• |
ide | kryesore

Vetëvendosja: Vuçiç nuk vendos për shqiptarët. Më 28 Nëntor ecim të bashkuar në Tiranë

Arkiva, Lajme, Të fundit

Nga qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë


Vuçiç nuk vendos për shqiptarët – më 28 Nëntor ecim të bashkuar në Tiranë 


Marshimi paqësor qytetar i datës 28 Nëntor në Tiranë, i organizuar nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE ! në Shqipëri, i paska shqetësuar propozuesit e idesë së “Mini-Schengenit”. Së fundmi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shprehur kërcënueshëm ndaj këtij aktiviteti publik.

Pse duhet ta shqetësojë Vuçiçin një aktivitet paqësor, që kërkon, ndër të tjera, zbatimin nga Tirana zyrtare të marrëveshjeve që ajo i ka lidhur me Prishtinën zyrtare? Ndoshta Vuçiç dëshiron dhe kërkon që Shqipëria të mos i zbatojë marrëveshjet e saj me Kosovën, siç ai vetë nuk ka zbatuar detyrimet që lindin nga marrëveshjet e Kosovës me Serbinë.

Vuçiçi nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Shqipërisë, e as të Kosovës. Nuk i përket atij të komentojë marrëveshjet e rregullta të dy shteteve të pavarura shqiptare. Ne e kuptojmë se nga perspektiva e tij prej ish-ministri të Millosheviçit dhe ish-sekretari të Sheshelit, Kosova është ende nën zgjedhën e Serbisë. Mirëpo, për Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj Kosova është e pavarur dhe sovrane, e njohur nga shumica e demokracive të zhvilluara perëndimore, dhe në aleancë me to. Vuçiçi dhe gjithë politikanët e tjerë shovenë, nuk mund ta zhbëjnë këtë realitet. As nuk mund ta evitojnë njohjen e Kosovës me formula si “Mini-Schengeni”. Është në të mirën e qytetarëve të Serbisë që qeveria në Beograd të përqendrohet në respektimin e demokracisë dhe të drejtave të minoriteteve në vendin e tyre, si dhe të kultivojë marrëdhënie të mira me fqinjët duke normalizuar vetveten. Një shtet si Serbia, i cili nuk pranon dhe nuk kërkon falje për krimet e veta në Kosovë, ku ka vrarë në vitet 1990 mbi 1000 fëmijë, rreth 12.000 civilë, e ku kanë përdhunuar rreth 20.000 gra dhe kanë djegur e rrënuar mbi 120.000 objekte, dhe që ende, tani e 20 vjet fsheh gjurmët e krimit për mbi 1600 persona të pagjetur, është një shtet që nuk e do drejtësinë dhe e mbron krimin, një shtet që mban peng të ardhmen e vet dhe të qytetarëve të vet.

Parimi i vetëvendosjes së popujve kultivohet e zbatohet nga brenda në përputhje me demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Vuçiç, me ndërhyrjet e tij kërcënuese nga jashtë, nuk është person i dëshiruar në Shqipëri, dhe aq më pak ka ai të drejtë të flasë në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në datën 28 Nëntor, për Ditën e Flamurit, në Tiranë, në orën 12:00, tek Monumenti i heroit kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, me 16 kërkesat që janë bërë publike, ne marshojmë drejt monumentit të “Adem Jasharit” për të bashkuar kauzat e për integrim të mëtejshëm kombëtar drejt bashkimit. Gjejmë rastin t’i ftojmë edhe një herë qytetarët të ecim së bashku në solidaritet.

Tiranë, 25 nëntor 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

2 Comments

  1. E keqja po ju vjen po aq nga Vucic, aq sa dhe nga Rama. Mos i jepni frymemarrje Rames ,as sepse duhet respektuar si Kryeminister. JO ,cdo dite me shume e tij ne pushtet, me keq per Shqiperine dhe Kosoven,

  2. Bravo Albin. Hajde edhe ketu e hapu gropen ketyre bythqirave politikan qe kemi. Horra e mafjoza tradhetar e antikombetar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu