• |
ide | kryesore

Lubonja: Mini-shengeni, mungesa e Kosovës dhe arroganca e Ramës

Lajme, Të fundit

Analisti Fatos Lubonja iu është bashkuar reagimeve në lidhje me samitin e tretë të Mini-Shengenit Ballkanik, që u mbajt këtë fundjavë në Tiranë mes kryeministrit Edi Rama, atij maqedonas, Zoran Zaev, dhe Presidentëve të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe ku mungonin liderët nga Kosova.

Në një lidhje për emisionin “Opinion” në ‘News24’ Lubonja pohoi se para se të ndërmerrej kjo nismë, duhet të kishte diskutime të hapura mes partive si dhe për faktin se çfarë përfitohej realisht nga ky projekt.

“Mini-shengeni, përveçse do të duhej që liderët e këtyre vendeve të merrnin përsipër një ndërmarrje të tillë që ka kaq shumë përplasje, çfarë përfitimesh ka në këtë drejtim?

Kjo është pyetja që duhet të ishte bërë më herët dhe përpara vendosjes së këtij samiti. Kur flas për përfitime, besoj se nuk duhet të harrojmë se është përqendruar shumë problemi tek Kosova dhe përjashtimi i saj. Por mendoj se duhet të ishte dhe debati i përfitimeve. Pra është marrë e mirëqenë sikur është diçka e dhënë nga Zoti. Na jepet si diçka pozitive që duhet ta bëjmë me çdo kusht. Këtë e them se nuk e kam hasur shumë.

Problemi i kësaj Evropë që është ndërtuar kështu, shihet dhe tek largimi i Britanisë nga BE. Disa akuza të forta thonë se fiton Gjermania, dhe disa vende humbin, si Italia. Kjo kërkon një debat. Në një Mini-Shengen a është e vërtetë që fitojnë të gjithë? Por me lëvizjen e lirë të mallrave, mos ndoshta ne si shqiptarë humbasim dhe fiton më shumë Serbia?! Kjo kërkon debat midis atyre që quhen parti politike” – tha Lubonja.

Ai pohoi se me projektin e “Mini-Shengenit” u shfaq dukshëm arroganca e kryeministrit Rama, ndërsa shtoi se ky i fundit e do këtë nismë për protagonizëm.

“Që kryeministri ynë ka harruar që fjala “parti” do të thotë “pjesë”. Duhet të kishte dhe në Shqipëri qasje të ndryshme, ekonomistë, specialistë, që duhet të bënin këtë debat nga të gjitha aspektet. Ky debat mungon dhe në një farë mënyrë vë në dukje arrogancën e një kryeministri. Këtu dalim dhe tek raporti me Kosovën.

Duke menduar si logjike që këta liderët duhet të jenë konsultuar me faktorë të ndryshëm përpara se të kenë marrë këtë hap. S’kemi të bëjmë vetëm me 3 njerëz që kanë parë ëndërr natën dhe janë konsultuar me njëri-tjetrin…..

Cili është përfitimi? Nuk është hera e parë që Rama bën veprime që mendon se janë në përfitimin e tij. Por që në fakt janë në dëm, të shqiptarëve. Çfarë do të përfitonte Rama nga kjo marrëveshje?

Mjafton të kujtojmë ato PPP-të. Paraqitja e një imazhi si gjoja ‘Shengeni-Ballkanik’, është një imazh që nga një pjesë mund të konsiderohet si pozitive, një gjë që i jep pikë këtij politikani, apo atij serb. Këtu kemi të bëjmë me një propagandë pasi s’mendoj se është analizë serioze e përfitimeve të vërteta.

Ai e ka hedhur këtë ide për protagonizmin e tij, për natyrën e tij që i intereson vetëm një gjë; Edi Rama dhe jo Shqipëria e Kosova. Atij i duket sikur injektohet me interesin e Shqipërisë. Nuk është e thjeshtë. Secili nga ata ka kontekstin e vet.

Nëse unë jam në rolin e Vuçic dhe më duhet të kalojë mallra pa taksa dhe kam fuqi më të madhe prodhuese, atëherë më duhet dhe të anashkalojë një realitet bezdisës, siç është shteti i Kosovës që më ka vënë një taksë 100%. Ai pra ka interesin për ta bërë këtë. Këtu vijmë tek ana jonë. Gjermania, Italia, kanë interesa të ndryshme që të jenë në favor apo në disfavor të këtyre zgjedhjeve. Këto duhej të ishin diskutuar.

Përmenda disa nga kostot ekonomike. Por ka dhe kosto politike. Vuçiç ka tjetër interes nga ai që ka Shqipëria. Nëse ne mendojmë se jemi më afër Serbisë sesa të Kosovës, ky është problem. Dhe kështu del. Nëse ne mendojmë që të ndërtojmë urë me Serbinë, një prej këmbëve të urës duhet të jetë në Kosovë. Si mund të injorosh këtë faktor? Sikur të jesh ti mbreti absolut i të gjithë shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit (Rama). Këtu kemi një anashkalim dhe injorim të spektrit politik në Kosovë.

Them se mund të ishte i mirë nëse tek ‘Mini-Shengeni’ do të shkonin të gjithë dhe do të kishin biseduar me njëri-tjetrin. Kur ty s’të hyn Kosova, ‘Mini-Shengeni’ është dështim. Ky është dështim i sigurt dhe krijimi i problemeve të mëdha mes Ramës dhe partisë së tij dhe të gjithë klasës politikë në Shqipëri por dhe në Kosovë. Për Kosovën duhej të ishte diskutuar. Nëse je mbret absolut atëherë në rregull.. Por nuk jemi në këtë realitet. Je parti dhe nuk je mbret. Je pjesë dhe nuk je i tërë (I drejtohet Ramës).

Kjo ideja e imitimit të Europës, nuk është më ide triumfueses. Kjo ndikon që mos të ketë kaq mbështetje të madhe, e avancuar. Ndaj Rama në këtë drejtim është i vonuar. Ka qenë i vonuar dhe në politikat e brendshme. Kur nisën idetë kur Tirana dhe Durrësi do të bëheshin metropol i madh” – tha Lubonja. ©LAPSI.al

4 Comments

  1. Arsyetim i drejt i Lubonjes. Mania e Rames per venjen e vetes ne qender te botes eshte jo produktive dhe qesharake. Une besoj se Rama e ka hallin te zgjedhjet e ardhshme te cilat ai e di se ne situaten social ekonomike qe eshte Shqiperia ai si fiton kurre. Kjo e ka shtyre skajshmerisht ne paarsyeshmeri. A jane veprimet e Rames te rrezikshme per Shqiptaret, une do te thoja Jo. Ai thjesht po e largon veten nga skena politike me deshtime e skandale.

    1. “A jane veprimet e Rames te rrezikshme per Shqiptaret, une do te thoja Jo. Ai thjesht po e largon veten nga skena politike me deshtime e skandale.”

      Jam shumë dakort me vlerësimin tënd.

      Po të mos jetë se veprimet e ramës kanë kosto për njerëzit sot dhe mbase dhe pak në të ardhmen, rama është thjesht një lapangjoz i neveritshëm, por jo i rezikshëm, njëlloj zvaraniku.

  2. Qoftë tentativa për një rindarje të kufive midis Kosovës e Serbisë e qoftë ky farë shengeni me qendër Beogradin, në kushtet që Serbia i mohon krimet e saj në Kosovë, e jo vetëm as që pranon të bëhet fjalë që të njohë shtetin e pamvarur të Kosovës por vazhdon të bëjë një luftë të pa nderëshme dipllomatike tek vendet e ashtuquajtura “të pa angazhuara” lider të të cilave e mbante veten dikur Titoja, që të anullojnë njohjen prej tyre të shtetit të Kosovës. e venë shtetin e Kosovës në një pozite tepër inferiore, për të bërë marëveshje bilaterale apo rajonale me Serbinë.
    Nuk është e kjartë nëse Rama kujton se mund të mbajë pushtetin në Shqipëri, duke ju shitur shteteve perëndimore si një partizan i integrimit, apo i bindur se BE sa të jetë ai në pushtet, nuk do të rrezikojë të fillojë negociatat e pranimit, e nga kjo po i kthen sytë nga Beogradi, Moska e Ankaraja për ti bërë karshillëk perëndimit.
    Kam bindjen se atij i mungon intelekti e njëkohësisht edhe dëshira për të dalë nga kjo situatë që vetë ka krijuar.
    E pashë që në komunikimin me gazetarët, ishte fort i tronditur e dëshpëruar, gati duke qarë e duke ju mbajtur fryma, kur u bombardua me pyetje që nuk ishte në gjendje të jepte përgjigje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu