• |
ide | kryesore

Reagimi/ Nuk më vjen keq për banorët e unazës, por se nesër e kam rradhën unë!

Blog



Nga Gentjan HajdariTeksa po ecja rrugëve të Tiranës nuk po më vinte keq për banorët e Astirit, po por për gjithë ata qytetarë që shihja në rrugë.
Po më vinte keq se nuk e dinë që nesër e kanë radhën ata. E kemi rradhën ne.
Nuk e dinë që arroganca e shtetit do jetë nesër mbi ta, ndoshta në një formë tjetër: herë i veshur me dhunë, herë me kërcënime, herë me korrupsion, herë me nepotizëm, herë me rryshfet, e herë me fytyrë ëngjëlli që premton sot e të zhvat mot.
Ecën i qetë sepse mendon se fundja ti nuk ke ndërtuar gabim, por harron se banorëve të Astirit për 29 vite u kanë premtuar se do i legalizonin, mbasi i ftuan të jetonin e ndërtonin aty. Krimin nuk e kanë bërë ata, por klasa jonë politike. E teksa politikanët, të gjithë, ndërtuan e blenë vila luksoze në kodra, banorët e shkretë rrihen me policinë e paguar me taksat e tyre.
Ecën i qetë sot por harron se ke paguar ti për gjithë këtë spektakël, edhe për vilat edhe për dajakun.
Ecën sot i qetë rrugëve por harron se nesër mund të sëmuresh e do duhet të mbash radhë spitaleve, me 500 € në xhep për operacionin.
Ecën sot i qetë rrugëve por harron se nesër do përballesh me faktin që nuk ke ku t’i dërgosh fëmijët të arsimohen sepse mësuesit aty e kanë blerë vendin e punës, apo u dhemb koka nga paga qesharake. Nuk ia kanë ngenë fëmijës tend e timit.
Ecën i qetë sot por nuk e di se nesër mund t’ju teket të ndërtojnë bash te shtëpia jote e shteti do të gjakosë e hedhë gaz lotsjellës deri sa ta lësh atë me vrap.
Ecën i qetë sot por harron se paguan naftën më shtrenjtë se cdo qytetar tjetër në Europë. E ndoshta nuk e di se pothuajse gjithë miliardat e saj shkojnë në një xhep që e ka atë monopol.
Ecën i qetë sot por nuk e di se nesër do duhet ta paguash për të kaluar autostradën Durrës-Tiranë pavarësisht se paguan taksa rruge tre here sot. E pra do paguash sërisht, sepse ti je i qetë.
Ecën i qetë sot, por harron që në fund të muajit mezi të del rroga.
Ecën i qetë sot por nuk e di se nesër do e paguash km e rrugës 20 milion Euro.
Ecën i qetë sot sepse harron që do duhet të paguash nesër 5000 Euro për të futur fëmijën në një punë në administratë. Ose 10 mijë për një vend në kamionin e Anglisë.
Ecën i qetë sot se nuk e di që nesër para banesës tënde do ndërtohet një pallat më i lartë e ti nuk do kesh fatin të shohësh më diellin.
Ecën i qetë sot por nuk e di se nesër do të bjeri në qafë i forti, dhe ti nuk e di që ky shtet mbron gjithmonë atë. Sepse ai nuk është aspak i qetë si ty.
Ecën i qetë sot por nuk e di se nesër nuk mund të kërkosh drejtësi se drejtësia është me ato që kanë lekët.
Ecën i qetë sot por nuk e di që nesër nuk do ketë asnjë park ku të luajë fëmija yt.
Ecën i qetë sot, por harron që fëmijën nuk do e kesh pranë nesër se ka ikur në emigracion.
Ecën i qetë sot teksa taksat e tua përfundojnë rryshfet xhepave të kryetarit të rradhës.
Ecën i qetë sot por nuk e di që nesër do mësosh që stadiumi kombëtar është pronë private dhe jo publike.
Ecën i qetë sot por harron që hapësirat publike po zhduken çdo ditë se po i merr privati dhe kryetari me koncension.
Ecën i qetë sot por nuk e di që nesër nuk do ti shohësh më bukuritë kombëtarë si Valbona, Vjosa, Holta etj se po kthehen në hidrocentrale e uji po humbet në tuba që prodhojnë pasuri për ta e jo për mua e për ty.
Ecën i qetë sot por nuk e di që nesër nuk do kesh cfarë monumenti kulturor t’i tregosh fëmijëve.
Ecën i qetë sot por nuk e di që nesër do ngelësh pa identitet kombëtar.
Ecën i qetë sot se ke shpresë te “opozita e bashkuar”, por harron që këta e hanë darkën bashkë, aty te rezortet luksoze, e mbasi flenë bashkë, zgjohen bashkë për të na përcarë ne sikur ujqërit delet.
Ecën i qetë sot, se kujton se do të mbrojë “opozita”, por kujto sesi i mbrojti sot banorët e Astirit.
Ecën i qetë sot, por harron se pushteti është në duar të 2-3 njerëzve, dhe ty nuk të përfaqëson askush.
Ecën i qetë sot, se kujton se do gjesh mbështetje te mediat, por harron që mediat janë me pushtetin, se fitimet nga korrupsioni, pushteti së pari i ndan me ta.
Ndoshta nuk je dhe aq i qetë sot, por e pranon kokëulur situatën sepse punon në administrate, shpreson të marrësh një leje, nuk do ta prishësh me pushtetet, nuk do ti hapësh telashe vetes etj por harron që e nesërmja vjen për të gjithë dhe kryetarit, kushdoqoftë ai, nuk ia ndjen për ty as sot e as mot.
Nuk të nxjerr nga situata ajo paga minimale që po merr sot kokëulur dhe për të cilën duhet të servilosesh, të heshtësh apo të shtiresh sikur je i qetë..

Nesër miku im, kur të të vijë radha ty, do kërkosh ndihmë dhe do urosh që të tjerët të mos jenë kaq të qetë. E në vend ta shohësh shpresën te emigrimi, ku do të duhet tia nisësh nga 0, prishe pak atë qetësinë dhe mundohu të ndërtojmë këtu ku ke rrënjët e tua.
Nuk duhet shumë, mjaft të mos shtiremi sikur jemi të qetë.

Ndaj mos ji kaq i qetë, se nesër e ke radhën ti!

Nisma Thurrje



4 Comments

  1. Gentjan,desha me te pergezu per shkrimin ,origjinal qe te ka dale nga shpirti,por portali me nxjerr nje shenim,se po postoj shpesh komente,megjithese ky eshte i pari qe po bej.C’ti besh,edhe portalet,po na vene “tallonin”

  2. Nuk eshte arroganca e shtetit por forca e ligjit qe injoranca shqiptare nuk e ka dhe nuk do ta kuptoj.etj…

  3. O genti unë mendoj si ty, e sjam i qetë.
    Nuk jam as për ndërtim pa leje, se do të ishte qesharake.
    Unë jam për një rini të shqetësuar që të ngrihet për veten, se meritojnë të ardhmen, atë që ja morëm në me indiferencë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *