• |
ide | kryesore

Video/ Derbi ‘vishet’ bardheblu pas 6 vjetësh: Tirana, pa trajner fiks e me katër mungesa, thyen tabunë Partizani

F1, Sport, Video



Në momentet më të vështira, duket edhe personaliteti i vërtetë: Tirana nuk kishte shkuar kurrë më parë në histori në pozita më delikate në derbin me Partizanin, e megjithatë arriti ti japë fund një serie turpëruese pa fitore në ndërqytetase, pas gati 6 vjetësh. E bëri pikërisht në derbin e parë në Air Albania, e bëri me katër mungesa me peshë e bëri pa një trajner fiks, për më tepër kundër kryesuesve të kampionatit. Më në fund derbi vishet bardheblu dhe këtë herë turpi është i gjithi mbi Lerdën, që 24 orë më vonë mund të humbasë edhe kreun…

E premte, 13, për të kuqtë kishte ardhur ora e tersit. Mungesa e Telushit e Brojës u ndjenë e si, në mesfushën që italiani e ktheu nga 3 në me 5, duke ndryshuar përsëri skemën variabël, duke ndryshuar njerëzit në sulm, duke shpluhërosur Bitrin e duke i dhënë debutimin Hysenit. Shumë lëvizje për tu aplikuar në tentativë për të kapërdirë humbjen në Ballsh, e për herë të parë tekniku italian duhet të administrojë dy humbje radhazi. Skuadra e tij nuk kishte grintën e duhur dhe barazoi golin e shpejtë të Bathës, vetëm sepse në Air Albania nuk ka VAR. Me sistemin e teknologjisë në ndihmë të arbitrit, Jorgji do të kishte parë, në mos Jorgji asistenti Avdo, se Solomon ishte në pozicion jashtë loje, në momentin e goditjes përpara se Bardhi të shënonte në minutën e 11.

Natyrisht Partizani i kishte rastet, e ka potencialin, Bardhi humbi atë që nuk humbej, vetëm 8 minuta përpara se Cobinnah të shënonte golin derbi në minutën e 90, po nuk luajti si skuadër, nuk luajti si Partizani. Italiani i ka treguar limitet e tij në drejtimin e skuadrës kampione disa herë në këtë sezon, madje në fazën e parë, pikërisht para derbit ishte në fijen e perit, por ia ka dalë të qendrojë sepse ka qenë i pari, por tek Partizani ka dicka që nuk shkon dhe nuk ishte Tirana që e zbuloi.

Bardheblutë treguan karakterin, treguan empatinë që duhet të ketë një skuadër 24 herë kampione. Luajtën për tifozët, luajtën pa trajner të përcaktuar, por me atë të portierëve Egbo në detyrë, luajtën me mungesa, por merituan fitoren. Merituan që këtë herë të dalin nga stadiumi i ri me kokën larg, e ta shohin veten të kthyer në shinat e fitores e vetëm tre pikë larg kreut. Komplimente Egbo…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *