• |
ide | kryesore

Ndeshja e rekordit, vendosja e vetos e trajnerit dhe mendja tek Franca: kështu kuqezinjtë luajnë me Andorran

F1, Sport



Objektiva nuk ka, por edhe gjenden, sidomos kur je në kërkim të ndërtimit të skuadrës së të ardhmes. Shqipëria luan mbrëmjen e sotme në Elbasan Arena kundër Andorrës, në të parën nga dy ndeshjet e fundit eleminatore të Euro 2020. Edy Reja duhet të administrojë një grup me mungesa me peshë, me situata pakënaqësie të reflektuara në daljet e fundit të Kombëtares, por edhe të ruajë ecurinë pozitive dhe performancat e mira të treguara në tetor.

MUNGESAT – Një ridimensionim i skuadrës nuk do të jetë i nevojshëm, pavarësisht mungesave, por ndryshimet në rastin më të mirë do të jenë të diktuara nga tendenca e teknikut për të krijuar më shumë njohje nga lojtarët e rinj dhe ata që nuk kanë mundur të shfaqin veten para italianit. Sokol Cikalleshi e Armando Sadiku nuk kanë mundur ti përgjigjen ftesës së Rejas të dëmtuar, por kjo e ka lënë italianin pa qendërsulmuesin e tij të parë, duke bërë që pesha më e madhe të bie mbi Manajn. Do të qendrojë jashtë fushave për një muaj Marash Kumbulla, edhe pse qendërmbrojtësi i Veronës do të kishte dashur të ishte kundër kampionëve të botës mbi të gjitha. Nuk është një mungesë që do ti krijojë boshllëk teknikut, duke mos qenë ende ndër titullarët, por kundër Andorras mbrojtësi do të kishte mundësinë të luante ndoshta 90 minutat e para. Në mesin e fushës mungon Abrashi, por edhe ai që duhej ta zëvendësonte Taulant Xhaka u tërhoq, në versionin zyrtar, i dëmtuar.

MESAZHI – Pikërisht Xhaka solli në vëmendje reagimin e të pakënaqurve dhe nuk është hera e parë që mesfushori i Basel krijon pështjellin në ambjentin kuqezi: herën e parë me De Biasin në Euro 2016 me atë shishe të goditur në shenjë proteste për zëvendësimin, pastaj me Panuccin dhe tani me Rejan. Ndoshta është edhe i dëmtuar, si shpjegoi italiani në konferencë për shtyp (“në ndeshjen e fundit në Zvicër ka marrë një dëmtim muskulor, në 10 minutat e fundit. I thashë nëse nuk je mirë atëherë më thuaj dhe mu përgjigj se donte të qëndronte në shtëpi. Por ishte zgjedhje e tij jo e jona”), por deklarata që pasoi këto fjalë nga 74 vjecari tregoi se nuk është vetëm cështje dëmtimi. “Kush mendon se është Mesi, për të nuk ka vend në fushë, është gjithnjë Shqipëria që luan në fushë. Më vjen keq edhe për Grezdën, që nuk i pranoi këto situata, atëherë është e qartë shko në shtëpi”, theksoi tekniku. Edhe Grezda në qershor, përpara sfidave kualifikuese ndaj Islandës dhe Moldavisë u largua nga grumbullimi, me justifikimin për arsye personale, por që atëherë Reja nuk e thërriti më.

FORMACIONI – Kuqezinjtë kanë punuar gjithë javën vetëm me një seancë stërvitore në Durrës dhe shqetësimi i vetëm i krijuar ka qenë kondicioni i Balajt, që do të jetë në dispozicion të teknikut, pasi rezonanca magnetike nuk i tregoi probleme serioze. Kjo situatë mund të ndikojë që Reja ta ruajë për Francën, duke i dhënë hapësirë debutimit të Kamberit. Në fakt sulmuesi i Hibernian është favorit ndaj Uzunit si partner i Manajt në 3-5-2 e pandryshuar të italianit. Nga lodhja muskulare që shfaqi Strakosha, pas ndeshjes së fundit të Serie A me Lecce ku prit edhe penalltinë, kuadrati i portës mund ti besohet Berishës, për të mos rrezikuar. Prapavija do të ketë ndoshta një ndryshim dhe kjo lidhet me formën e shkëlqyer që tregoi Veseli në dy ndeshjet e tetorit kur zëvendësoi Hysajn e dëmtuar. Shkodrani rikthehet, luajti 84 minuta edhe me Napolin, duke marrë krahun e tij të kompetencës, por Veseli mund të ulë në stol Ismajlin, duke formuar repart me Dermakun e Gjimshitin. Mesfusha ka të paprekshmin Bare e Gjasula, ndërsa Memushaj, që është stërvitur i diferencuar për shkak të gjendjes gripale mund të presë ndeshjen e 17 nëntorit kundër Francës. Në krahët e mesfushës me pesë mund të preferohet Roshi nga minuta e parë e ndoshta është radha edhe e Selahit, pavarësisht se spikat edhe Ndoji për një fanellë titullari.

REKORDI – Ndoshta mund të mos japë vendin e tretë në Grupin H eleminator, por një fitore me Andorrën do ta fusë Edy Reja në histori si trajneri që do të marrë më shumë pikë në një fushatë eleminatore, 15. Sigurisht që duhet të mundet Andorra, por mundësitë janë dhe italiani, pasi siguroi fitoren më të madhe të arritur ndonjëherë në eleminatore nga Shqipëria 4-2 kundër Islandës dhe goleadën më të rëndë në transfertë 0-4 në Moldavi, kërkon një tjetër rekord, që duhet pasur parasysh se vjen me një ndeshje më pak në dispozicion, sepse kundër Turqisë në Loro Borici, në pankinë ishte Christian Panucci.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *