• |
ide | kryesore

Krahasimi në muze/ Si i kujton ish lindja komuniste diktatuarat e shekullit të kaluar

-Instant, F1, Planet



Tre dekada pas rrëzimit të diktatorit bullgar, Todor Zhivkov, Bullgaria grindet për muzeun e kohës së komunizmit. Në vendet e ish-bllokut sovjetik ka modele të ndryshme të kujtesës.

 

Kolumnist Ivaylo Ditchev (Svetla Encheva)Ivaylo Ditchev, foto lartshtepia e terrorit ne Budapest

Nga Ivaylo Ditchev/ 30 vite pas rrëzimit të Todor Zhivkovit, intelektualët në Bullgari debatojnë sërish për një muze mbi periudhën e komunizmit. Sado të duket e çuditshme, në ekspozitat bullgare për historinë, sot sheh më shumë për trakët legjendarë të antikitetit se sa për socializmin sovjetik, që e ka ndikuar tej mase jetën në Bullgari.

Forma të ndryshme kujtese në Europën Lindore

Por si duket ta kujtojmë këtë kohë? Në Europën Lindore ka mënyra të ndryshme qasjeje: Demokracitë e reja tentojnë shpesh, të theksojnë tmerret e dhunës totalitare, si për shembull në Muzeun e Historisë Komuniste në Pragë, në Muzeun e Terrorit në Budapest, apo Muzen Gulag në Moskë, apo muzeun në Vilnius që kujton vrasjet masive të epokës komuniste. Vizitori shikon qelitë e të burgosurve, skenat e hetuesisë dhe torturat, fotografitë e viktimave, ai lexon dhe shikon histori të të mbijetuarve. Muze të tillë janë vende të zisë, por edhe të legjitimiteti politik të elitave të reja.

Ekziston edhe e kundërta: Muze që e glorifikojnë të shkuarën, si ai në Beograd, kryeqyteti i Jugosllavisë të paangazhuar asokohe, apo në Hanoi, ku në qendër është vendosur lufta heorike kundër SHBA. Këtu bëjnë pjesë edhe mauzoletë e Leninit dhe Maos, apo „parku i kohës së lirë” komunist në Vuhan në Kinë. Nga këndvështrimi i një perandorie sovrane, vrasje të tilla masive kanë një kuptim tjetër.

Ka edhe një lloj tjetër muzeumesh: Ata që i paraqesin si ekzotike modernizimet e pakta dhe të nxituara të komunizmit. Muzeu i RDGJ-së në Berlin tregon për shembull, sende të çuditshme nga jeta e përditshme, lodra të shëmtuara, emra prodhuesish të ëmbëlsirave apo semaforët legjendarë me figurë. Në Varshavë mund të shohësh banesa të rikonstruktuara nga koha e komunizmit dhe botën materiale të asaj kohe mund ta krahasosh me atë të sotmen. Në parqet me statuja, si në Budapest, krijohet një efekt komik sureal përmes shumëfishimit të monumenteve patetike ideologjike, që vendosen përbri njëri-tjetrit. Muze të tilla, kritikohen më së shumti për atë se bëjnë normalizimin e epokës komuniste dhe gjykimet morale i zëvendësojnë me humorin. Në fund të fundit nuk ka asgjë kriminele në automjetin gjermanolindor të njohur si Trabant apo në „tshushkopek”-un bullgar të pjekjes së specave, që në televizionin bullgar u zgjodh si objekti që kreu një „revolucion bullgar në ekonominë shtëpiake” në shekullin e 20-të.

Kujtesa përmes artit

Edhe përmes artit aktivizohet kujtesa për kohën e komunizmit. Në të shkuarën aksione të artistëve ishin një rrugë e tërthortë për të vënë në lojë regjimin. Një shembull i jashtëzakonshëm ishte „soc-arti”- sovjektik, që luante me objektet e propagandës si pop-arti me objektet e shoqërisë së konsumit. Ndërsa në vende, ku e shkuara duket se nuk ikën, grupe të caktuara artistësh sot përpiqen të mposhtin të paktën apatinë morale. Bunkerët ekzotikë të diktatorit Enver Hoxha në Shqipëri përdoren tani për performanca artistike. Edhe në Pallatin e Popullit të Çausheskut në Bukuresht ndodhet ndër të tjera muzeu i artit bashkëkohor. Hapësirat e dikurshme të pushtetit bëhen të kuptueshme përmes blasfemisë estetike, e ndezin kështu debate të reja. Megjithatë ky gjest artistik është shumë larg narrativit historik, që mund të presësh nga një muze.

Rasti i Bullgarisë

Bullgaria ngurroi për një kohë të gjatë e nuk vendoste dot për asnjë nga muzetë e përmendura. Për periudhën e komunizmit ajo nuk ka krijuar asnjë vend përkujtimor të tillë, që mund të merrej në konsideratë, për disa ishte shumë herët, për të tjerë shumë vonë. Një muze i terrorit nuk mund të merrte formë, sepse ish-komunistët deri më sot luajnë një qendror në politikën bullgare. I vetmi ritual i madh antikomunist ishte hedhja në erë e mauzoleut të Georgi Dimitrofit (një funksionari të lartë udhëheqës komunist në Bullgari në kohën e stalinizmit, shën.red.) gjë që solli zemërim, por edhe tallje.

Krahasuar me vendet e tjera pas Perdes së Hekurt në Bullgari ka pasur relativisht pak viktima të komunizmit, për shembull në këtë vend nuk pati protesta masive me shtypje të dhunshme si në Hungari në vitin 1956 apo në Pragë në vitin 1968. Nga ana tjetër proceci i tranzicionit politik në vitet 90-të ishte shumë më i vështirë, se në vende të tjera të ish-bllokut lindor. Kujtimet mbi kohën e terrorit gjatë instalimit të regjimit komunist u zbehën dhe u mbuluan nga traumatizime të reja.

Versioni „sovran” i komunizmit i shkon më së paku Bullgarisë, që njihej si një satelit i ngushtë i Bashkimit Sovjetik. Sot është e ditur, që diktatori Zhivkov dy herë ka propozuar, që vendi i tij të bëhej pjesë e Bashkimit Sovjetik. Për fat të mirë ishte Moska ajo që e refuzoi këtë. Shtëpia e lindjes së diktatorit është një nga ato pak muzeume në Bullgari, që edhe pse me shumë kujdes, hedh një dritë pozitive më kohën e komunizmit.

Versioni i zakonshëm i socializmit prezantohet në Bullgari nga disa amatorë, mbi bazën e koleksioneve të tyre me objekte nostalgjike. Disa madje janë kthyer në projekte komerciale, si për shembull retro-muzeu apo „Apartamenti i Kuq”, ku dëgjon histori komike për gjërat e shëmtuara që zotëronte një familje bullgare e kohës. Ekspozita të tilla i drejtohen turistëve të huaj, komentet e të cilëve në librin e përshtypjeve të lenë të kuptosh, se nuk e kanë kuptuar ironinë. „Venceremos! Të rrojë komunizmi!” Po pse vijnë kaq pak bullgarë në këto muzeume? Biletat janë shumë të shtrenjta, dhe objektet që tregohen aty janë ende pjesë e përditshmërisë të shumë njerëzve, pra duket e vështirë të krijosh një distancë estetike tek këto eksponate. I vetmi muze i subvencionuar nga shteti në Sofje i drejtohet artit socialist. Ai bashkon propagandën dhe veprat me cilësi zë lartë. Piktorë nga nomenklatura dhe viktima të regjimit. Një kompromis i paarrirë – Muzeu është kritikuar për mungesën e një profili të qartë dhe orientimit.

Tani Sofja dëshiron të imitojë një model nga Rumania dhe të shndërrojë tunelin nën një ndërtesë të vjetër të kohës së komunizmit në hapësirë për artin. Argumenti kryesor është se do të vijnë shumë turistë. A nuk është kjo një mënyrë e çuditshme e kujtimit, të imitosh kujtesën e dikujt tjetër? Me gjasë të gjitha këto projekte kujtese në vendet postkomuniste e humbasin efektin pikërisht për shkak të imitimit. Tani është Bullgaria në radhë. Deri tani nuk ia ka dalë t’i dalë ballë vetë të shkuarës së saj. Prandaj sheh me frikë rreth e rrotull për të marrë hua modele të tjera të kujtesës.

Ivaylo Ditchev është professor i antropologjisë kulturore në Universitetin e Sofjes në Bullgari. Ai ka dhënë leksione në universitete në Gjermani, Francë, dhe SHBA.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *