• |
ide | kryesore

Ngërçi VV- LDK/ E vetmja zgjidhje, zgjedhjet e reja

Blog



Nga Agon Hamza

Zgjedhjet e 6 tetorit sollën një ndryshim gati paradigmatik në skenën politike të vendit, e cila në këto njëzet vite nuk është se si bazë parimore dhe busullë etike i ka pasur orientimet programatike, ideore apo premisat ideologjike. Dhe kjo është çështja e cila duhet kuptuar dhe diskutuar: baza ideologjike e programore e partive, praktika e së cilave në nivel diskursiv dhe qeverisës, ka ndërtuar dhe fortifikuar këtë sistem qeverisje dhe ide mbi qeverisjen.

Në nivelin dhe rrafshin ideologjik, në instancë të fundit të analizës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk janë esencialisht parti politike të ndryshme, apo të kundërta. Njejtshmëria nuk është vetëm strukturore, në kuptimin që në situata të caktuara, dy palëve u është imponuar qeverisja e përbashkët. Kjo do të ishte situatë e parapërcaktuar nga rrjedha aleatorike e ngjarjeve, në të cilën aktorët kanë pak ndikim, dhe si e tillë, mund të ishte edhe pragmatikisht e kuptueshme. Ajo që i bashkon dhe njëjtëson këto dy parti, në nivelin strukturor, është marrëdhënia strukturalisht e kushtëzuar për bashkë-ekzistencë, që është i pavarur nga strukturat udhëheqëse aktuale të këtyre partive.

Sikurse LDK, edhe PDK është parti e qendrës së djathtë. Aspekti i njejtshmërisë dhe ndërvashmërisë strukturore bëhet kuptimplotë me njejtëshmërinë ideologjike. Këto dy aspekte e shpegojnë më së miri faktin se këto janë dy partitë politike të vendit që kanë qeverisur së bashku më së shumti në koalicion me njëri tjetrin. Se këto dy parti nuk janë të ndryshme, mund të shpjegohet nëpërmjet shembullit të bisedimeve për formimin e qeverisë në vitin 2014 dhe tani në 2019. Në bisedimet që po zhvillohen ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje! dhe LDK-së, mostra negociuese e LDK-së (nëse vetëm mund të flasim për një të tillë), është identike me atë të PDK-së në vitin 2014. Kjo e donte postin e kryeparlamentarit dhe kryetarit të shtetit, përderisa LDK-së ia ofroi atë të kryeministrit. A nuk është kjo çka po bën LDK sot?

Kjo logjikë negociuese është thelbësisht jo-parimore dhe programatike, por është strategji gllabëruese. Njësoj siç kanë bërë deri më tani. Për më tepër, nga kjo perspektivë, vështirësia e këtyre bisedimeve për marrëveshjen qeverisëse, merr kuptim dhe qartësohet lehtësia dhe shpejtësia me të cilën janë arritur marrëveshjet për qeveritë e kaluara: sepse, ishin marrëveshje për pozita dhe parimi i vetëm orientues ishte: gllabërimi i funksioneve, sepse në rrafshin ideor e programatik, i takojnë të njejtit orientim ideologjik dhe aty s’kishte se çka të diskutohej.

Por, nëse logjika dhe strategjia negociuese e LDK-së, e aplikuar në bisedimet me VV-në, është po e njëjta të cilën e ka zbatuar me Serbinë në kohën kur e kishte pozitën e kryeministrit, atëherë marrëveshjet si “Zajednica” apo demarkacioni dhe të tjerat, janë rezultati i vetëm logjik. Barrikadimi nuk është as pozicion, e as strategji negociatore.

Dhe, një shembull nga ekonomia, e cila është fusha kryesore e mburrjes për LDK-në (por që, çuditërisht, nuk ka kërkuar asnjë ministri nga kjo fushë!), mund ta ilustrojë këtë. Game theory është studimi i modeleve matematikore për mënyrën se si zgjedhjet e agjentëve ekonomik prodhojnë rezultate për sa i përket parapëlqimeve të këtyre agjentëve. Në këtë matricë, rezultati apo përfundimi është synuar nga njëri nga agjentët. Në bazë të logjikës së deritanishme, nuk ekziston as edhe një arsye e vetme faktike për të besuar se LDK dhe ish-kryeministri kanë zbatuar tjetër logjikë e strategji negociatore, nga kjo që po e aplikojnë me VV-në.

Fluska e një shprese

Bisedimet me VV-në, fillimisht për programin qeverisës dhe pastaj për ndarjen e pozitave qeverisëse, duket se e ka zhvendosur nga terreni i rahatisë betonizuese. Paramendojeni një pozicion negociator (pa e ekzagjeruar dhe banalizuar fare) që përmblidhet në keto premisa: “duam”, “jemi parti 30 vjet e vjetër”, “na takon”, “s’duhet të ketë humbës”.

Po të analizohen këto premisa një nga një, absurditeti merr përmasa shqetësuese. Por, ky është pikërisht ndryshimi që solli fitorja e VV-së: qeveria duhet të jetë e bazuar në program dhe në ndarje proporcionale të pozitave, në bazë të përqindjes së votave të fituara në zgjedhje. Tek e fundit, këtë duhej ta përkrahte së pari LDK-ja, e cila ka mbi dy dekada që argumentin e vetëm (pas figurës së Rugovës) e ka se është parti institucionaliste.

Në filozofinë politike, ekziston një tezë për zëvendësimin e sistemit zgjedhor liberal- demokratik, me sistemin e llotarisë. Ndonëse mënyra se si Kojin Karatani e konceptualizon këtë ide është goxha ndryshe dhe shumë më e komplikuar se elaborimi në formatin e këtij teksti, megjithatë, a nuk është logjika e LDK-së përbrenda idesë së llotarisë? Për LDK-në, rezultati zgjedhor duket se nuk ka rëndësi. Për ta, me rëndësi janë postet dhe funksionet. Dhe ato, shumë specifike. Edhe pse parti institucionaliste, ata si duket ende nuk e kanë mjaftueshmërisht të qartë së partia që del e dyta në zgjedhje, nuk është fituesja e zgjedhjeve, dhe rrjedhimisht, ata janë humbës. Dhe në rastin konkret, LDK nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje që nga viti 2004. Duke qenë se nuk janë fitues, pra janë humbës, ata nuk mund të kenë pjesëmmarrje të barabartë në postet dhe funksionet qeveritare, sikurse partia fituese.

Por, as barabartësia nuk është e mjaftueshme. VV dhe LDK kanë gjithsej 17 poste e funksione qeveritare për të ndarë. Nga kërkesat barikaduese, LDK, si partia e dytë në vend, kërkon t’i marrë 8 sosh, ndërsa VV 7, dhe pakicat 2. Këtu nuk ka as logjikë politike, as parim barabartësie dhe as proporcionalitet. Kjo është, thjeshtë, logjikë llotarie.

Si parti që institucionalizmin e ka parim orientues, LDK duket se do ta zhbëjë logjikën normale institucionale, se partia e dytë nuk është fituese dhe si e tillë, duhet të ketë pjesëmarrje disproporcionale të posteve qeveritare në raport me përqindjen e përkrahjes popullore që ka fituar. Po të përcillet dhe realizohet logjika e LDK-së, atëherë në Kosovë, pozicioni më i leverdishëm është të jesh partia e dytë në vend. Si parti politike pothuajse 30 vjet e vjetër, LDK tashmë duhet ta ketë kuptuar se parimi i moshës nuk është parim i njohur kushtetues e politik për ndarjen e pushteteve.

Kandidimi i Vjosa Osmanit për kryeministre të vendit në zgjedhje, krijoi një fluskë shprese tek një pjesë e votuesve. Na ftuan të besojmë në të dhe në atë pjesë të LDK-së, që mediat dhe të tjerët i emëruan si gjenerata e Republikës. Se çka do të thotë kjo realisht, jo vetëm në nivelin epistemologjik, por edhe atë programatik, askush nuk arriti ta shpjegojë, e lërë më ta kuptojë. Për më tepër, as gjenerata, e as tifozët e saj nuk arritën jo të na bindnin për disa ide apo vizionin e tyre, që janë ndryshe nga ai i LDK-së së tanishme, dhe që si rezultat, meriton t’iu besojmë, dhe ta meritojnë atë epitet. Si e shohin ata, si gjeneratë, Republikën në fushat si ekonomia, shëndetësia, arsimi, ambienti, etj.

Unë nuk besoj që dikush të ketë lexuar apo dëgjuar një dokument programatik e ideor të gjeneratës, që e kualifikon atë si grup apo shkëputje nga logjika dhe praktika e gjertanishme e partisë. Por, ajo që është e rëndësishme, na thonin, është se ky grup i të rinjve, është negacioni i gjeneratës së vjetër brenda partisë dhe si të rinj, do ta reformojnë atë nga brenda, nëpërmjet ideve, vizionit, programit dhe lidershipit të tyre. Ky ishte një shembull ekzemplar i fetishizimit të moshës. Por, gjenerata e Republikës, dhe atë sidomos pas zgjedhjeve, u interpelua tërësisht nga logjika strukturore e LDK-së. Shembulli më i mirë është i Osmanit, e cila edhe pse përfundoi si politikania e dytë më e votuara në vend, u vet margjinalizua nga roli që thelbësisht i takon: të qenurit lidere. Në rastin më të mirë, ajo flet nga pozicioni i urtësisë, apo këshillave morale. Asgjë dhe asnjëherë ajo nuk ka marrë pozicion politik në partinë e saj, dhe për situatën e përgjithshme politike në vend.

Shpresa ishte vetëm fluskë, sepse dështimi i saj për t’u bërë lidere është veçse shprehja e strukturës politike e ideologjikë të partisë. Në periudhën pas zgjedhore, e ardhmja e partisë i ka takuar Osmanit, një mundësi që ajo jo që vetëm e humbi, por nuk ishte as në gjendje ta marrë. Tani, vetëm se mund ta imagjinojmë se si do të ishte ajo si kryeministre e vendit, ku përgjegjësitë dhe vendimet që duhet marrë janë shumëfish më të rënda.

 Zgjidhja pas zgjedhjeve

Por, ku mbet Vetëvendosje! si fituese e zgjedhjeve në këtë situatë? Sepse, si fituese e zgjedhjeve, ajo ka përgjegjësinë kryesore politike në vend. Fillimisht, problemi i VV-së qëndron në faktin që i ka garantuar LDK-së ekskluzivitetin për formimin e qeverisë, pavarësisht rezultatit zgjedhor.

Realiteti i Kosovës është rezultat edhe i qeverisjes së LDK-së. Prandaj, ata i janë përshtatur shumë mirë këtij realiteti, sepse kanë marrë pjesë në vet fabrikimin e tij. E gjithë praktika e LDK-së pas zgjedhjeve të 6 tetorit është dëshmia me e qartë e kësaj. Po qe se LDK-ja do dilte e para në zgjedhje, vështirë se do ta mbante premtimin e njejtë. Koalicionet e saj të mëhershme me PDK-në, ndonëse gjatë fushatave e thonin të kundërtën, janë bazë serioze për dyshim. Tutje, përgjatë fushatës, dy palët janë deklaruar se posti i kryetarit të shtetit nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes qeverisëse. E tani, ky post është, së paku në nivelin deklarativ dhe rrjedhimisht jo fort për t’u marrë si i mirëqenë, arsyeja e bllokadës nga LDK-ja. Nuk ekziston asnjë arsye politike e pragmatike për këtë ekskluzivitet.

Përgjatë gjithë fazave të bisedimeve, si për çështjet programatike, poashtu edhe për ndarjen e posteve qeveritare, përshtypja ekziston që VV ka qenë goxha gjeneroze, madje duke ofruar formulën e 50 me 50 përqind të ndarjes së programit qeverisës dhe posteve në qeveri. Normalisht, ndarja do duhej të ishte proporcionale me përqindjen e votave të fituara në zgjedhje, sepse, mësimi elementar i demokracisë është që në zgjedhje ka fitues dhe fituesi ka përgjegjësinë kryesore politike. Për dallim nga çëshja e parë, ky është gabim që mund të përmirësohet tani, nëpërmjet riorganizimit të aspektit programatik dhe strukturor të qeverisjes. Për mendimin tim, kjo do të ishte qenësore.

Por, krejt këto relativizohen nga një tjetër premisë. Situata pas-zgjedhore në vend, mishmashi politik i krijuar si pasojë, lë pak hapësirë për konstruktivitet politik. Albin Kurti duket se ka pasur të drejtë kur skenën politike në Kosovë e ndante në dysh: VV dhe PDK. Të gjitha partitë tjera hyjnë nën ombrellën e PDK-së: si në nivelin konceptual e programatik, poashtu edhe të mendësisë dhe praktikave politike. Çarja e vërtetë është VV-ja.

Paradoksalisht (apo, jo edhe aq), në mendimin tim, e vetmja zgjidhje pas zgjedhjeve janë zgjedhjet e tjera. Pothuajse përgjatë gjithë ekzistencës së sa politike, LDK-ja nuk ka humbur kurrë asnjë shanc për të humbur shancet. Ndoshta, edhe është në natyrën politike të saj të humbasë edhe këtë shanc, për shkëputje konceptuale nga e kaluara e saj, e cila është gjithcka përveçse lavdi. ©lapsi.al (Autori është doktor në filozofi)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *