• |
ide | kryesore

Rusia njofton ankimimin në CAS kundër dënimit për doping: në lojë futet edhe Putin

Sport



Pas vendimit të Wada, që në 9 dhjetor përjashtoi Rusinë nga të gjithë eventet sportive ndërkombëtare për 4 vitet e ardhshme për shkak të një skandali dopingu, Agjensia antidoping ruse kalon zyrtarisht në kundërsulm e bën ankimim në CAS të Lozanës. Ashtu si ishte njoftuar nga presidenti i këshillit të supervizionit të Rusada, Aleksandr Ivlev, agjensia ka vendosur të kundërshtojë skualifikimin që do ta ndalojë Rusinë të marrë pjesë në Olimpiadën e Tokyo 2020 e Lojërat dimërore Pekin 2022.

“Kemi marrë vendimin të mos e pranojmë dënimin e Agjensisë botërore antidoping”, ka shpjeguar Alexander Ivlev. Vendimi do të komunikohet nga Wada brenda 10-15 ditësh, duke i hapur rrugën procesit të apelit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Vetëm 10 ditë më parë, shefi i agjensisë antidoping ruse Rusada, Yuri Ganus, kishte deklaruar se Rusia nuk ka “asnjë shans” të përmbysë në apel verdiktin e Wada.

Agjensia antidoping botërore (Wada) e ka përjashtuar Rusinë duke e akuzuar se ka falsifikuar të dhënat e laboratorit që iu dorëzuan hetuesve janarin e kaluar, në mënyrë që të fshihnin rastet e shumta të dopingut. Rusia ishte dënuar për skandalin e dopingut shtetëror, që vazhdonte nga 2011 në 2015, e dorëzimi i atyre kampionëve të laboratorit duhet të aprovonte kthimin përfundimtar të rusëve në komunitetin sportiv ndërkombëtar.

PUTIN: “SKUALIFIKIMI I PADREJTË”


Në konferencën tradicionale për shtyp të fund vitit, Vladimir Putin ka sulmuar drejtpërdrejtë Wada, duke folur për një vendim “të padrejtë e në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”. Një vendim që do ta ndëshkonte Rusinë “dy herë për të njëjtin krim”.

Lideri i Kremlinit shtoi: “Nuk kishte ndodhur kurrë më parë: na përjashtuan nga Olimpiada e fundit e tani po ndodh përsëri. Sipas meje kjo është jo vetëm e padrejtë, por edhe tendencioze. Vendimi i Wada kundërshton Kartën olimpike. Nëse nuk ka reklamime kundër Komitetit Olimpik Rus, skuadra kombëtare duhet të konkurojë nën flamurin kombëtar: tani duhet ti japim mbështetje e asistencë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *