• |
ide | kryesore

Flamurtari nuk ka pikë, por rrezikon të mos ketë as lojtarë

Sport



Sezon më të vështirë nuk mund të gjesh në historinë e Flamurtari. Jo vetëm rezultatet, apo ecuria skandaloze në kampionat me vetëm pesë pikë pas 14 javësh, por tashmë skuadra ka nisur të firojë. Të larguarit tashmë nga kuqezinjtë janë bërë tre, por numri mund të rritet me shpejtësi e situata është më shqetësuese po të mendosh, që lojtarët e kanë bërë këtë zgjedhje ende pa u hapur dritarja e merkatos.

Fillimisht ishte mesfushori Semir Bajraktarevic, i cili u largua nga Flamurtari: ironi e fatit sepse boshnjaku ishte afrimi i parë gjatë merkatos së verës për vlonjatët. Bajraktarevic nuk dha asnjë shpjegim lidhur me largimin nga Flamurtari, por nuk është e vështirë të kuptohet se shkak ishin pikërisht financat. Gjë që u konfirmua me arratinë e dy futbollistëve të tjerë pak dita para ndeshjes në Lac. Kosovari Lirim Mema, i cilësuar si një nga lojtarët më cilësorë të afruar gjatë verës, pjesë e kombëtares U 21 të Kosovës, bashkë me Bajram Nebihi nuk janë më pjesë e vlonjatëve, duke shprehur hapur katastrofën financiar ku nuk paguhen që nga nënshkrimi i kontratës. Një dramë e përjetuar në Vlorë: Nebihi deklaroi se edhe qeranë e shtëpisë e ka paguar nga xhepi, por ndoshta duhet të ishin informuar më parë mbi atë që ndodhi me të tjerët sezonin e kaluar.

Impresioni është se tre dezertorëve mund ti shtohen edhe të tjerë, pasi edhe mbrojtësi grek Jorgo Sarris duket drejt largimit përfundimtar. Kreu i klubit Sinan Idrizi ka deklaruar disa herë se pret ligjin për sportin dhe nëse ky ligj kalon situata do të ndryshojë. Por deri në kalimin e ligjit duhet gjetur një zgjidhje nga administratori aktual apo bashkia e Vlorës. Në të kundërt Flamurtari rrezikon deri edhe shpërbërjen sepse të flitet për objektiva duket se në këtë moment është e tepërt.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *