• |
ide | kryesore

I FUNDIT/ Shkon në 8 numri i viktimave nga tërmeti

Lajme, Të fundit



Thellohet bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që godit vendin natën e kaluar. Deri në këtë moment janë konfirmuar 8 qytetarë, që kanë humbur jetën, por flitet edhe për 2 të tjerë që ende nuk janë konfirmuar.
Goditja kryesore e tërmetit u shënua në orën 3:55 minuta dhe ishte e magnitudës 6,3, me thellësi 10 km dhe me epiqendër në Durrës.

Një tjetër goditje kryesore e shkallës 5.5 Rihter dhe epiqendër në Kepin e Rodonit, u shënua pas goditjes së parë, ndërkohë që prej atij momenti janë shënuar mbi 100 goditje dytësore dhe situata mbetet ende aktive.
Durrësi dhe Thumana janë dy lokalitetet e goditura më rëndë. Me dëme të mëdha materiale e tragjikisht edhe me 8 jetë të humbura, 4 në Durrës, 2 në Thumanë, një në Lezhë dhe një rast në Kurbin, siç konfirmohet deri në këto momente sipas informacioneve paraprake.

Në të gjitha këto zona, në të gjitha godinat e shembura vazhdon puna e kërkim – shpëtimit. Operacionet tejet të vështira, ku duhet punuar ngadalë pasi ekziston një rrezik shumë i madh që godinat të pësojnë shembje ose rrëshqitje të mëtejshme, duke rrezikuar jo vetëm banorët që mund të jenë të bllokuar, por edhe forcat e shpëtimit.

Janë 400 efektivë të Forcave të Armatosura aktualisht në terren, por e gjithë ushtrua ka kaluar tashmë në gjendje gatishmërie të plotë. Janë mbi 1000 efektivë të Policisë së Shtetit në gatishmëri dhe disa qindra personel mjekësor, por është një situatë e rëndë, qoftë për shkak të numrit të madh të godinave të dëmtuara, qoftë për shkak të shtrirjes së tyre gjeografike.

Mësimi sot në të gjitha shkollat, universitetet, kopshtet e çerdhet është pezulluar dhe do të vazhdojë i pezulluar edhe nesër. Është një mundësi që familjet të mblidhen së bashku për të siguruar sidomos më të vegjlit që e kanë vuajtur më shumë situatën e frikës e traumës.

Por është edhe një mundësi që studentët nga qytetet e tjera të Shqipërisë që studiojnë në Tiranë e Durrës, të mund të kthehen pranë familjeve të tyre sepse e kuptojmë fare mirë ankthin e frikën që ka ndjerë sot çdo familje që ka të afërm veçanërisht në Durrës, Lezhë apo Tiranë. Rezultojnë deri tani 135 të lënduar dhe 12 shtrime të konfirmuara në spitalin e Durrësit. 60 të shtruar në QSUT, por rastet janë duke u shtuar.

Fatkeqësisht, operacionet e kërkim shpëtimit vazhdojnë dhe janë ende një numër qytetarësh që mendohet se ndodhen nën rrënojat e disa godinave të shembura në Durrës. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *