• |
ide | kryesore

Gjykimi politik i dosjes “Babale”

2, Ide

Dënimi i ish-deputetit Salianji nga Gjykata, sipas meje – në ndryshim nga ata që u bien fanfarave se reforma po realizohet me sukses – është një moment tepër ogurzi për drejtësinë shqiptare, ku kam parasysh edhe Prokurorinë, edhe gjykatat. Çfarë kam parasysh me këtë? Drejtësia jonë në vitet paraardhëse ka pasur shumë probleme, por nëse do të sintetizojmë qëndrimin e saj ndaj politikës, shprehja që e ka karakterizuar ka qenë ajo e përdorur dikur: “Fle mbi dosje”. Pra, kemi pasur një drejtësi që nuk ka guxuar të merret me çështjet e nxehta të korrupsionit të politikanëve tanë. Ajo ka hezituar, ose nuk ka guxuar, apo ka bashkëpunuar me politikanët për të mos dënuar ata, për të cilët kishte prova se duheshin dënuar, duke mos hapur çështje, duke kapërcyer afatet, duke fshehur prova etj. Ajo ka anuar gjithnjë nga pushteti i maxhorancës së radhës, por është treguar e kujdesshme edhe në trajtimin e politikanëve të opozitës si të paprekshëm, paçka se kundër tyre mund të ketë pasur prova.

Në këtë aspekt, ajo që ndodhi me Salianjin është një kalim Rubikoni, për fat të keq në drejtimin e gabuar, pasi e pamë drejtësinë të kalojë nga një rol gjithsesi pasiv politik në një rol aktiv kundër opozitës, dhe ç’është më e frikshmja, jo duke iu referuar provave, por duke fabrikuar prova.


Lidhur me çështjen “Salianji”, publiku është njohur me dy versione që bënin fajtor ose njërën palë politike, ose palën tjetër. Versioni i paraqitur nga opozita, protagonist i së cilës u bë Salianji, ishte se gazetari investigativ Olldashi kishte arritur, nëpërmjet ishtë dënuarit, i ashtuquajtur Babale, të provonte me incizim se vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj – i dënuar në Itali për trafik droge – vazhdonte aktivitetin kriminal në Shqipëri. Këtë incizim, duke mos mundur ta botonte nëpër media, ai më në fund ia çoi PD-së, e cila e bëri publik, duke krijuar një skandal politik tashmë të njohur, që çoi edhe në largimin e Xhafajt nga posti.

Versioni i maxhorancës, që u shpalos që ditën e dytë pas shpërthimit të skandalit nëpërmjet gojës së Kryeministrit, ishte se kishim të bënim me një manipulim të kryer në laboratorët e PD-së, se ai e kishte çuar incizimin në një laborator të huaj (emrin e të cilit nuk e tha kurrë), që kishte provuar se zëri nuk ishte ai i vëllait të ministrit. Ky version u konsolidua më pas nëpërmjet daljes në skenë të një personazhi të dënuar disa herë (Fredi Alizoti), i cili deklaroi se ishte ai që kishte simuluar zërin e vëllait të ministrit, i shtyrë nga premtimi se deputeti i PDsë, Salianji, do t’i jepte për këtë 100 mijë euro dhe që po denonconte sepse nuk i kishte marrë paratë (ndërkohë që Babalja i kishte marrë 200 mijë eurot e veta). Pra, sipas këtij varianti, në regjistrim kemi zërin e Babales dhe Alizotit, kurse i përdoruri i tretë është gazetari Olldashi, i cili deklaroi se ia ka dhënë stilografin Babales për të regjistruar Xhafajn në lokalin e tij, por gjatë regjistrimit nuk ka qenë prezent.

Ky është versioni që pranoi Gjykata, e cila dënoi për kallëzim të rremë Babalen me 3 vjet, Alizotin me 2 vjet, Salianjin me 1 vit dhe Olldashin me 100 ditë punë sociale për shlyerje dënimi.

Lidhur me këtë version nuk mund të flasim për gabime interpretimi nga ana e prokurorëve, por ose për vërtetësi të tij, ose për fabrikim me dashje. Dhe këtu konsiston kalimi i Rubikonit nga drejtësia sepse fabrikimi e fut drejtësinë në një rrugë që na kujton praktikat e një kohe shumë të errëta. Dhe për mua ka shumë elementë në këtë histori, që na çojnë tek ato praktika ku vendimet i merrte pushteti politik, kurse Hetuesia, Prokuroria dhe gjyqësori kishin detyrë t’i vulosnin.

Për të përmendur vetëm ato më kryesoret: veprimi i parë depistues, që përcaktoi edhe linjën e hetimit nga Prokuroria, ishte deklarata e rreme e Kryeministrit, se laboratori i huaj kishte vërtetuar se nuk ishte zëri i Argon Xhafajt. Fill pas saj, Prokuroria, në vend që të hapte një hetim për aktivitetin kriminal në Shqipëri të Xhafajt (përveçse atë për kallëzim të rremë në dëm të ministrit dhe të vëllait), hapi hetim vetëm për këtë kallëzim. Lejimi prej saj i ikjes së vëllait të ministrit në Itali të nesërmen ishte tejet komprometues në këtë aspekt. Dhe sigurisht nuk mund ta shohim këtë veprim pa kujtuar edhe trajtimin para pak kohësh të komisar Zaganit nga Kryeministri dhe Prokuroria, ku ndërkohë që ky kishte thënë disa fakte që dolën të vërteta mbi ministrin tjetër të Brendshëm, Tahiri, u akuzua si zagar nga Kryeministri dhe u dënua me arrest në shtëpi nga Prokuroria.

Nuk dua të zgjatem këtu me argumentet e shumta, që më bëjnë të mendoj se kemi të bëjmë me fabrikim dhe fshehje provash nga ana e Prokurorisë, ku spikat krimineli Alizoti, i cili doli se pasi ka shkuar në Polici të denoncojë veten për t’u futur në burg (ngaqë nuk i kanë dhënë 100 mijë euro), ka shkuar në zyrat e PD-së për të kërkuar eurot, që ndërkohë që me Salianjin nuk ka asnjë bisedë telefonike, por ka shumë të tilla me shefat e Policisë, ku, çuditërisht, u flet me tone urdhërore.

Por nuk mund të mos ma përforcojë bindjen se këtu kemi të bëjmë me fabrikim dhe fshehje provash edhe vendimi i dhënë nga gjykata. Nëse do të pranojmë versionin se arkitekti i gjithë këtij maskarallëku qenka deputeti Salianji, atëherë dënimi i tij me 1 vit nuk justifikohet sepse do të duhet të ishte shumë më i rëndë, patjetër edhe më i rëndë se ai i Babales dhe Alizotit (ndërkohë që Prokuroria kërkoi që të dënohej edhe më pak: 1 vjet me kusht). Jo vetëm, por ai do të duhej të ishte hetuar edhe se ku i ka gjetur 200 mijë eurot që i paska dhënë Babales si pastrim parash e bashkëpunim me të tjerë (paçka se nëse i paska dhënë atij 200 mijë, s’ka pse mos t’i jepte edhe Alizotit 100 mijë).

Sipas mendimit tim, kërkimi i një dënimi kaq të lehtë nga Prokuroria, për një krim që personalisht e mendoj shumë të rëndë, sikur të ishte i vërtetë, psikologjikisht nuk mund të shpjegohet veçse me një kompleks faji nga prokurorët, që, duke e ditur se e vërteta është krejt tjetër nga ajo që kanë fabrikuar, nuk kanë dashur të shtyhen edhe më thellë në krim. Por një fjalë e urtë thotë: “krimi ndjell krimin”. Siç e thashë, ky ishte një kalim Rubikoni për drejtësinë nën shtysat e një Kryeministri, që ka kohë që e ka kaluar Rubikonin e tij, duke punuar me ngulm që të përdorë drejtësinë për eliminimin, kërcënimin apo frikësimin e kundërshtarëve të tij politikë.

Panorama

5 Comments

  1. Për herë të parë e shoh publiçistin e njohur Lubonja, që në një analizë të tij të futet në detaje emrash e ngjarjesh, e për të dalë në përfundimet me të cilat e mbyll shkrimin e tij.
    Ka bërë shumë mirë për mendimin tim që në gjuetinë e shtrigave që ka përhapur ligji i antishpifjes, të ilustrojë me shembuj konkretë analizën e tij.
    Ka një pasaktësi në evidentimin e shembujve, kur ai e paraqet largimin e ish ministrit Xhafa, si pasojë e denoncimit të bërë nga gazetari apo opozita..
    Kush e ka ndjekur me vëmëndje këtë histori, e di që Xhafa asqë do të largohej nga detyra për ate që u akuzua , por ishte e kundërta.
    Mesa duket Xhafa, për të shlyer përshtypjen e keqe që la kjo ngjarje tek disa “ndërkombëtarë” që shihnin tek ai “reformatorin” e drejtësisë, u tregua i zellshëm që si ministër i mbrendshëm të ndërmerte një ofensivë arrestimesh për grupe kriminale që kishin lidhje me politikanë në qeveri, e ishte kjo arsyeja që befas kryeministri, kur nuk pritej nga askush, i kërkoi menjëherë dorheqjen.
    Ky përceptim nuk mund të shkojë deri në thellësitë e të vërtetave që mbase nuk do të dalin kurrë, ama mbështetet në deklaratat e Xhafës e befasinë e vendimit të Ramës.
    Lubonja përmend me të drejtë ngjarjen me komisarin e policisë Zagani.
    Por a nuk do të ishte me vend që në këtë analizë për drejtësinë, të zinte vend edhe ngjarja me shkrimtarin e publiçistin Agron Tufa, që si drejtues i Institutit të studimeve të krimeve të diktaturës, nga fushata e sulmeve e kërcënimeve nga enveristët u detyrua të kërkojë azil politik megjithë familjen në një vend europian ?
    Z.Tufa ka deklaruar publikisht se ka denoncuar në prokurori me emra ata që e kanë kërcënuar e asnjë prokuror nuk ka nisur ndonjë hetim për denoncimet e tij.
    Njeri nga këta kërcënues të z.Tufa, është deputet e antar i komisionit të sigurisë në Kuvend, e ai edhe publikisht e ka kërcënuar shkrimtarin

    1. Per lapsistat dhe te tjere qe thone ” po tregoheni shume supersticioz”…eshte politika dhe pushteti i sorosit. Edhe plani me serbine eshte vetem dhe vetem soros nepermjet bashkimit evropian.

  2. Shume e drejte cka thote Lubonja. Salianji eshte qartesisht viktime dhe meriton mbrojtje. Me beri pershtypje dhe nje ndryshim ne standart. Nderkohe qe Sajmir Tahiri thoshte nuk bej kurre burg politik( nderkohe qe bente trafik droge dhe ishte qeveria e tij qe po e gjykonte) Salianji tha qe do shkoj edhe ne burg politik edhe pse provat jane komplet te fabrifikuara dhe per me teper gjyqin po ia ben kundershtari politik. Qendrim shume dinjitoz nga nje njeri qe nuk eshte se e prisja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu