• |
ide | kryesore

Video/ Partizani mbyll vitin me fitore: pas tre humbjesh, Krishtlindja i sjell fat

F1, Sport, Video



Nuk ishte ndeshja më e mirë, por, pas tre humbjesh, një fitore e vuajtur është kura më e mirë, sidomos përpara pauzës së kampionatit. Partizani kthehet tek suksesi, por nuk bind, madje në fraksione lojë ishte Vllaznia skuadra më e mirë. Në pjesën e parë u luajt një ndeshje si i shkonte për shtat Vllaznisë, duke ulur ritmin e duke pritur momentin, që në pjesën e parë nuk erdhi, e që dy skuadrat e luajtën nën ton, pa kërcënuar asnjëherë seriozisht Sherrin e Hoxhën të thirrur në cështje vetëm në fundin e pjesës së parë. Terreni i rënduar nuk ishte ndihmë, por nuk është se i pengoi edhe aq shumë lojtarët, në kohën kur në pjesën e dytë skuadrat u futën me një marsh më shumë dhe Kalari tentoi deri edhe me katër sulmues.

Në fakt, Vllaznia frikësoi jo pak Kalarin në pankinë e Hoxhën në portë në të 58: Belica mbylli si mundi goditjen e Likës, por Shtubina nuk gjeti kuadratin në diagonalen e fortë me të djathtën. Nuk shënoi por e pësoi Vllaznia në zhvillimet e një goditje këndi. Bitri e gjeti topin ndër këmbë, duke shënuar një gol mes rrëmujës, por në momentin që Partizanit i duhej më shumë. Shkodranët shënuan, me Likën në pozicion jashtë loje për fatin e të kuqve, që gjysëm orën e fundit e luajtën mes panikut dhe përgjigjet i dhanë pa ide e sporadike, si në rastin e Cinarit që dështoi të siguronte rezultatin e lejoi që drithërimat të përshkonin të kuqtë të paktën edhe në dy raste të tjera në tentativën pothuaj identike të Likës e Maranaos që u shuan ngjitur me shtyllën e Hoxhës. Tani kreu është vetëm tre pikë larg dhe e gjithë vëmendja përqendrohet tek objektivi i parë: trajneri i ri.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *