• |
ide | kryesore

Paradoksi i Shqipërisë si kryesuese e OSBE

1, Ide

Kryeministri Rama e ka të vështirë ballafaqimin me problemet e OSBE-së, duke qenë i zhytur në baltën politike në vend.

1.

 Ditën e parë të vitit të ardhshëm Shqipëria do ta marrë kryesimin e OSBE-së, Organizatë për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Në pranim-dorëzimin që bëhet me kanale diplomatike, mund të imagjinohet skena ku Sllovakia, kryesuesi i deritanishëm, do ta informojë Shqipërinë për misionet paqeruajtëse të OSBE-së në Ukrainë, Gjeorgji, Transdnjestër (Moldavi) dhe Nagorno Karabah. Do ta informojë, po ashtu, për misionin në Kosovë (“Kosovo and Metohija” kur duhet folur me Serbinë, Rusinë dhe me tërë orbitën rreth saj). Dhe, mund ta informojë për misionin e OSBE-së në një vend që nuk është pjesë e zhbërjes së Bashkimit Sovjetik e ish- Jugosllavisë, një vend që quhet Shqipëri.

Shqipëria, kryesues i radhës i OSBE-së, pra, do të marrë informatën nga kryesuesi paraprak për punën që OSBE-ja bën në Shqipëri. Skena duket , dhe është, absurde, por nëse Shqipërisë dhe shqiptarëve u shërben si një lloj ngushëllimi, nuk është hera e parë që ndodh diçka ngjashëm. Bosnjë-Hercegovina u bë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërkohë që përgatitej që raporti i radhës për shqyrtim në të ishte gjendja në Bosnjë-Hercegovinë.

Në fakt, nuk është kurrfarë ngushëllimi. Bosnjë-Hercegovina nuk është shtet funksional.

2.

Shqipërisë pa dyshim i është bërë një nder me kryesimin e OSBE-së, në masë të madhe për shkak se është vlerësuar lart nga shumë shtete për rolin e saj pozitiv në tërë tragjedinë e luftërave të zhbërjes së ish-Jugosllavisë. Dhe, kur u dakordua kryesimi për vitin 2020, perceptimi për të ishte për një shtet i cili tashmë është stabilizuar edhe si anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE, një shtet mesdhetar-ballkanik që merr gradualisht dhe me siguri rrugën e një demokracie funksionale që u siguron perspektivë qytetarëve të saj. Në kësi konteksti, kryesimi vetëm sa do ta avanconte pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë drejt një pike të klubit të shteteve me kredibilitet.

Por Shqipëria, e cila do ta marrë kryesimin më 1 janar, vështirë që mund të japë ndonjë vlerë të shtuar, ndonjë shpjegim misionit në Luhansk të Ukrainës, intencës së rusëve të zvogëlojnë armatimin në Transdnjestër, apo thirrjeve rituale për pajtim në misionin e Nagorno Karabahut. Diplomacia ruse tashmë do t’u ketë shpjeguar klientëve të vet gjithandej “konflikteve të ngrira” se diplomatët e radhës që do të vijnë t’iu shpjegojnë se paqja është më e mirë se lufta edhe vetë kanë mision të OSBE-së brenda vendit të vet.Misioni quhet në formë të butë “prani” dhe merret, ritualisht, me një problem që riciklohet legjitimiteti demokratik i pushtetit. Apo, thënë shkurt, zgjedhjet.

3.

Misione të ngjashme të OSBE-së ka në Serbi dhe në Maqedoninë Veriore (njëri shtet gjithnjë më autokratik, tjetri gjithnjë më demokratik), por vendi i cili po e merr kryesimin e OSBE-së është në krizë serioze shtetërore, një krejtësisht origjinale krahasuar me gjithë çmenduritë që kanë ndodhur në fqinjësi të tij. Shqipëria hyn më 2020 tërësisht e çekuilibruar në pushtetet e veta. Gjyqësori i vendit ka mbetur tashmë dy vjet pa instancën më të lartë, atë Kushtetuese. Legjislativi i vendit nuk ka opozitë. Kryeministri nuk ka baraspeshë institucionale e politike, rrjedhimisht mund të qeverisë pa nevojë përfilljeje ndaj mendimit ndryshe. Presidenti i vendit, në mungesë të balancave mes legjislativit, gjyqësorit dhe ekzekutivit është shndërruar në opozitë. Opozita është shndërruar në spektator.

Kam frikë se Shqipëria që qe paraparë ta kryesojë OSBE-në më 2020 nuk është më dhe nëse ndonjëherë ka qenë e atillë, ka mundur të jetë vetëm në projeksion.

Kryeministri i vendit, figura e vetme që ka staturë të mjaftueshme në Qeveri për të qenë kryesues i OSBE-së, është dhe do të jetë gjithnjë e më thellë i zhytur në baltën e politikës së brendshme. Do të jetë vështirë e paramendueshme që çkado që të jetë përparësi për misionet paqeruajtëse të OSBE-së të mbërrijë ta ketë vëmendjen qoftë edhe njëminutëshe krahasuar me tërë makinacionet bizantine që do përdorur për të instaluar njerëzit brenda “reformës” në drejtësi. Sepse po nuk e bëre ti, e bën kundërshtari; po nuk e kape ti “reformën”, do ta kapë ai tjetri.

Tërë kësaj zymtësie do shtuar edhe tërmetin e 26 nëntorit, me pasojat e të cilit do të merret Qeveria e vendit intensivisht tërë pjesën e parë të vitit 2020.

4.

Kur Shqipëria fitoi përkrahjen për kryesimin e vitit 2020 u gëzuan jo pak njerëz dashamirë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo posaçërisht vlen për një gjeneratë diplomatësh që mund ta përfaqësonte vendin, dhe ngase një sfidë e këtillë do të kishte efekt edhe më të madh emocional; aparati shtetëror në këso rastesh rrit performancën edhe tej kapaciteteve të veta të njohura. Në kësi rasti ngjizet energji e re që shoqëria dhe shteti nuk kanë ditur që kanë.

Por, ka gjasa të mëdha që kjo të mos ndodhë, që Shqipëria të vazhdojë të avancojë në krizën e legjitimitetit të vet demokratik derisa të vendosë se duhet një prerje.

Dhe, në një lojë absurdesh që mund të lozë historia, shteti kryesues i OSBE-së mund të ketë nevojë të madhe për OSBE-në, në mënyrë që të organizohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare e vendore, e në mënyrë që të rifitohet legjitimiteti demokratik i institucioneve të përfaqësimit dhe ekzekutivi i tyre.

Nëse kryesimi i OSBE-së është konsideruar si një lloj ndihme e lehtë dhe e shpejtë mjekësore për problemet e parandalimit të konfliktit dhe tejkalimit të problemeve transicionale në demokraci, Shqipëria ka gjasa ta gjejë veten në paradoksin e ofruesit dhe kërkuesit të këtyre shërbimeve. Njëkohësisht.

© KOHA

5 Comments

  1. Letra e Plotë

    Lënda: Lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi i vetingut në Shqipëri.

    Drejtuar: Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës;

    Kryetarit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg;

    Presidentit të Komisionit të Venecias;

    Kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës;

    Presidentit të Parlamentit Evropian;

    Presidentit të CEPEJ.

    Shumë të nderuar përfaqësues të lartë të institucioneve evropiane!

    Na lejoni që nëpërmjet kësaj letre, ne nënshkruesit e saj, një grup përfaqësues i magjistratëve shqiptarë, të ju informojmë me shqetësim se reforma në drejtësi në Shqipëri, promovuar qysh në krye të herës edhe nga ne nënshkruesit e kësaj letre, pikërisht për shkak të mënyrës se si po zhvillohet procesi i vetingut dhe njerëzve që po e kryejnë atë, ka ngritur pikëpyetje tejet serioze lidhur me të ardhmen e sistemit, si dhe me mesazhet jo adekuate që po përcjell në komunitetin e magjistratëve.

    Kufizimeve të jashtëzakonshme të të drejtave dhe lirive themelore, si dhe paqartësisë së legjislacionit të posaçëm në këtë rast, i është mbivendosur profili i ulët profesional e kulturor e, për këtë shkak, paaftësia domethënëse dhe vulnerabiliteti i pjesës më të madhe të anëtarëve të institucioneve të vetingut. Konstatojmë me shqetësim se procesi i vetingut të magjistratëve në Shqipëri po zhvillohet në mungesë të diligjencës dhe urtësisë, siç rekomandonte Komisioni i Venecias, i pyetur në cilësinë e amicus curiae lidhur me këtë proces.

    Kështu Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, si instanca e parë e organeve që kryejnë procesin e vetingut, në mënyrë flagrante mban qëndrime të ndryshme, për situata identike ose të ngjashme, duke shfaqur një qasje të dyfishtë ose shumëfishtë, në kurriz të parimit të sigurisë juridike. Anëtarët e këtij institucioni, të cilët vetë hetojnë dhe vetë gjykojnë, në jo pak raste, po shkojnë shumë larg në ushtrimin e diskrecionit të tyre për të krijuar ose mos krijuar bindje mbi faktet që i paraqiten për shqyrtim, gjer në kufijtë e arbitraritetit. Elementët e procesit të rregullt ligjor të parashikuar nga neni 6 i KEDNj-së janë përmbysur, ndërsa konceptet dhe institutet bazë të së drejtës civile kanë pësuar mutacione për shkak të përdorimit eksperimental, sipërfaqësor dhe tejet subjektiv të tyre gjatë zhvillimit të procesit të vetingut.

    Shumë magjistratë janë shkarkuar pasi janë ngarkuar me barrë të paarsyeshme dhe joproporcionale prove për të afërmit e tyre, të cilët janë konsideruar persona të lidhur dhe janë hetuar pa pëlqimin e tyre, duke u paragjykuar për lidhje të mundshme me magjistratin, pa asnjë bazë faktike e ligjore të arsyeshme në këtë drejtim, apo përtej periudhës së rivlerësimit, madje për periudha tejet të largëta. Po kështu shumë magjistratë janë hetuar dhe shkarkuar bazuar vetëm në një nga tre kriteret e rivlerësimit të parashikuara nga ligji i vetingut nr. 84/2016. Ndërkohë që ky i fundit, edhe pse parashikon se shkarkimi i magjistratit mund të bazohet edhe vetëm në një kriter, sanksionon hetimin e tij për të tre kriteret. Kjo ka shkaktuar që, deri më tani, ankimi i këtyre magjistratëve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të rezultojë thjesht dhe vetëm një iluzion dhe aspak një mjet efektiv. Në asnjë rast nuk ka ndodhur që ankimi i magjistratit të shkarkuar, bazuar vetëm në një kriter rivlerësimi, të ketë patur sukses në KPA.

    Gjithashtu nuk mund të flitet për respektimin e parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, të parashikuar nga vetë legjislacioni i posaçëm për procesin e vetingut. Jo pak magjistratë janë shkarkuar për shkak se gjoja me veprimet a mosveprimet e tyre kanë shkaktuar humbjen e besimit të publikut tek drejtësia. Kjo rrethanë, nga një ngjarje e jashtëzakonshme që duhet provuar dhe argumentuar, është shndërruar në një klishe që organet e vetingut e kanë përdorur lehtësisht për të vendosur masën ekstreme të shkarkimit.

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), e vetmja gjykatë e procesit të vettingut, edhe pse e vetmja instancë gjyqësore, ku mund të ankohen magjistratët e shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka lënë në fuqi të gjitha vendimet e shkarkimit, madje në jo pak raste edhe duke e rënduar pozitën e magjistratit në cilësinë e subjektit ankimues, në kundërshtim të hapur dhe flagrant me parimin “no reformation in peius”.

    Veç sa më sipër, pothuaj në asnjë nga rastet kur ka ushtruar ankim magjistrati i shkarkuar, KPA-ja nuk e ka kaluar çështjen në seancë gjyqësore publike, për të dëgjuar, sipas parimit të kontradiktoritetit, magjistratin e shkarkuar, por e ka lënë në fuqi shkarkimin, duke gjykuar mbi aktet, në dhomë këshillimi, edhe pse është e vetmja gjykatë e procesit.

    Jo vetëm kaq, por në pjesën më të madhe të rasteve kur ka ushtruar ankim komisioneri publik, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë që ka konfirmuar magjistratin në detyrë, duke vendosur shkarkimin edhe për këto raste. Në një rast domethënës, vetë një nga vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, do të shprehej se “Accepting the interpretation of the Appeal Chamber, on the contrary, ëould transform article 61 n. 3 Laë 84/2016 into a tool capable of performing the genetic mutation of any of the diverse items mentioned in article 33 into cases of inaccurate disclosure.”.

    Ne jemi një vend i vogël dhe komuniteti i magjistratëve në Shqipëri është i vogël po ashtu. Shumica e kolegëve e njohin njëri-tjetrin, duke qenë në këtë mënyrë prova e gjallë e sjelljes gjyqësore dhe jashtë gjyqësore të njëri-tjetrit. Natyrisht që nuk mund të mohohet që në disa raste çështjet kanë qenë të qarta dhe nuk ka qenë e vështirë për institucionet e vetingut që të vendosin shkarkimin e magjistratit përkatës. Por, nga ana tjetër, numri i magjistratëve të shkarkuar padrejtësisht, me vendime të paarsyetuara, apo me argumentime të varfëra, deri qesharake, është aq i lartë sa nuk mund të justifikohet as me nocionin “collateral damage”.
    LEXO EDHE Tërmeti çau tokën në Jubë, shpërtheu gaz dhe ujë/ Rrëfimi i banorëve

    Në këtë optikë të rrethanave, procesi i vetingut, nga një premisë e madhe historike, për fat të keq, gjithnjë e më tepër, po ngjan me një eksperiment terminal, bazur në filozofinë e mohimit, i cili po kryhet nga njerëz jokompetentë, zgjedhja e të cilëve nuk duhet të ketë qenë rastësore. Kjo pasi ata duken të jenë të vetmit persona të përshtatshëm për një proces të tillë inkuizitor, të udhëhequr nga objektivi për të shkarkuar një numër sa më të madh magjistratësh.

    Vetë Kryeministri i vendit në një qëndrim publik, në prag të vendimit të BE-së për çeljen e negociatave me Shqipërinë, u shpreh se kjo gjë duhej të ndodhte, ndër të tjera, si vlerësim pikërisht dhe kryesisht i përmbushjes nga qeveria shqiptare të pritshmërisë së BE-së për një numër të tillë drastik shkarkimesh të magjistratëve, numër i cili madje ishte tejkaluar prej saj. Kryeministri në këtë rast e cilësoi procesin si revolucionin francez të Shqipërisë dhe vetingun si gijotinën e tij. Jo vetëm kaq, por suksesi i reformës në drejtësi, në diskursin politik dhe shoqëror të ditës në Shqipëri, identifikohet gjerësisht thjesht dhe vetëm me numrin e lartë të magjistratëve të shkarkuar, pa një analizë kritike shoqëruese me këtë rast.

    Askush në vend nuk guxon të qortojë apo shprehë kritika ndaj procesit, pikërisht për shkak se qasja dhe retorika politike e ditës është frustruese ndaj çdo mendimi të tillë kritik apo atij që e shpalos atë. Kjo është arsyeja kryesore që po Ju shkruajmë, të lënduar për atë që po na ndodh neve, por jo vetëm. Rëndom përfaqësues të lartë të shumicës qeverisëse dhe ekzekutivit shqiptar, evokojnë pa hezitim procesin e vetingut, të cilin shfaqen sikur ta kishin nën kontroll, si një proces që po largon magjistratët e korruptuar, pa pasur asnjë bazë reale që kjo të mund të ketë ndodhur pikërisht për këtë shkak. Nëse një gjë e tillë do të ishte e vërtetë, sipas artikulimit të këtyre politikanëve të lartë, ajo do të përbënte vepër penale, çka nënkupton se deklarime të tilla do të përbënin cënim të hapur të parimit të prezumimit të pafajësisë për këta magjistratë.

    Situatën e rëndon më tepër fakti se deklarime të tilla bëhen në kohën kur vendimet e shkarkimit të magjistratëve nuk kanë marrë formë të prerë, pasi janë apeluar dhe janë në proces shqyrtimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Për fat të keq, si për të ilustruar “vërtetësinë” apo “drejtësinë” e vendimeve të shkarkimit të KPK-së, frymëzuese të deklarimeve të tilla nga këta përfaqësues të lartë të shumicës qeverisëse, ka shërbyer jurisprudenca e KPA-së, e cila, siç u shpjegua edhe pak më lart, ka lënë në fuqi të gjitha vendimet e shkarkimit të magjistratëve, pa ndryshuar asnjërin prej tyre dhe pa kaluar pothuaj asnjë rast shkarkimi në seancë gjyqësore publike, si e vetmja instancë gjyqësore e procesit.

    Për mendimin tonë, kjo ka ndodhur për këto arsye kryesore:

    Dispozitat e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, sa i takon përmbajtjes së tyre, paraqiten tepër të zgjeruara, të paqarta dhe të paparashikueshme;

    Organet e vetingut, të ngarkuara me zbatimin e këtyre dispozitave, janë pothuaj plotësisht të përbëra nga anëtarë jo-gjyqtarë, të cilëve u mungon profesionalizmi dhe përvoja e nevojshme për të trajtuar çështje tepër komplekse që përfshin procesi i vetingut;

    Anëtarët e organeve të vetingut emërohen plotësisht nga Parlamenti, pa asnjë përfshirje të sistemit gjyqësor dhe shumica e tyre më parë kanë shërbyer si punonjës të profilit të ulët në administratë, nga prej rezulton se ata janë të ekspozuar ndaj presionit politik;

    Pjesa më e madhe e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit janë emëruar politikisht, pa plotësuar kriteret e ligjit për formim të lartë profesional, tregues të vlerësimit të lartë në punë, grada shkencore, përvojë të spikatur etj;

    Pjesa më e madhe e gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë emëruar politikisht, pa plotësuar kriteret e ligjit, siç janë vjetërsia në profesion; mospasja e ndonjë mase disiplinore të fuqi apo mosqënia i shkarkuar ndonjëherë nga detyra; niveli i lartë dhe i spikatur profesional. Në kushtet kur shumica absolute e gjyqtarëve të KPA-së janë emëruar pa plotësuar kriteret formale të ligjit, pa pasur një eksperiencë të mëparshme të qënësishme gjyqësore, ai nuk mund të konsiderohet një gjykatë e caktuar me ligj, element i procesit të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 6 të KEDNj-së.

    Nisur nga fakti që një pjesë e gjyqtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, jo vetëm që janë emëruar në kundërshtim me ligjin, pasi nuk plotësonin kriteret formale të parashikuara në ligj, por edhe kanë fshehur, duke mos thënë të vërtetën para komisionit parlamentar përkatës ad hoc të ngritur me qëllim përzgjedhjen e tyre, lidhur me plotësimin e kriterit të përvojës së punës apo mospasjes së ndonjë mase disiplinore apo mosqënies ndonjëherë të shkarkuar nga detyra, magjistratët i kanë kërkuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të paktën në dy raste, nisjen e procedimit disiplinor për disa prej tyre. Për fat të keq, ky i fundit, pa u investuar në themel lidhur me shkaqet e pretenduara për procedim disiplinor, ka kthyer përgjigjen sipas të cilës këto shkaqe nuk parashikohen si të tilla në nenin 16 të ligjit nr. 84/2016.

    Në përmbyllje të përshkrimit të situatës, mund të thuhet pa ekuivok se në Shqipëri po vërtetohet parashikimi i gjyqtarit të njohur shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, të nderuarit Ledi Bianku, sipas të cilit “Nëse shkenca juridike nuk bën punën e saj për të analizuar dhe gjykuar gjyqtarët, këtë ka rrezik ta bëjë as më pak e as më shumë, por injoranca”.

    Bazuar në sa më lart, një pjesë e madhe e magjistratëve shqiptarë, të cilët po i nënshtrohen procesit të vetingut gjenden para mohimit flagrant të drejtësisë, sipas kuptimit të nenit 6&1 të KEDNj-së.

    Me respekt Nënshkruesit

  2. Gjëja e parë që të shkon ndermënd është ajo që ka të bëjë me rregullat që duhet të jenë të shkruara se kush ka të drejtë të marrë kryesimin e OSBE-së? A mund ta marrë kushdo, pavarësisht, çfarë bën me vendin e vet,si sillet në arenën nderkombërare dhe cilat janë arritjet e atij vendi? Të duket sikur jemi, sëpaku 6 shekuj më parë, kur sulltani vdiste, sulltan bëhej i biri, edhe pse mund të ishte një çilimi apo i çmendur. Kjo për krahasim. Ne që s’pyesim për ligje, për Kushtetutë, për ndershmëri, për rregulla, parime as zakone, na jepet e drejta të kryesojmë OSBE-në!? Ne që luftojmë lirinë e shtypit, që s’njohim kompetencat e presidentit të Republikës, ne që kriminelët i vemë në krye të punëve, ne që prodhimin kryesor kemi drogën dhe krimin, sa që furnizojmë edhe Evropën, na besuakan kaq shumë?! Kjo është skandaloze, absurde, e paimagjinueshmne. Çfarë do t’i mësojmë ne Evropës , përveçse disa pislleqe?! Mos duan të tallen me ne? A do të ketë gjë më qesharake, më të shpifur se kjo që pritet të ndodh në fillim të 2020-tës? Kujt i vlen kjo? Cilat do të jenë përfitimet? Ne s’jemi perendim as lindje. Kështu pat thënë edhe Ramizi para se të vdiste. Duket se la amanet Ramës dhe ky po ecën kuturu, pa ditur se për ku. Thonë se një i marrë vetëm marrëzira mund t’u mësojë të tjerëve. Kështu na mëson urtësia në shekuj… Prisni të korra të bollshme, ju që kënaqeni me thesi bosh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu