• |
ide | kryesore

Publikohen këngët pjesëmarrëse në festivalin e RTSH (Video)

F1, Paparazzi



Ndryshe nga ç’ishte parashikuar, këngët pjesëmarrëse në Festivalin e Këngës janë publikuar më parë. Listën e ndiqni në vijim:

1. Kanita – Ankth

Kanita prezantohet më një baladë, teksti i të cilës është realizuar nga Lindon Berisha, ndërsa muzika nga Boban Apostolov.

2. Albërie Hadërgjonaj – Ku ta gjej dikë ta dua

Ashtu si Kanita, edhe Albëria qëndroi në një terren të sigurt për të. Për këngën, Albërie bashkëpunoi me Timo Fllokon që shkroi tekstin dhe Adrian Hilën për muzikën.

3. Elvana Gjata – Me tana

“Me tana” prezanton Elvanën si kantautore, duke qenë se teksti dhe muzika është shkruar nga vetë këngëtarja. Kënga nis si baladë, por më pas shndërrohet në ritmike.

4. Aldo Bardhi – Melodi

Pjesëmarrës në konkurse si “X Factor” dhe festivale si “Kënga Magjike”, Aldo Bardhi prezantohet me një këngë të shkruar nga ai. Muzika u realizua nga Antoni Polimeni dhe Richy Sebastian.

5. Olta Boka – Botë për dy

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision 2008 rikthehet këtë herë në Festival me një baladë, të shkruar nga Genc Salihu dhe kompozuar nga Florent Boshnjaku.

6. Nadia & Genc Tukiçi – Ju flet Tirana

Kompozitori, këngëtari dhe pianisti Genc Tukiçi konkurron në Festival me të bijën, Nadian. Teksti i “Ju flet Tirana” është shkruar nga Agim Xheka, ndërsa muzika nga Tukiçi.

7. Sara Bajraktari – Ajër

Sara Bajraktari, e cila u vlerësua së tepërmi nga juria gjatë prezantimit të saj në “Këngën Magjike”, vjen në Festivalin e Këngës me një “Ajër”, shkruar dhe kompozuar nga Adrian Hila.

8. Valon Shehu – Kutia e Pandorës

Valon Shehu, që prej vitesh i qëndron besnik festivale, prezantohet me “Kutia e Pandorës”, muzika e së cilës është realizuar nga Eugent Bushpepa, fituesi i Festivali të Këngës dy vite më parë. Teksti i këngës u shkrua nga Elvis Preni.

9. Kastro Zizo – Asaj

Pas “Këngës Magjike”, Kastro Zizo rikthehet sërish në një festival. Për tekstin dhe muzikën e “Asaj” u kujdes vetë këngëtari, në bashkëpunim me Gramoz Kozelin.

10. Tiri Gjoci – Me gotën bosh

Me tekst të Pandi Laços dhe muzikë të Everest Ndrecës, Tiri Gjoci prezantohet në Festival me “Me gotën bosh”.

11. Robert Berisha – Ajo nuk është unë

Ndonëse kënga u aludua si dedikim për Norën, Roberti sqaroi se teksti u shkrua nga Fifi, që po ashtu mori përsipër edhe muzikën. Ai thjesht e këndon, pra nuk ia dedikon askujt.

12. Wendi Mancaku – Ende

Wendi, e cila u vlerësua vitin e kaluar si “Artistja e re më e mirë” në “Këngën Magjike”, vjen në Festivalin e Këngës me “Ende”, me tekst të Endrit Mumajesit. Për muzikën, Wendi u kujdes vetë.

13. Renis Gjoka – Loja

“Loja” është kënga e Renisit, i cili nuk merr pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës. Muzika u realizua nga Renisi, ndërsa teksti nga Ilir Krasniqi.

14. Gena – Shqiponja e lirë

Gena prezantohet me një këngë dedikuar shqiponjave, pra popullit shqiptar. Teksti u shkrua nga Endrit Mumajesi, ndërsa muzika nga Gena.

15. Kamela Islamaj – Më ngjyros

“Më ngjyros ti shpirtin nëse zgjohem” thotë Kamela në një pjesë të këngës, teksti i të cilës është shkruar nga Megi Hasani.

16. Era Rusi – Eja merre

Era Rusi prezantohet me një kompozim të Darko Dimitrov. “Eja merre”, ndryshe nga pjesa më e madhe e këngëve që janë baladë, vjen ritmike.

17. Eli Fara & Stresi – Bohem

Eli Fara dhe Stresi konkurrojne me një tekst të Rozana Radit. Muzika e “Bohem” u realizua nga Eli Fara.

18. Devis Xherahu – Bisedoj me serenatën

Devis merr pjesë me “Bisedoj me serenatën”, me tekst të Jorgo Papingjit.

19. Bojken Lako – Malaseen

Bojken prezantohet me një prodhim të vetin, nga teksti te muzika.

20. Arilena Ara – Shaj

Ashtu si Era, edhe Arilena iu drejtua sërish kompozitorit Darko Dimitrov, i cili bashkëpunoi me Lazar Cvetkovski. Teksti u shkrua nga Lindon Berisha.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *