• |
ide | kryesore

“Jemi një skuadër me gjithë shqiptarët”, FSHF bën të lumtur fëmijët e të prekurve nga tërmeti me një festë

Sport, Video



Solidarizimi me të gjithë ata që u prekën nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit vazhdon. Federata e Futbollit, edhe pse ka nisur tashmë aktivitetin sportiv, madje me axhendë të ngjeshur për të përmbushur kalendarin sipas programit, nuk ka harruar ata që, në fatkeqësinë natyrore që shkaktoi 51 jetë të humbur e ndërtesa të shumta të shkatërruara, ishin më të pafat.

Institucioni që drejton futbollin në vend ka mbledhur në Kavajë sot mbi 50 fëmijë të familjeve të prekura nga tërmeti dhe ka organizuar një festë për ta, duke nisur një seri aktivitetesh të këtij lloji. FSHF mori vendimin për të anulluar të gjitha festat tradicionale të saj me rastin e fundvitit dhe vendosi gjithashtu që këto buxhete të shkojnë për fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti.

“Për këtë arsye ne sollëm sot dhe do vijojmë të sjellim festë, argëtim dhe gëzim për fëmijët e dashur. Ne jemi një skuadër me të gjithë shqiptarët dhe do qëndrrojmë pranë tyre”, tha Ervin Bulku, zëvendës trajneri i Kombëtares, që bashkë me pjesëtarë të tjerë të stafit të federatës, u takua me vogëlushët dhe ju shpërndanë dhurata në një atmosferë festive enkas për ta -. “Federata e Futbollit dhe përfaqësuesja jonë, nuk mund të festojnë ndërkohë që qytetarët tanë vuajnë pasojat e tërmetit të tmerrshëm”.

Këto aktivitete me rastin e festave të fundvitit, vijnë në vazhdën e aktiviteteve solidarizuese të FSHF dhe djemve të ekipit kombëtar për qytetarët e prekur nga tërmeti dhe ka nisur punën për evidentimin e tre shtëpive të rrënuara dhe më tej rindërtimin e tyre të plotë.

https://www.youtube.com/watch?v=N1y9YDstUUA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *