• |
ide | kryesore

Kongresi amerikan miraton akuzat për shkarkimin e Presidentit Trump, çfarë pritet të ndodhë

Arkiva, Planet, Të fundit



Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi të mërkurën në mbrëmje dy akuza për shkarkimin e presidentit Trump, hera e tretë në histori që një president i nënshtrohet procesit të shkarkimit në bazë të shkeljeve të parashikuara në Kushtetutë.

Votimi historik, i ndarë prerazi në vija partiake, ashtu siç është ndarë mbarë vendi për këtë çështje, e akuzon presidentin e 45-të për abuzim të pushtetit të zyrës së tij, pasi i kërkoi një vendi të huaj të hetojë rivalin e tij politik për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Akuza e dytë është për pengim të hetimeve të Kongresit për këtë çështje.

Gjyqi ndaj presidentit do të zhvillohet në Senat. Nëse Senati e shpall presidentin të pafajshëm, ashtu siç pritet të ndodhë, presidenti Trump do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale me barrën e një kandidati të akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Gjyqi ndaj presidentit pritet të zhvillohet në muajin janar. Për shkarkimin e presidentit duhen dy-të-tretat e votave të Senatit prej 100 vendesh. Demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, që miratoi ngritjen e akuzave, ndërsa Senatin e kontrollojnë republikanët, ku pak, ose asnjë republikan, pritet të votojë për shkarkimin e presidentit.

Gjatë ditës së mërkurë, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve debatonte rreth akuzave, presidenti Trump u shpreh përmes një postimi në Twitter se e gjitha kjo ishte “një gënjeshtër e shëmtuar e të majtës radikale, një sulm ndaj Amerikës dhe një sulm ndaj Partisë Republikane”.

Ligjvënësit demokratë thonë se Presidenti Trump duhet larguar nga detyra pasi përdori ndihmën për Ukraninën për interesat e tij personale politike.

Demokrati Jerrold Nadler është Kryetar i Komisionit Juridik në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Cili është rreziku nëse nuk veprojmë? Gjatë 94 ditëve që nga fillimi i hetimeve nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe realisht gjatë tre viteve të shkuara, një e vërtetë e padiskutueshme ka dalë: nëse nuk reagojmë ndaj abuzimit të pushtetit nga Presidenti Trump, abuzimi do të vazhdojë. Nuk mund të mbështetemi tek zgjedhjet për të zgjidhur problemin tonë kur Presidenti Trump kërcënon vetë integritetin e zgjedhjeve”, tha ai.

 

Nga ana tjetër, republikanët argumentojnë se telefonata e presidentit me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy ishte përpjekje për të trajtuar korrupsionin në Ukraninë dhe jo për avantazhe politike në Amerikë. Ata këmbëngulin se demokratët gjatë gjithë kohës kishin në mendje shkarkimin e zotit Trump.
Debbie Lesko është ligjvënëse republikane.
“Ata paracaktuan se do ta bënin dhe e bënë pavarësisht çdo gjëje. Ata nuk kishin asnjë provë, asnjë fakt por gjithsesi vepruan në të tyren. Ata po e coptojnë këtë vend”, tha ajo.

Historikisht proceset për shkarkimin e presidentit e kanë përçarë vendin. Ndërsa pothuajse gjysma e vendit mbështet procesin ndaj zotit Trump, demokratët argumentojnë se opinioni publik është në anën e tyre.

Nancy Pelosi është kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.
“Publiku mendon se ata duhet të vendosin se kush është president i Shteteve të Bashkuara dhe jo ndonjë fuqi e huaj. Ata mendojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe ne mendojmë kështu. Presidenti duhet të mbahet përgjegjës për abuzim pushteti dhe pengim të Kongresit”, tha ajo.

Edhe pse gjyqi në Senatin e kontrolluar nga republikanët pritet ta shfajësojë zotin Trump, duke e mbajtur atë në detyrë, republikanët thonë se procesi i shkarkimit do të ketë pasoja mbarëbotërore për diplomacinë amerikane.

Kevin McCarthy është udhëheqës i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Presidentit iu desh të publikonte për mbarë botën përmbajtjen e telefonatës. Kjo e ka dobësuar zyrën e presidentit, për këdo që vjen më pas. Cili udhëheqës botëror do të ndajë me presidentin amerikan qëndrime të vërteta dhe mirëkuptim dhe të mos frikësohet se biseda e tyre telefonike do të publikohet për tërë botën?”, tha ai.

Procesi i shkarkimit të presidentit është një moment i rrallë në historinë politike të Shteteve të Bashkuara.



3 Comments

  1. Nuk eshte kryeminister i deshtuar! Eshte tradheti kombetare,e perkrahur nga pjesa e zeze e antareve te ambasades amerikane,nga pjesa e zeze e shokeve te gishtit te mesit te OSBE.Brenda nje muaji ka ndodhur shume fenomene. Kuvendi,partia socialiste ,rilindja dhe gjithcka ne krye te puneve ka vulen e tradhetise,opozita qe bemat e saj na cuan deri ketu dhe mosveprimi i saj per vdekje a liri eshte tradhetia me e madhe! Ku jane demokratet e flakte,te ndershem , me integritet qe mbi gjithcka kane vetedijen e rrezkut qe po i kanoset Shqiperise nga papergjegjshmeria,korrupsioni e tradhetia e shqiptareve e nderkombetareve .Ata qe e quajne veten intelektuale te pergjegjshem dhe qe mendojne se duke mos u angazhuar ne menyre politike ne bllok per shpetimin e Shqiperise,nga mosangazhimi i tyre jane po kaq tradhetare, sepse ndihmuan kete klike te ushqehet me fukarallekun , pamundesine e padijenine e nje populli. Kjo kulqeder me rrenje komuniste,me identitetet te humbur,pa moral, pa besim ne zot nese lihet me ne jete ,s,ka per te patur me Shqiperi ashtu si te paret tane , me gjakun e jeten e tyre dhane per kete toke te shejte ! Une ne Emer te Zotit i them gjithkujt qe quhet shqipetar :Merr fatet e tua ne dore! Koha eshte tani! Mos pyet per askend sepse te gjithe tradhetuan me tezat e tyre demokratike ne nje vend cerdhe shtrigajsh e prostitutash politike.
    Kushdo qe ka lindur nga nje nene shqipetare,qe beson ne Zot qe respekton te gjitha fete,qe beson ne vlerat e familjes,ne vlerat
    historike kombetare ne Emer te Zotit eshte i thirrur te mbroje vendin,te marre ne dore fatet e atdheut . Koha eshte tani.Te krijohet Komiteti per Shpetimin e Shqiprise! Atdheu ne rrezik! Pa lider , por nje asamble e gjere mbare kombetare te organizoje demostraten mbare kombetare ne te gjithe Shqiperine ne cdo fshat,qyetet .Koha eshte tani! Le te filloje levizja mbarekombetare
    per shpetimin e Shqiprise!

  2. Nuk behet stan me lepuj o Emanuel . Duhet edhe pak Gen ne keto pune . Jemi nje popull i tredhur dhe qe admirojme liderin .

  3. Do ndodhe qe Trump do marri mandatin e dyte me vrap te lehte. Po ta veni re asnje nga kandidatet demokrate per president nuk ia var ketij procesi se e dine qe eshte nje gomarllik me brire, qe po i kushton zgjedhjen. Koncension I Pelosit per pjesen me radikale e apolitike te partise dhe sic thoshte “The New York Post” funerali i saj. Aq keq eshte puna sa Pelosi po refuzon t’ja coje senatit pacavuren qe votuan vete. Edhe analistet e majte po e quajne zhvleresim te rrezikshem te procedures se impeachment-it. Pollet jane kunder, sepse atje ne ndryshim nga ne njrerezit e marrin seriozisht demokracine dhe nuk pranojne qe I zgjedhuri i tyre te hiqet vetem pse nuk i pelqen ca te fandaksurve ne kongres.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *