• |
ide | kryesore

Një vit nga taksimi 100% ndaj produkteve serbe, çfarë po ndodh në Serbi e Kosovë

Arkiva, Lajme, Të fundit

Vetëm gjashtë milionë euro është vlera e produkteve nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina që janë importuar në Kosovë për një vit, që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind për importet nga këto dy shtete, nga disa qindra milionë që ishte më parë. Produktet e tyre, në tregun e Kosovë janë zëvendësuar shumë shpejt me importet nga shtetet tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian, thonë autoritetet kompetente në Prishtinë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e komuniteteve të bizneseve në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, paraqesin humbjet që nga zbatimi i taksës. Ata thonë se eksporti drejt Kosovës ka rënë dukshëm dhe se shumë prodhues atje, tashmë e kanë humbur tregun e Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se importi i produkteve nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina në tregun e Kosovës ka rënë për 99 për qind.

“Ne kemi një import të vogël. Për një vit nga zbatimi i taksës, janë 6-7 milionë euro import nga këto dy vende. Janë produkte që i sjellin në sasi të vogla. Rreth 440 milionë euro kemi pasur import, pra krahasimi bëhet kur nuk kanë qenë masat mbrojtëse në fuqi. Për këtë periudhë kemi rreth 440 milionë euro më pak import nga Serbia dhe rreth 80 milionë euro import më pak nga Bosnjë e Hercegovina. Në përqindje, është rreth 99 për qind, pra aq sa ka rënë vlera e importit nga këto dy vende”, ka thënë Berisha.

Shumica e produkteve nga këto dy shteteve, që dikur ishin të pranishme, sot mungojnë në vitrinat e dyqaneve në tregun e Kosovës. Por, për konsumatorë nuk është paraqitur ndonjë problem për shkak se ato, shumë shpejtë janë zëvendësuar me produkte nga shtetet tjera.

Ndërkohë, është evidente që prodhimet apo mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina janë të pranishme nëpër dyqanet në komunat e banuara më shumicë serbe. Këtë nuk e mohon as drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha. Por, sipas tij, “produktet nga Serbia në këto komuna mund të gjenden në sasi të vogla, të cilat nuk ndikojnë në tregtinë ligjore të Kosovës”.

Para vendosjes së taksës doganore, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë. Ky shtet, para 21 nëntorit, të vitit 2018, gjatë një dite ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion euro apo më shumë se 360 milionë euro brenda një viti.

Më 6 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria në largim e Kosovës vendosi taksën prej 10 për qind për prodhimet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, kurse më 21 nëntor kjo taksë u ashpërsua më 100 për qind për të gjitha produktet dhe mallrat e importuara nga këto dy shtete.

Që nga 21 nëntori i vitit të kaluar, vlera e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë është 4 milionë euro, kurse nga Bosnjë e Hercegovina, 2 milionë euro.

Ndërkaq, eksporti i produkteve “Made in Kosova” gjatë kësaj periudhe në Serbi ka qenë 13 milionë euro, kurse në Bosnjë Hercegovinë 5 milionë euro.

Humbjet e prodhueseve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës
Përderisa në Kosovë nuk vërehet ndonjë mungesë e produkteve dhe as ndonjë ndikim në të hyrat doganore, humbjet e prodhueseve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina arrijnë në qindra miliona euro, që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100 për qind.

Shoqata e industrisë bashkëkohore të prodhimeve të argjilës në Serbi, që brenda saj numëron dhjetë kompani prodhuese, që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, eksportin për Kosovë e kanë ndaluar tërësisht. Slavica Zhivkoviq nga kjo Shoqatë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se humbjet e këtyre prodhueseve në baza mujore që nga zbatimi i taksës, janë 300 mijë euro.

“Neve, që atëherë, na është ndërprerë tërësisht eksporti. Do të thotë, eksporti në Kosovë, që nga 21 nëntori është zero, sepse ne në asnjë mënyrë nuk mundemi më të eksportojmë mallrat atje. Tashmë atje (në Kosovë) kanë hyrë shitës të tjerë, prodhues të tjerë. Madje edhe kur të hiqet taksa, vlerësimet janë që nuk do të jetë e lehtë që ta kthejmë atë treg. Por, po shpresojmë në traditën, në disa kontakte që i kemi me njerëzit atje”, tha Zhivkoviq.

Edhe Ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Rasim Lajiq më herët ka thënë se humbja e tregut në Kosovë, ka shkaktuar dëme shumë të mëdha, sepse sipas tij, edhe nëse taksa të hiqet, kthimi i bizneseve serbe në tregun e Kosovës nuk do jetë i lehtë sepse mallrat e njëjta, janë zëvendësuar tashmë me mallra nga shtetet tjera.

Humbjet nga efektet e kësaj takse po i numërojnë edhe prodhues të Bosnjë e Hercegovinës. Eksporti nga Bosnje e Hercegovina për në Kosovë për nëntë muajt e parë të vitit 2019 kap vlerën prej 11 milionë marka të Bosnjës dhe Hercegovinës apo nëse konvertohet në euro 5,6 milionë euro, që paraqet një rënie për 90.4 për qind nëse krahasohet me vitin paraprak, thotë Nemanja Vasiq, zëvendëskryetar i Odës se Tregtisë së Jashtme të Bosnje e Hercegovinës.

“Nëse krahasohet me periudhën para vendosjes së taksës, është 100 milionë marka të Bosnjës Hercegovinës apo mbi 51 milionë euro më pak. Është vështirë të flitet për dëme direkte dhe indirekte. Nëse shikojmë vetëm eksportin, humbja e blerësve, humbja e tregut, humbja e kontratave…, etj. janë dëme për të cilat nuk ka asnjë njësi matëse”, tha Vasiq.

Taksa shtoi kapacitet prodhuese në Kosovë
Në anën tjetër përfaqësues të bizneseve dhe afaristë në Kosovë thonë se taksa ka pasur efekte si pozitive ashtu edhe negative. Olivera Ceni-Bardiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se nga vendosja e taksës prodhuesit kosovarë kanë rritur kapacitet prodhuese, përderisa sektori i tregtisë është detyruar t’i rris çmimet e artikujve.

“Sektori prodhues ka deklaruar se ka pasur ndikim pozitiv pas vendosjes së taksës. Pasi sipas tyre, janë rritur shitjet e gjithashtu edhe kapaciteti prodhues i kompanive vendore. Nga ana tjetër, sektori i tregtisë ka deklaruar se taksa pa pasur efekt negativ, si rezultat i pa parashikueshmerisë dhe e cila pastaj ka ndikuar në rritjen e çmimeve për shkak të rritjes së kostos së transportit”, tha Cena-Bardiqi.

Një nga kompanitë në Kosovë që ka rritur kapacitetin prodhues pas vendosjes se taksës është kompania “Pestova”, e cila merret me përpunimin dhe prodhimin e patates. Bedri Kosumi, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se në gjashtë muajit e parë të zbatimit të taksës, kapacitetet prodhuese të kësaj kompanie janë rritur për 30 për qind. Përveç kapaciteteve ai ka rritur edhe numrin e punëtorëve.

“Aktualisht kemi 252 punëtorë të rregullt derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë rreth 200 punëtorë”, ka deklaruar Kosumi.

Efektet politike
Krahas efekteve ekonomike, taksa ka bartur edhe efekte politike. Vendosja e taksës nga Qeveria në largim e Kosovës, ishte si kundërpërgjigje ndaj politikave Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare.

Por, Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo anulimin e kësaj takse, duke e cilësuar atë në kundërshtim me parimet e marrëveshjes së CEFTA-s për lirinë e qarkullimit të mallrave. Vendosjen e taksës, Beogradi e ka cilësuar si pengesë edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Për këtë arsye, që nga vendosja e kësaj mase, dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka mbetur i ndërprerë.

Në anën tjetër, autoritetet në Prishtinë, përkatësisht Qeveria në largim e Kosovës, kishte deklaruar në vazhdimësi se taksa 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk paraqet pengesë për vazhdimin e dialogut, por pengesa qëndron në mungesën e gatishmërisë së Serbisë për ta njohur Kosovën.

Tani, mbetet të pritet se çfarë qëndrimi në raport me taksën do të marrë Qeverie e re e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat pritet të formojnë qeverinë e re, kanë paralajmëruar si mundësi zëvendësimin e taksës me vendosjen e masës së reciprocitet të plotë ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës./REL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu