikën e vënë nën objektivin ndëshkues të agjencive më të mëdha ligjzbatuese ndërkombëtare.

    Nisma populiste e “marshimit për bashkim” më 28 nëntor nuk i bën mirë as aspiratës për bashkim e as atmosferës së Ditës së Flamurit, festës kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo është një lojë me porta të vogla e disa politikajve që duan të fitojnë kohë e duan të bëjnë shërbime të vogla. Në fund të fundit, nga pjesëmarrja modeste e “marshimit” thjesht do të ringjallen tamtamet e “rrezikut të Shqipërisë së Madhe”, por edhe do të vijë tallja e Beogradit, si dikur, se “Shqipërinë e pushtojmë edhe me skuadrën e gjuetarëve të Serbisë”.

    Folklori i ojq-së së Albin Kurtit në Tiranë i shërben vetëm Edi Ramës. Është ana tjetër e lojës folklorike të Erion Veliajt me flamurë dhe që të dyja anët synojnë të mbajnë në fokus edhe për një kohë të gjatë pushtetin e Edi Ramës dhe punën e pambyllur që ai ka nisur me Aleksandër Vuçiçin.

    Aspirata për bashkim kombëtar kërkon shtete të forta shqiptare, shoqëri moralisht të fortë dhe përshpejtim reformash, për ta integruar vendin në BE. Lufta kundër hajnit në qeveri, kundër oligarkut që vjedh buxhetin dhe kundër kriminelit që vret për llogari të politikës është akti më i madh kombëtar që mund të bëjmë, jo veç me 28 nëntor, por ditë për ditë.

    Ta lëmë vetëm ojq-në në detyrën e saj prej ojq-je do të ishte akti më kombëtar që do të bënim ditën e 107-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

    1. Sh dakord. Krejt pakuptim. Tre jane mundesite: 1 ) keta nuk e kane kuptuar potencialin qe kane ne dore, 2) e kane kuptuar por nuk kane b the ta perkthejne ne rezultat, 3) e kane kuptuar dhe po e shesin nen dore

  3. kJO NE MOS QOFTE NJE LOJE E PUSHTETIT PER TE LARGUAR VEMENDJEN, ESHTE SI TU VENDOSESH NE SOFER FEMIJVE TE URITUR NE VEND TE USHQIMIT SHKABEN DYKRENARE ,NDERSA I ATI I BEN LEKET RRUSH E KUMBULLA NEPER MEJHANE

  4. KJO LEVIZJE DO JETE ME RREZKSHME PER KOMBIN SHQIPTAR KY ESHTE MENDIMI IM PERSONAL KJO QE NE TANI PO KRIJON ANOMALI NE QARQET EUROPJANE KUSH JANE KETA QE BEJNE BASHKIMIN KOMTAR KETA NUK CLIRONIN DOT KOSOVEN FAL SHBA.PER KE PUNOJN KETA SE PER KOSOV-SHQIPERI-CERMERI- JO CFAR PLANI KANE NE CILIN MULLI E COJNE UJIN PER KE PUNOJNE KOSOVE DHE SHQIPERIA NUK ESHTE MOMENTI TANI PER TANI PER BASHKIM KOSOVA DUHET TE NJIHET PERFUNDIMISHT SHTET PASTA TE BEJNE NJE REFERENDUM NE KOSOV QE FITON POJA POR NE SHQIPERI NJE GJE E TILL NUK NDODH SEPSE KESHTU KA NDODHUR DHE ME ISMAIL QEMALIN QE PRE NE BESE ISA BOLETININ E NJETA GJE ENVER HOXHA I PREU NE BESE I PUSHKATOJ PER HATER TE TITOS, E NJETA GJE NDODHI NE KRET TE GREQIS SLLOBADAN MILLOSHEVIC ME FATOS NANEN DHE PO KESHTU TANI RAMA ME ME VUCIC. KJO LEVIZJE ESHTE NE SHERBIM TE RAMES DHE SKA ASNJE QELLIM TJETER ESHTE NE SHERBIM TE RAMES,VUCIVIT ENVERIT ISMAILIT DHE DORES SE TYURE.

  5. Me habit kjo nisme e VV-se!

    Skena politike ne Shqiperi ka vite qe eshte statike. Ata qe marrin pjese ne zgjedhje jane perhere e me pak te motivuar, shumekush voton per inerci, apo per ate qe e vlereson si te keqen me te vogel. Ka shume vite qe shpresa nder zgjedhes eshte shuar thuajse krejt.

    Albin Kurti dhe VV jane e vetmja force politike nder shqiptare qe sjell risi, nga cdo pikepamje. Fitorja e tyre ne Kosove (bashke me Vjosa Osmanin, edhe ajo fytyre e re politike) ka kumbuar fort edhe ne Shqiperi. Zerat jane se palet e politikes shqiptare (te Shqiperise) jane te shqetesuara nga potenciali politik i Kurtit dhe VV-se.

    Ne kete kontekst prisja qe veprimtaria e pare e deges se VV-se ne Shqiperi, – deri me sot thjesht nje lloj fan club-i, – te ishte me se paku ne lartesine e situates, idealisht nje nisme guximtare (guximi ne fund te fundit eshte shifra kryesore politike e Kurtit).

    Kurse keta propozojne marrshim per bashkim! Ne Tirane! Sot!

    Jo se koncepti i bashkimit ka ndonje gje te keqe ne vetvete. Thjesht nuk eshte fare, po fare, joshes per votuesin shqiptar (ne Shqiperi). Nderkaq as marrshimi s’ka ndonje marketing te mire ketej kufirit: mes moshave mesatare e te thyera kujton stervitjet e kohes se enverit; mes rinise druaj se evokon boshllek (edhe protestat e fundit te studenteve, pulsacion me shume unik sesa i rralle i shoqerise sone, ishin statike! u ngulen ne rruge te durresit apo ku i kishin selite dhe s’u shkulen prej andej!).

    Zgjedhja e kesaj teme, si fillim i punes se VV-se ketej kufirit eshte gabim i madh. Tema kuptimplota dhe te nxehta per zgjedhesit ka plot: korrupsioni, publikja perballe privates, krimi, vjedhja e shpreses tek e ardhmja (sado irracionale)… .

    Albini ka keshilltare plot, edhe keta te klubit tiranas te VV-se shkencetare politike jane shumica (prof te lendes ne universitete), a eshte e mundur ta kene bere gafen nga padija!?

    Druaj se jo, do te presim e do te shikojme…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu