• |
ide | kryesore

Ku gabohet ambasadori amerikan me Albin Kurtin?

Blog, Ide



Është shumë mirë të jesh ambasador në Kosovë.

Ke pushtet të madh, ndonjëherë edhe vendimmarrës. Shpesh, më tepër se ministrat që dalin nga vota e qytetarëve.

Shqiptari në esencën e etikës së tij etnokulturore krenohet me mikpritjen. Prandaj, diplomatët e vendeve kryesore perëndimore që e ndihmuan pavarësimin e Kosovës – amerikanët, britanikët, gjermanët – patjetër trajtohen me respekt madhështor.

Veçanërisht amerikanët.

Mirëpo, pikërisht një diplomat amerikan me status të përkëdhelur duhet të ketë dyfish më tepër kujdes. Përveç kornizës së rregullatorit diplomatik ligjor të shtetit të tij dhe të Kosovës, ai parimisht duhet të jetë më i vëmendshëm kur është fjala për konfigurimet e brendshme politike. Fuqia e madhe ia imponon këtë qasje delikate.

Nëse e dënon dhunën në politikë, këtë duhet ta bëjë në mënyrë konsistente, e jo ta amnistojë kur t’i konvenojë; nëse kërkon transparencë e paanësi nga mediat dhe shoqëria civile ndaj partive, interesave apo grupeve të caktuara, së pari duhet vet të jetë shembull i objektivitetit në raport me faktet.

E lexova intervistën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, dhënë Gazetës Express.

Ambasada Amerikane e paska marrë betimin e Kryeministrit në Ardhje se do të konsultohen dhe të merren vesh për çdo gjë të rëndësishme. Dhe se dhuna politike është pjesë e së kaluarës. Lajm i mirë për Isa Mustafën.

Në pjesën qendrore të intervistës, më shumë se një diagnozë e thjeshtë për një ambasador ndaj një lideri politik, dalin edhe këshilla, sugjerime, pse jo edhe instruksione të qarta se si duhet të sillet qeveria e preferuar nëse s’dëshiron të ketë telashe me amerikanët.

Intervista e meriton një analizë të vëmendshme.

Kosnett duket se ka marrë garancitë, prandaj konstaton: “Albin Kurti është njeri shumë inteligjent dhe shumë i pjekur“.

Vlerësim populist i nivelit që më së pari do të duhej ta shqetësonte vet Albin Kurtin.

Më tej thotë: “Unë jam i sigurt se ky koalicion do të formohet efektivisht”. Është i bindur se qeveria është e gatshme.

Por, kur pyetet nëse VV dhe LDK  “do ta zgjidhin problemin rreth pozitës së Presidentit”, respekton protokollin si azil: “Nuk mendoj që më bën mirë mua që si ambasador i huaj në këtë fazë të analizoj dhe të jap opinione për këtë”.

Sidoqoftë, nuk mungon disponimi pozitiv i bazuar në njohuritë që ne si publik s’i dimë: “Jam i bindur se dy partitë do të gjejnë zgjidhje për këtë”.

Lëvdatat e paargumentuara bëhen absurde kur prej tij kërkohet decidivisht profilizimi i Albin Kurtit. Ai nuk e thotë asnjë fjalë për raportet e deridjeshme, tejet problematike dhe të tensionuara, mes Kurtit/Vetëvendosjes dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë, por përqendrohet vetëm në potencialin pozitiv për ndryshim të koalicionit të mundshëm. Besimi i tij më shumë përmban instruksione sesa siguri se do jetë ashtu siç i kanë premtuar:

“Mendoj se z. Kurti e di shumë mirë për rolin që e luan një lider i opozitës për të sfiduar ide dhe për të krijuar politika është i ndryshëm nga roli që e luan si një kryeministër i shtetit, ku të duhet t’i bësh bashkë të gjithë në frymën e bashkimit shtetëror. Ai është njeri shumë inteligjent dhe shumë i pjekur. Ai ka bërë të qartë se Vetëvendosje ka lënë dhunën politike në të kaluarën. Është një parti e re, është një epokë e re. Pres me padurim për të punuar me të, ashtu siç kam punuar dhe bashkëpunuar me liderë të tjerë të partive politike në këtë shtet”.

Mirëpo, nuk është kaq e thjeshtë.

Kurti nuk do ta pranojë Listën Serbe në qeveri. Kështu është deklaruar disa herë. Ndërkaq Kosnett shprehet: “Mendoj se Lista Serbe është një realitet politik… Po, Beogradi ka shumë ndikim në Listën Serbe”.

Qëndrimet e tij dalin diametralisht të kundërta me ato të Kurtit, apo ndoshta edhe këtu ka ndonjë premtim të ri të Kryeministrit në Ardhje që ka të bëjë me “pjekurinë”?

“Është e rëndësishme për SHBA’në që liderët politikë, të gjithë liderët politikë të Kosovës, të mos mendojnë vetëm për përkatësitë etnike të tyre, por për identitetin shtetëror të tërë vendit”, thotë Kosnett.

Sërish dallime të mëdha mes tij dhe Kurtit – veçanërisht nëse merret në konsideratë ikonografia e VV-së gjatë fushatës zgjedhore – dalin në pah edhe kur Ambasadori Amerikan i jep prioritet identitetit shtetëror në raport me atë etnik.

Optimist i informuar del Kosnett edhe atëherë kur flet për bashkëpunimin e ardhshëm mes Kurtit dhe Thaçit: “Nuk kam asnjë dyshim se z. Kurti, kur të bëhet kryeministër, do të ndërtojë një marrëdhënie profesionale dhe konstruktive me presidentin Thaçi”.

Vlerësimi i tij për ecurisë e deritashme të dialogut dallon katërçipërisht prej atij të Kurtit: “Puna që është bërë deri tani mes Presidentit Thaçi dhe Presidentit Vuçiq nuk duhet të injorohet dhe të hidhet anash”.

Duket se Ambasadori s’e paska dëgjuar Kurtin kur ka deklaruar se “nuk do të ngutet me angazhimin në Dialog”, sepse “nuk është prioritet”, prandaj vazhdon me instruksionet:

“Ne do të donim të shihnim dy qeveritë në vijën e fillimit sa më shpejt që është e mundur, sa të formohet qeveria e Kosovës. Dhe pastaj ne duam t’i shohim ato duke arritur në vijën e cakut”.

Është krejtësisht i qartë synimi i Ambasadorit Kosnett.

Ai dëshiron që t’i largojë të gjitha dyshimet publike për ndonjë rezervë eventuale amerikane ndaj Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe t’ua dëshmojë qytetarëve kosovarë përkrahjen e madhe aktuale për fituesin e zgjedhjeve.

Injorimi i çështjeve problematike e fuqizon edhe më shumë këtë perceptim.

Kosnett i drejtohet Kurtit, duke ia ofruar i pari publikisht dorën e mirëbesimit për rrugën e vështirë që i pret, plotësisht i vetëdijshëm për hendekun e madh politik dhe ideologjik që qëndron si pikëpyetje e madhe mbi raportet e Ambasadës Amerikane me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai dëshiron që – në mënyrë indirekte – t’i bëjë presion publik liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e ditur se përkrahja politike amerikane është një aset që çmohet jashtëzakonisht nga qytetarët kosovarë, të cilët e sanksionojnë elektoralisht mosshfrytëzimin e tij.

Problemi nuk mund të jetë tek vullneti dhe gatishmëria e Ambasadorit Kosnett për të bashkëpunuar me njeriun më të votuar në Kosovë, por te tentimi i pabazuar për ta na e prezantuar një “Albin Kurti të ri, që ka ndryshuar shpejt”.

Kjo formë e lëvdatave me bollëk, ende pa u krijuar qeveria dhe me shumë paralajmërime që janë në kundërshtim me planifikimet amerikane, nxit dyshime për qëllimet e fundme.

Një lider politik i përmasave të Albin Kurtit nuk ndryshon shpejt.

Këtë do ta kuptojë edhe Ambasadori Kosnett.

Nëse vërtet ende nuk e ka kuptuar.

Klan Kosova



9 Comments

  1. O Baton o bole, amerikanet thjesht po respektojne voten e Kosovareve. Kur lavderojne Albinin, lavderojne ato qe e zgjodhen. Albini u zgjodh se eshte ky qe eshte, pavarsisht se as mua nuk me pelqejne shumica e atyre qe thote. Per Amerikanet Albini do ishte zgjedhja e fundit, por cfare te bejne sipas teje? Te ndryshojne kushtetuten dhe t’I japin kompetencat Thacit se e ke qejf ti dhe sepse eshte me I bindur ndaj tyre? Leri idiotesite dhe bej ate qe ben me mire: germo kanale te nendheshme per te mberritur tek Kurti se Thaqi eshte karte e djegur

  2. po komentoj vec fjaline e fundit, ndonese nuk duhet te komentohet nje fjali, por konteksti. albini nuk duhet te ndryshoje, pasi per ate eshte votuar, per te mos ndryshuar. inshallah nuk ndryshon…

  3. Pse ky padurim per te kritikuar Albinin o Baton? Ke kohe boll! Analizoje kur te qeverise si kryeminister e pastaj na i perserit keto rrjeshta sa me siper! Je shume thjesht i kuptushem o Baton!

  4. Edhe “gazetaret serb” do t’a kishin zili,kete shkrim.Ketij lloj Batoni,shume po iu dhimka Lista serbe,menjanimi nga bisedimet me serbet,I Presidentit,,popullsia jo etnike,ne Kosove,ndersa VV ja paska fut friken,ende pa fillu punen.Por mos u tremb,mor Baton,se sido qe t’vije puna,nuk do t’begenis njeri,e vecanerisht qeveria e re,t’merret me nje serb-si ty ( e thashe gabim,ti nuk je serb-me sa dime nga origjina jote,por je nje mercenary,dhe I shume paguar I serbise),qe paturpesisht flet per cilindo,perpara se vete ata Cilitdoqofshin,te flasin vete.Po,per krimet e Racakut,nuk na dhe nje fjale,se ke qene edhe vete,si deshmitar,ne vend,bashke me disa te tjere (nderkombetare I ke quajtur ti),dhe lidhjet telefonike I beje me sistemin satelitor (perseri,sikunder vete I ke deklaruan ne shkrimet e tua).Shefi yt (ai I madhi-Vucici),nuk t’ka dhane akoma ndonje sinjal,apo pret porosi,nga shefi -po I yti,I vogel-Rama?

  5. Baton,Klan-Kova,nuk besoj se do t’ta preke,qeverija e re.Por jam I sigurte ,qe ti do I kesh marre masat,per me hap nje tjeter Klan Serbia (ose Beogradi),se nuk je edhe aq budalle,te mos kuptosh se Klani,sido qe te jete,nen patronazhin tend,ne Kosove,nuk perputhet me pritshmerine e kosovareve.

  6. Nga Enver Bytyçi – 18:40, 13/12/2019
    Më tërhoqi vëmendjen një intervistë e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, në Radion prestigjioze ‘DW’ dhe një koment i Baton Haxhiut në ‘Express’! Albini thjesht shprehte qëndrimin e tij politik në funksionin e kryeministrit, ndërsa Batoni i hakërrehej ambasadorit amerikan, Kosnett, pse ky i fundit promovoi zotin Kurti dhe bekoi koalicionin midis VV dhe LDK-së!

    Duket se bota rrotullohet edhe në fushën e pikëpamjeve e ideve rreth interesave vetjake të shefit ideologjik të Hashim Thaçit. Batoni duket i revoltuar me zotin Philip Kosnett pse ai paska amnistuar dhunën e Vetëvendosjes gjatë protestave, sidomos atë në parlamentin e Kosovës. E bën këtë sikur hiqet parimor, por ai nuk reagoi në asnjë rast kur Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli rehabilituan Ramush Haradinajn duke e thirr në koalicion e duke i dhënë funksionin e kryeministrit, edhe pse Rambo, njësoj si Kurti, ishte aktiv në hedhjen e bombave Molotov në salllën e pa lamentit të Kosovës.

    Do të ishte e tepërt t’i kujtoja gjithologut Baton Haxhiu, se Joschka Fischer kishte bërë në vitet ‘70 të njëjtën gjë në rrugët e Gjermanisë si Albin Kurti në Kosovë dhe kur u poq si politikan mori në dorë fatet e diplomacisë gjermane. Madje shkëlqeu si një ndër dy shefat më të suksesshëm të diplomacisë së Berlinit në disa dekada. E njëjta gjë ka ndodh me Albin Kurtin dhe ambasadori Kosnett thjesht e ka konfirmuar një fakt të tillë.

    Nga kjo rezulton se komenti anti-Kosnett e me goditje poshtë brezit kundër Albin Kurtit ishte një ligësi, një përpjekje për delegjitimimin e koalicionit qeverisës midis dy partive fituese. Ndërkaq nuk mund të mos vihet re dëshpërimi i këshilltarit të trefishtë, Beograd, Prishtinë, Tiranë, për humbjen e partisë së tij, e cila jo vetëm ka ushtruar dhunë shtetërore me diferencimin politik, si në kohën e inkuizicionit serb në Kosovë, por e ka rjep pasurinë e Kosovës pa asnjë pengesë. Pjesë e rrjepjes dhe dhunës mediatike në funksion të pushtetit të korruptuar të PDK-së së Thaçit është gjithashtu vetë gjithologu qortues i ambasadorit amerikan në Prishtinë.

    Stilistika e shkruar duket moderne, nis me kulturën e mikpritjes së shqiptarëve dhe vazhdon me këshillën në formë qortimi, sipas së cilës ambasadorët, sidomos ai amerikan, britanik e gjerman, do të duhej të mos spekulonin me këtë mikpritje për shkak të kontributit të tyre në luftën për çlirimin e Kosovës. Megjithatë brenda kësaj stilistike në dukje moderne, ai fsheh ligësinë e tij prej provokatori.

    Nga ana tjetër, i sprovuar në betejën mediatike, Baton Haxhiu e konsideron fituesin e zgjedhjeve të 6 tetorit si të padenjë për postin e kryeministrit të vendit. Kjo alibi e tij synon të rehabilitojë politikën e vjetër në Kosovë. Ai lëshoi akuzat e mësipërme kundër ambasadorëve të vendeve mike në momentin kur pa se koalicioni midis VV dhe LDK-së do të bëhet realitet në përmbushje të vullnetit të sovranit. Duke se Batoni dhe miqtë e tij kanë heshtur deri më tash me shpresën se diversionet e tyre kundër këtij koalicioni do të kishin sukses!

    Por jo vetëm kaq! Komenti i shefit real të Hashim Thaçit dhe këshilltarit të Vuçiq e Edi Ramës erdhi menjëherë pas intervistës së Albin Kurtit në radion gjermane ‘DW’! Ishte kjo intervistë që e nxori Batonin në shesh beteje, sepse aty kryeministri në ardhje ka proklamuar qartë tri aspekte:

    Së pari, konsideratat dhe ruajtjen e lidhjeve të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermaninë.

    Së dyti, përcaktimin kategorik kundër çdo diskutimi për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve të Kosovës.

    Dhe së treti, Kurti flet për kapjen e segmenteve të shtetit dhe Haxhiu është pjesë e këtyre segmenteve, edhe pse formalisht nuk ishte pjesë e strukturave shtetërore.

    Nisur nga këta elementë të rëndësishëm të qeverisjes në ardhje duket se Kosovës do t’i vijë ndryshimi i pritur. Kësisoj Batoni përpiqet të evitojë që detashmenti i vjetër të rrezikohet.

    Por qeveria e koalicionit VV-LDK refuzon gjithashtu planet e shefave të Batonit për ndarjen e Kosovës. Le t’i kthehemi edhe një detaji tjetër, si argument i tezës së mësipërme.

    Para dy ditësh presidenti serb, Alesandër Vuçiq, u shpreh hapur për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Madje kërcënoi Gjermaninë, duke ia kundërvënë asaj Rusinë, sa i përket kufijve. Ndaj kësaj deklarate nuk reagoi as Thaçi, as Rama, as Batoni. Ky i fundit, në vend që të shkruante kundër projektit serb të cenimit të territorit të Kosovës, mprehu lapsin për t’i thënë ambasadorit amerikan se ‘po spekulon me mikpritjen e shqiptarëve’! Nuk guxoi e nuk guxon të refuzojë kërkesat absurde të presidentit serb për grabitjen e territoreve të Kosovës. Nuk guxon se ai është promovues i kësaj ideje të çmendur, bashkë me presidentin e Kosovës dhe kryeministrin e Shqipërisë.

    Ka pare dikush të shkruajë Batoni apo të thotë diçka Hashimi e Edi kundër qëndrimeve pro Milosheviçit të Aleksandër Vuçiq?! Ka dëgjuar dikush që Edi Rama në këto pesë vite të adresojë ndonjë kritikë për Beogradin ose shefin e shtetit serb?! E keni dëgjuar Hashim Thaçin ndonjëherë t’i përmend emrin me kritika të drejtpërdrejta homologut të tij serb?! Ai flet rroma për toma kundër ndërkombëtarëve, se këta paskan favorizuar Serbinë përkundër Kosovës. Por nuk e zë në gojë Aleksandër Vuçiq!! Pse? Të tre këta kanë frikë prej tij, pasi Vuçiq u ka dhënë atyre ‘çorbë të prishur’ dhe këta do të duhet të vjellin gjithë jetën vrer kundër shqiptarëve, në mbrojtje të politikave serbe!

    Ky është Batoni! Prandaj i turret Albinit, madje dhe Philiph Kosnett! Nesër do ta shohim se si ka për ta sulmuar Vjosa Osmanin, kur ajo të iniciojë ndonjë rezolutë anti/Hashim, ant/Edi e anti/Baton në parlament në mbrojtje të territorit të Kosovës! Hashimi ndoshta do të marrë pozat e patriotit, por pa guxuar kurrë t’i prekë në kallo Aleksandër Vuçiq!

  7. Te jesh serb ne origjine nuk eshte turp, si cdo kombesi, te jesh serbomadh e te kryesh krime ndaj njerzve te nje kombi tjeter qe jane ne vendin e vet eshte krim kunder njerzimit, te jesh tradhtar i kombit tend e lepires i kriminelave qe kane vra popullin tend, te komplotosh kunder vendit tend, duke i vene mina vendit tend je gjarper helmues qe i duhet shtypur koka.

  8. O Baton, po pse ne Tirane ty te konvenon politika amerikane kurse ne Kosove jo. Po ik mor budalla do mesosh ambasadorin e USA si te bej politike. Amerikanet jane me me te fortin dhe Albini eshte me I forte se te tjeret nga mbeshtetja qe ka ne popull, dhe per kete arsye do ti jepet mundesia te qeverise por sipas kornizave qe do I vendos USA nese del jashte kornizave ateher nuk do e suportojne me.

  9. Shkrimi i BH eshte pa permbajtje dhe pa qellim (BH ka pasur nje qellim, por nuk eshte ai qe don te percjelle te ne).
    Po te kemi parasysh dy fakte
    a) qe qeveria amerikane e ka njohur rezultatin e zgjedhjeve ne Kosove, si dhe qe
    b) ambasadori atashohet prane qeverise (jo prane opozites ose agjensive informative), rezulton qe permbatja e intervistes se ambasadorit eshte brenda ketyre dy premisave.
    Perzgjedhja e mbiemrave cilesore nga ambasadori per AK eshte normale (usual) ne diplomaci (ambasadori eshte diplomat para se te jete ambasador).

    BH me-sa-duket brenda vehtes mban dhe AK, dhe duket e urren, vuan sa here qe lexon dicka per te qe nuk perputhet me pritshmerine e tij per te.
    Kam dyshimin qe keta gazetaret shqipfoles si BH, i publikojne shkrimet e veta pa i kaluar ne gjykim te te tjereve (redaksise). Medet per ta!
    “Facci una domanda e dai una risposta” do thonte italiani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *