• |
ide | kryesore

Video/ Hidi humb penallti, Skënderbeu i merr fitoren Bylis në dy minuta

F1, Sport, Video



Bylis mori humbjen e parë në shtëpi i mundur 2-3 nga Skënderbeu, që i servir kështu hakmarrjen për atë turpërim të fazës së parë në Korçë. Nuk e kishte menduar ndoshta Dovedan, që kontaktet me kreun do ti humbiste pikërisht me bardhekuqtë, që dukeshin në mos të dorëzuar, në vështirësi. Mungesa të rëndësishme kishte në të dy kampet, por impaktin më të mirë me ndeshjen e kishin vendasit, plot dëshirë për të impresionuar akoma. Guindo e Goxhaj vunë në shënjestër portën e Kolicit, pa mundur të gjejnë rrjetën. Madje Bylis nuk e bën dot as nga 11 metra, pasi Bastari vlerësoi penallti ndërhyrjen e Ndeki ndaj Peposhit. Hidi u impresionua ndoshta nga idea se do të ishte shënuesi më i mirë i ballshiotëve, ose u hipnotizua nga Kolici, sepse e hapi trajektoren më shumë se duhet në minutën e 23, duke e nxjerrë topin jashtë.

Skënderbeu u duk se nuk mund ti mbante larg portës kundërshtarët, pavarësisht se tentuan ti japin ndonjë pasiguri prapavijës ballshiote. Guindo humbi rastin më të mirë në shtesën e pjesës së parë, i ndalur nga Kolici e në përmbysjen e fronteve situate u përmbys. Penallti për Skënderbeun, me faullin naiv të Peposhit ndaj Bregut, në minutën e dytë shtesë. Krasniqi nuk bëri gabimin e Hidit, që në këtë rast ndjeu edhe më shumë peshën e gabimit të bërë.

Ngarkesa psikologjike rëndon këmbët e lojtarëve të Dovedan, që i lënë skenën korcarëve, që me Bregun mund të siguronin rezultatin, nëse nuk do të ishte Hidi, që mundohej të shlyente gabimin. Vlonjati ishte rrezik konstant, por spostimi i lojës përsëri në fushën e bardhekuqve i dha mundësinë Qardakut e Ndrecës të frikësonin Koliçin, vendimtar në minutën e 72, por i ndihmuar nga Pëllumbi 60 sekonda më vonë, me mbrojtësin që largoi topin në vijën e portës. Goli vonoi por u kuptua që ishte në ajër dhe pikërisht kapiteni Murataj nisi kthesën, me barazimin në të 74, që i dha të kuptonte Bylis se këtë ndeshje edhe mund ta fitonte.

 

Mund të ishte vërtetë kështu, sepse në të 79 Goxhaj është i jashtzakonshëm dhe në akrobaci mposhti Kolicin për avantazhin 2-1 të Bylis. Shumë e bukur për të qenë e vërtetë, por entuziazmi i tepër dëmton skuadrën e Dovedan, me një tjetër penallti, për ndërhyrjen e Ndrecës këtë herë ndaj Bregut, që preferon të shënojë vetë nga pika e bardhë, duke barazuar shifrat.

Por nuk ka mbaruar sepse Skënderbeu mori krejt fitoren në dy minuta, me Gripshin që në të 88 vendos heshtjen në “Adush Muça” me golin e tretë. Ilir Daja i jep shkundjen e duhur skuadrës që ngjitet me 17 pikë dhe një asist Partizanit, duke i mundur ndjekësin më të afërt.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *