• |
ide | kryesore

Arrihet marrëveshja Vetëvendosje LDK (Ja si ndahet pushteti)

Të fundit



Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas një procesi të gjatë bisedimesh, janë marrë vesh për mënyrën sipas së cilës do t’i ndajnë ministritë në koalicionin e ardhshëm qeveritar.

 

Në marrëveshjen e arritur, të cilën e ka siguruar Klan Kosova, Ministria e Financave, Ministria e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ajo e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë do të drejtohen nga ministra të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Siç ka ndodhur zakonisht në marrëveshjet për bërjen e qeverive në Kosovë, Ministria e Kthimit (serbet e larguar) i takon minoritetit serb, ndërsa habitshëm – edhe sepse LDK e kishte udhëhequr dikur këtë ministri, edhe për faktin se VV-ja e ka pasur pjesë të narrativit të saj politik gjatë kohë – është vendosur që Ministria e Kulturës t’i takojë minoriteteve tjera.

Dakordësimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është arritur edhe për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, që do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila atë do t’ia besojë Vjosa Osmanit.

Dhe, megjithëse ishte çështja më e diskutuar dhe një prej arsyeve që herë njëra e herë tjetra palë paralajmëronte se mund ta prishte krejt marrëveshjen, për postin e presidentit të dy partitë janë marrë vesh që të merren vesh pas një viti.

Kjo marrëveshje i çel rrugë finalizimit të bashkëpunimit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në qeverinë e ardhshme, si dhe lehtëson seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga presidenti Hashim Thaçi më 24 dhjetor të këtij viti.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *