• |
ide | kryesore

“Suksese në jetë”, shkarkohet Lerda: Partizani nuk kapërcen derbin e humbur me Tiranën në krizë totale

F1, Sport



Ishte në ajër, e kuptueshme në logjikë të të gjithë sezonit të deritanishëm, e justifikuar plotësisht me disfatën e derbit, të parit të humbur në 6 vjet, pavarësisht se Partizani është vetëm dy pikë larg Kukësit të vendit të parë. Franco Lerda nuk është më trajneri i Partizanit, me vendim të presidentit Gazmend Demi. Numri 1 i klubit e ka bërë të ditur vendimin pak minuta më parë, edhe pse italiani e kishte nuhatur se aventura e tij në kryeqytet u mbyll pas 90 minutave të derbit.

Lerda, që zëvendësoi Skënder Gegën në pankinën e kampionëve në fuqi, nuk arriti asnjëherë të bëjë për vete as tifozët e as opinionin publik. Insistimi për të luajtur me një mënyrë që të kuqve nuk i përshtatej, ndryshimi i vazhdueshëm taktik, madje edhe në derbi u kthye në 3-5-2, duke harruar 4-3-3 e pesë ndeshjeve të fundit, ka bërë që skuadra të mos shprehet kurrë në maksimumin. Por më problematike ka qenë sjellja e tij, kur është konfliktuar me Trashin, që e nisi sezonin në pankinë, edhe pse ishte lojtari i vetëm në kombëtare nga kampionati shqiptar. Më pas, kontradiktat përfshinë Telushin, Asanin që nga sulmuesi deciziv i edicionit historik të titullit, pas 26 vjetësh përfundoi në alternativë e tretë, por edhe Mala, që është i vetëm në shtëpi, i humbur në hierarki e jashtë pothuaj cdo zgjedhje. Nuk janë lojtarët vetëm që u përballën me një arrogancë të dukshme të italianit 52 vjecar, por edhe asistenti i tij Dritan Mehmeti, që në një debat verbal, pas humbjes me Kukësin u detyrua të linte pozicionin si trajner i dytë, për të marrë Partizanin B.

Të gjitha këto, pa patur edhe rezultate: dy barazime e dy humbje në Europë, por nëse ndaj Qarabag nuk mund të kërkosh më shumë, eleminimi në Europa League nga Sheriff Tiraspol ka vend për diskutim. Në kampionat Lerda ka fituar 7 ndeshje, ka barazuar 4 e humbur 4, duke qenë larg pritshmërive, edhe pse me një skuadër me shumë zgjedhje e të investuar mirë. Humbja në derbin i vuri kapakun situatës, me Partizanin që u mund nga një skuadër në krizë të plotë rezultatesh dhe identiteti e u kalua edhe nga Laci e Kukësi. Më tej nuk mund të vazhdohej dhe kuptohet edhe nga ftohtësia e komunikimit nga klubi për vendimin…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *