• |
ide | kryesore

Punonte 16 orë në ditë në një fabrikë këpucësh, u ekzekutua pranë banesës. Dyshimet për vrasjen e 37-vjeçarit

Arkiva, Lajme, Të fundit



U gjet i ekzekutuar me armë zjarri, Policia e raportoi si vdekje natyrale.  Banorë të lagjes “Kushtrimi” në Vlorë njoftuan Policinë për një trup të pajetë të gjetur buzë rrugës, në zonën e njohur si “Paraburgimi”.

Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, Policia nxitoi të dilte në një deklaratë për mediat, duke bërë të ditur se bëhej fjalë për një vdekje natyrale të një 37- vjeçari, që mund të kishte ardhur nga problemet në zemër.
vend1

Por ekspertiza mjekoligjore e rrëzoi një gjë të tillë, duke dalë në përfundimin se bëhej fjalë për vrasje me armë zjarri. Viktima quhet Kreshnik Dashaj, i cili rezulton i qëlluar me një plumb në pjesën e shpatullës. Trupi i pajetë i 37- vjeçarit është gjetur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, vetëm pak metra larg banesës së tij. Ka qenë ora 06:05, kur banorë të zonës kanë lajmëruar menjëherë Policinë. Ekspertiza bën të ditur se në kokë dhe shpatull janë konstatuar njolla gjaku.

Përveçse është qëlluar me armë zjarri, dyshohet se Dashaj mund të jetë dhunuar me sende të forta. 37-vjeçari punonte në një fabrikë këpucësh në qytetin e Vlorës dhe ishte larguar nga puna pas mesnatës për t’u kthyer në shtëpi.

Dyshohet se gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në momentin kur i riu ndodhej shumë pranë banesës së tij. Banorë të zonës shprehen se gjatë kësaj ore nuk janë dëgjuar krisma armësh, çka bën të mendosh se ndoshta është qëlluar me silenciator ose nga shumë pranë. Në zonë, Policia nisi këqyrjen e vendit të ngjarjes për të gjetur ndonjë gjurmë të mundshme, që mund të çojë drejt identifikimit të autorit apo autorëve të ngjarjes.

Po kështu, Policia ka kërkuar dhe për gëzhoja për të saktësuar armën me të cilën është qëlluar në drejtim të Dashajt, por nuk ka gjetur asnjë gjurmë të tillë. Mësohet se trupi i pajetë është gjetur i rënë përmbys. Në atë zonë, bizneset janë kryesisht familjare e dyqane të vogla dhe mungojnë kamerat e sigurisë. Po kështu, gjatë momentit kur mendohet se ka ndodhur ngjarja, zona dhe rruga në afërsi të banesës së viktimës ishte pa ndriçim, për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Kreshnik Dashaj, me origjinë nga fshati Lubonjë, ishte vendosur rreth 12 vjet më parë. Ai punonte në një fabrikë këpucësh në Vlorë, ndërsa disa vite më parë ka jetuar edhe si emigrant në Greqi. Për shkak të pagës së ulët, babait të një vajze 7 vjeçe i duhej të punonte deri në 16 orë në ditë për të mbajtur familjen. 37-vjeçari rezulton person pa precedentë penalë dhe i paskeduar nga Policia.

Fqinjët e tij thonë se ishte person shumë i qetë dhe pa probleme. “Ishte njeri familjar, asnjëherë nuk ishte njohur si person problematik. Na erdhi shumë habi kur mësuam se çfarë kishte ndodhur”, shprehet një prej fqinjëve të Dashajt.

Policia është duke punuar në disa pista për të zbardhur motivin e vrasjes së tij. Hetuesit po kërkojnë prova nëse 37- vjeçari është përfshirë në ndonjë konflikt gjatë kohëve të fundit, ndërsa një tjetër pistë është ajo e ndonjë tentative për grabitje, e cila ka shkuar keq, shkruan gazeta panorama.

PLUMB NË SHPATULL, GODITJE NË KOKË

Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes së 37- vjeçarit konfirmon se Kreshnik Dashaj ka marrë një plumb në pjesën e shpatullës dhe ka goditje me sende të forta në kokë. Në Policinë e Vlorës është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me qëllim dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, ku gjatë këtij procesi janë shoqëruar disa persona, të cilët mund të kenë dijeni mbi atë që ka ndodhur.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *