• |
ide | kryesore

Reportazh/ Durrësi nën pushtetin e pasigurisë për të ardhmen

Arkiva, Kryesore



Nga Aleksandra Bogdani, Gjergj Erebara 

Në kryqëzimin e rrugës “Hysen Kërtusha” në qytetin e Durrësit, një duzinë banorësh qëndrojnë në këmbët e një pallati të lartë dhe të rrethuar si në një skenë krimi, me shirit të hollë policie. Një pirg me inerte gjendet në hyrje të shkallës, ndërkohë që muret në brendësi të tij janë shkërmoqur dhe zhgarravitur nga të çarat e thella të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Nuk ka ardhur askush ta kontrollojë,” thotë i shqetësuar Ilir Stafasani, kryefamiljar dhe baba i tre fëmijëve. Me një telefon në dorë dhe gishtin tregues drejt apartamentit të tij të dëmtuar, ai u ankua se kishte njoftuar që të martën në mini-bashki për dëmet e pësuara. Gjashtë ditë më vonë, askush nuk është bërë i gjallë.

Si shumë durrsakë të tjerë të tronditur nga lëkundjet e vazhdueshme të tokës, Stafasani u largua për pak ditë me familjen në drejtim të Kosovës. Por rikthimi në shtëpi e përballi burrin rreth të 50-ave me një tjetër frikë; ai rrezikon të jetë një ndër qindra të pastrehët e rinj të qytetit të Durrësit.

Pas braktisjes masive që pasoi tëmetin me magnitudë 6.4 Rihter të mëngjesit të 26 Nëntorit, banorët e Durrësit u rikthyen të hënën në një qytet të rrethuar anekënd me shirita policie dhe të pushtuar nga pasiguria për të ardhmen. Dhjetra pallate shumëkatëshe janë shenjuar paraprakisht si të pabanueshme, por grupet e vlerësimit duket se e kanë të pamundur të mbërrijnë në kohë në secilin prej tyre.

Sipas një njoftimi të Operacionit të Menaxhimit të Fatkeqësive, në bashkinë e Durrësit u inspektuan të hënën 378 objekte, nga të cilat 150 u konsideruan të pabanueshme dhe 21 të tjera u shenjuan për t’u prishur.

Ekipet e verifikimit duket se janë megjithatë ende larg bilancit përfundimtar.

BIRN vëzhgoi një numër të madh pallatesh ende të painspektuara, brenda në qytet dhe në konglomeratin e ndërtimeve kaotike përgjatë plazhit, ndërsa bisedoi me dhjetra banorë të irrituar nga vonesa e kontrolleve dhe frika se do të mbeteshin në listën e të harruarve.

Banorët qëndrojnë të grupuar rreth pallateve të tyre, duarbosh dhe mosbesues, ndërkohë që presin nga autoritetet ose vlerësuesit që të dokumentojnë dëmet e tyre. Të munguarit e mëdhenj të kësaj krize duket se janë ndërtuesit e pallateve të dëmtuara.

Në pritje të vlerësimit  

Një ekip ekspertësh francezë dhe shqiptarë në katin e parë të kompleksit Jedas në Durrës. Foto: Gjergj Erebara.

Tërmeti i 26 nëntorit konsiderohet më i rëndi në dekadat e fundit dhe shkaktoi 51 të vdekur dhe qindra të plagosur në rajonin e Durrësit, të Krujës dhe Laçit. Tërmeti solli gjithashtu një valë shkatërrimi në këto qytete, duke lënë pas mijëra familje të pastreha dhe një mori pikëpyetjesh mbi standardin e ndërtimeve në vend.

Pallatet me faqe muri të rrëzuara, shkallë të shembura dhe kolona të anuara në Durrës i përkasin përgjithësisht dekadës së fundit –ku sektori i ndërtimit i shtriu kantieret e veta në pothuajse çdo cep të vendit. Rrotull tyre, një bllok masiv pallatesh parafabrikate të kohës së komunizmit nuk ka asnjë shenjë të dukshme nga tërmeti vdekjeprurës.

Në rrugën “Neki Libohova” në Durrës, një pallat i kuq 10-katësh –strehë për rreth 150 familje është rrethuar gjithashtu me shirit, ndërkohë që një furgon policie përpiqet të pengojë banorët që të futen brenda tij.

Në anën tjetër të rrugës, Sami Gjoni, një 77 vjeçar shtatpakët shikon me trishtim apartamentin e tij në katin e tretë, ku mungon një faqe e tërë muri.

“Ishte fati ynë që nuk ishim këtu, sepse do të kishim vdekur brenda,” thotë Gjoni, ndërsa tregon me shqetësim se e gjithë shtëpia është e shkatërruar, ndërsa muri i komshiut kishte rënë mbi shtratin e të birit.

Natën e tërmetit, Gjoni bashkë me familjen ndodhej në Modena të Italisë, tek e bija. Kur të tjerët po largoheshin nga të mundeshin nga Durrësi, ai u kthye bashkë me familjen për të kontrolluar dëmet.

Pritja e tejzgjatur për grupet e vlerësimit mban në ankth Gjonin dhe fqinjët e tij, të cilët mblidhen menjëherë në dhjetra sapo shohin dikë që i afrohet pallatit. Ndërsa pohojnë se kanë futur prej ditësh në mini-bashki dokumentet e tyre dhe hipotekat e apartamenteve, ankohen se nuk i ka takuar ende askush.

“Kemi dalë me vrap nëpër tulla dhe llaç,” thotë fqinji i Gjonit, një 70 vjeçar me kasketë në kohë dhe duart e zhytura nga i ftohti në xhepat e palltos.  Ai tregon se pas lëkundjes u shkëput edhe energjia elektrike dhe për të dalë jashtë bashkë me të shoqen, e ndihmoi një elektrik me bateri mbi komodinë, që e përdor zakonisht për të gjuajtur peshk natën.

Banorët e pallatit të pabanueshëm në rrugën “Neki Libohova” besojnë se godina ka dëmtime të forta të strukturës dhe i druhen një përgjigjeje të kundërt nga grupet e vlerësimit.

“Nuk kemi besim tek vlerësuesit, vetëm tek ndërkombëtarët që kanë aparatin,” thotë i moshuari, i rrethuar nga fqinjë të tjerë që jetojnë me ankthin afatgjatë të strehimit.

Rreth 500 metra në thellësi të rrugës “Neki Libohova”, në oborrin e ngushtë të një kompleksi gjigand 12-katësh në rrugën “Dalip Peza” janë mbledhur qindra vetë me sytë e ngulur te lëvizjet e grupit të vlerësimit.

Kompleksi është ndërtuar nga kompania “Jedas” vetëm dy vjet më parë dhe është kolauduar dhe hipotekuar ende pa përfunduar ndërtimi i katit të parë, ku duken së largu kolonat e plasaritura.

Një ekip inxhinierësh francezë, zviceranë dhe shqiptarë lëvizin brenda perimetrit të rrethimit me kaska në kokë dhe apartatura në duar. Banorët gumëzhijnë kokë më kokë në pritje të një përgjigjeje.

Gëzimi, ekonomist në pension i tha BIRN se apartamentin e tij në katin e tetë e kishte blerë vetëm tetë muaj më parë për 50 mijë euro. Bashkë me të shoqen, ai e kujton tërmetin si një natë tmerri.

“Kemi zbritur mbi njëri-tjetrin, pasi nga kati i katërt nuk kishin mbetur më shkallë,” thotë e shoqja, ndërsa shton se pas rikthimit nga Pogradecit rrezikon të mbetet e pastrehë. “Djali shyqyr jeton në një pallat të Enverit dhe nuk patën probleme,” shton ajo.

Tensioni është i lartë mes banorëve, të cilët irritohen nga punonjësit e policisë që tentojnë më kot të ruajnë perimetrin. Inxhinierët e Institutit të Ndërtimit besojnë se kompleksi mund të riparohet –pëshpërima që priten me zemërim mes njerëzve.

Një ekspert francez del nga themelet e pallatit dhe i pyetur nga banorët tha se të dhënat do t’ia jepte qeverisë shqiptare.  Në një prononcim të mëvonshëm për mediat, eksperti deklaroi se kolonat e dëmtuara të pallatit mund të riparohen.

Të martën, konkluzionet e inxhinierëve të huaj ishin më të qarta. BIRN mësoi se nga 45 pallate të inspektuara nga një ekip verifikimi, asnjëri prej tyre nuk rezultonte me dëmtime të strukturës.

Burokraci në Bashki

Banorët e prekur nga tërmeti duke kërkuar strehë provizore në Bashkinë e Durrësit. Foto: Gjergj Erebara.

Në sheshin para Bashkisë së Durrësit, një grup vullnetarësh qëndrojnë në pritje të qytetarëve të pastrehë, ndërkohë që këta të fundit ngjisin shkallët drejt një zyrë të katit të parë, të shënuar si “Këndi i BE”.

Në katër sportelet e zyrës dynden dhjetra njerëz, të cilët kërkojnë një strehë provizore deri në zgjidhjen e çështjes së shtëpive të tyre të dëmtuara. Procedurat janë megjithatë burokratike; njerëzit duhet fillimisht të marrin një vërtetim në mini-bashki “për efekt strehimi” dhe më pas i drejtohen Bashkisë për t’u caktuar hotelin.

Pas ditësh të tëra rraskapitje, qytetarët e Durrësit duhet të përballojnë dy herë radhët e gjata dhe disa orë pritje përpara se të zhvendosen drejt hoteleve të kontraktuara nga qeveria.

“Po pres se ku do të na caktojnë,” thotë Sheqere Kokoshi, e sëmurë me diabet dhe e ulur në një karrige, ndërsa dhjetra njerëz hyjnë dhe dalin në bashki me letra në duar. Në murin pas shpatullave të saj varen dhjetra letra të formatit A4 me emrat e të pastrehëve të rinj të qytetit të Durrësit. Disa prej tyre kanë të shënuar me shkrim dore edhe emrin e hotelit.

Sheqerja i tha BIRN se shtëpia e saj në lagjen 12 të Durrësit është shkatërruar e gjitha dhe se bashkë me të shoqin, shkuan fillimisht të strehoheshin në palestrën e një shkolle. Për shkak të problemeve me shëndetin, gruaja shton se nuk e përballoi qëndrimin dhe u largua për disa ditë tek i vëllai në Lushnje.

Si dhjetra njerëz të tjerë, ajo kërkon një strehë afatgjatë, deri në riparimin e shtëpisë.  Sipas zv.ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, deri të hënën në drekë ishin strehuar 1100 persona në komplekset turistike të zonës së Golemit, ndërsa numri i tyre vazhdonte të rritej.

“Secili qytetar që ka një banesë në të cilën nuk banon dot, shkon te njësia bashkiake, merr një vërtetim që banesa e tij është e pabanueshme. Pas kësaj me një letërnjoftim shkon në Bashkinë e Durrësit, ku kemi vendosur njerëz të cilët i transportojnë në mënyrë të organizuar në hotele”, tha Çuçi për BIRN, zgjidhje e cila u kritikua si sorollatëse nga disa prej banorëve me të cilët foli BIRN.

Dhjetra banorë të tjerë në zonën e plazhit ankohen se ministria nuk po i lejon të qëndrojnë në hotelin përballë shtëpive dhe bizneseve të tyre, ndonëse kanë siguruar tanimë të gjitha dokumentet në bashki. Ata shprehin shqetësimin se zhvendosja larg zonave të tyre, në vend që t’i lehtësojë, po ua vështirëson jetën.

“Ky pallat të shkulet”

Një pallat i dëmtuar në kryqëzimin e rrugës “Hysen Kërtusha” me rrugën “Neki Libohova”.

Foto: Gjergj Erebara.

Ndryshe nga zonat e tjera të Durrësit ku banorët nuk dinë ende se çfarë të bëjnë, në tre pallate të rrethuara përballë spitalit rajonal të qytetit në lagjen 18, njerëzit i janë futur punës për të nxjerrë ç’të munden nga apartamentet e shkatërruara.

Në trotuarin përballë një pallati 4-katësh të ndërtuar me punë vullnetare në vitet ’80, një kamionçinë në ngjyrë portokalli është e mbushur rrëmujshëm me divanë dhe oriendi shtëpiake. Një burrë rreth të 50-ave, i veshur me kanotiere tenton të shpëtojë me një kaçavidë në dorë pajisjet shtëpiake të nxjerra nga shtëpia e së motrës.

“Nuk ka ardhur ende askush, por pallati është për t’u shkatërruar,” thotë ai, ndërsa bisedon njëkohësisht me dy punëtorë që po zbresin nga shkallët e shkatërruara, dërrasa dollapesh dhe dyer të hequra nga muret.

Ngjitur me pallatin e vjetër, një 8-katësh i ndërtuar pas viteve ’90 është zhvendosur sipas banorëve me disa centimetra, duke krijuar një hapësirë të bollshme nga pallati fqinj me të cilin ndodhej i puthitur.

Shkallët janë të mbushura me copa tullash dhe muresh, ndërsa në katin e dytë shikon lirshëm dhomën e ndenjes së katit të parë dhe një abazhur të lirë që varet ende në tavan.

“Pallati ka dalë nga këndi, është përplasur me pallatin tjetër,” na thotë një djali i ri, i veshur me kostum sportiv dhe një kapele në kokë. “Marrim në telefon mini-bashkinë, por nuk na përgjigjet asnjeri,” shton ai.

Fqinji i tij Qazim Qato, 63 vjeç dhe babai i dy vajzave, vjen gjithashtu vërdallë pallatit, i veshur me uniformën e një kompanie private sigurie, ku edhe punon. Ai i tha BIRN se shtëpinë e kishte blerë pasi kishte punuar për 20 vjet në ndërtim në Greqi, por nuk kishte më asnjë shpresë se pallati mund të riparohej.

Si shumë bashkëqytetarë të tij në Durrës, edhe Qato kërkon sa më parë ekpertët e huaj, por pret në këmbim vetëm një përgjigje.

“Do të ishte fatkeqësi nëse na thonë hyni brenda. Duam ndihmë që ky pallat të shkulet,” përfundon ai.

Banorë të pallateve në rrugën e spitalit, duke ngarkuar mobiljet nëpër kamionë. Foto: Gjergj Erebara.



7 Comments

  1. Krietari iku ne NATO te na qaje hallin. Iku po mendja i mgeli mbrapa. Meqe keto njady dite nuk do me shihni mbani zi e mos e.ndizni televizorin. Se pa mua televizori behet qenefizor. E di se nuk rrini dot pa mua por une i mbatha atletet i vesha brekushet e shtrengova kollaren qe kete radhe ka dizenjon e tetris dhe ne xhep kam futur nje cekan. He si thoni do me rezistoje dot Anxhela?

  2. Ky Berati i nerit julit fax mendjen e kane te rama se nuk rrine dot pa palloshin e tij e duan per dite,por nato i pengoje,duroni se vjen me i forte se kur iku,meruni me shishet e shurres se salihut

  3. Ja paske provuar ate te salihu por nuk je kenaqur o shpellkar,nato mbaroje provoje te rames qe te kenaqesh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *