• |
ide | kryesore

Çfarë po ndodh me arrestimin e gazetarit rus në Prishtinë

Lajme, Të fundit



Para 3 ditësh, brenda territorit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, policia e Kosovës ndaloi një ekip të një televizioni rus që kryesohej nga gazetari Andrey Kondrashov. Ata kishin deklaruar se ndodheshin në Kosovë për të realizuar një dokumentar lidhur me takimet që kanë pasur rusët me amerikanët.

“Jam këtu për një dokumentar për takimet që rusët i kanë pasur me amerikanët në Kosovë”, – i kishte thënë Kondrashov, televizionit publik të Kosovës. Autoritetet kosovare e ndaluan ekipin e Kondrashov, për mungesë të lejes për të filmuar brenda hapësirës së Aeroportit të Prishtinës. Ky akt ka nxitur raportime të shumta, meqë Kondrashov ka qenë edhe sekretar për mediat dhe i afërt i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Më këtë çështje po merret edhe Zyra Ruse në Prishtinë që tek autoritetet e Kosovës është e akredituar si Zyrë e Ambasadës së Federatës Ruse në Serbi. Në një përgjigje të dhënë për Gazetën Express, kjo Zyrë tha se janë duke trajtuar këtë ngjarje me prioritet të lartë dhe përmes mundësive që kanë duke marrë parasysh edhe qëndrimin e Rusisë mbi Kosovën. Ata kanë lënë të kuptohet se komunikimin janë duke e zhvilluar me UNMIK-un rreth kësaj çështjeje.

“Ne po e merremi nga afër me rastin dhe po e trajtojmë me përparësi problemin, të shqetësuar për shkeljen e të drejtave të shtetasve rusë si dhe gjithashtu të drejtave të gazetarëve. Një gjë të tillë po e bëjmë përmes institucioneve, përmes rrugëve që na determinohen për shkak të qëndrimit tashmë të ditur të Rusisë për Kosovën”, – thuhet në përgjigjen e Ambasadës Ruse për Gazetën Express.
Ditën e ndalimit të ekipit të televizionit rus në vendin e ngjarjes kishte qenë i pranishëm edhe Komandanti i Policisë së Kosovës për Aeroportin, Shpend Maliqi, i cili edhe ka marrë në pyetje ekipin rus nëse kanë leje për të filmuar në zonën e Aeroportit të Prishtinës.

Andrey Kondrashov, sipas të dhënave që figurojnë në internet është një gazetar rus dhe zëvendësdrejtor i rrjetit televiziv “VGTRK”. Ai ka realizuar edhe një dokumentar të gjatë për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Gjatë vitit 2018, Kodrashov kishte qenë edhe sekretar për media i zyrës së Putinit.
Televizioni publik i Kosovës (RTK), që raportoi fillimisht për rastin e cilësoi Kondarshov si njeriun kryesor të propagandës së Vladimir Putinit. Sipas RTK-së, Kondrashov kishte ardhur në Kosovë për të mbledhur informata të ndjeshme të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e vendit.

Rusia ka hapur Zyrën Ndërlidhëse në Kosovë në vitin 2005. Për ta bërë këtë në Kosovë kishte udhëtuar personalisht Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergey Lavrov, të cilit Presidenti Ibrahim Rugova i kërkoi njohjen e Pavarësisë së Kosovës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *