• |
ide | kryesore

Partizani shkon nga kampioni Gega, te rishtari Kalari: në mes ishte Lerda

F1, Sport



Pas 26 vjetësh, titulli kampion i fituar, falë një projekti të përmirësuar e me revolucionin total post-italian, krijoi idenë se pikërisht Partizani po merrte stafetën e Skënderbeut si avanguard i futbollit në vend. Ajo e Skënder Gegës ishte një skuadër robuste, pa emra, me bosht e grintë, ku uniteti i grupit ishte arma kryesore. Kredenciale që të bënin të besohej se rruga e shtruar ishte e duhura për të nisur dominimin e Superiores.

Goditjen e parë projektit ia dha divorci i teknikut, që tronditi jo vetëm lojtarët, por edhe klubin: investimet, më pas, për lojtarët që duhet të bënin diferencën nuk u kursyen, edhe pse i fundit erdhi trajneri. Politikë e gabuar, apo thjesht qëlloi, por italiani u konfrontua me gjithë gardën e vjetër, duke tensionuar mardhëniet me Trashin, Telushin, pastaj Asanin, pa llogaritur asistentët e vetë Lerdës. Luhatjet taktike e të rezultateve, zgjedhjet e derivueshme në kërkim të një stabiliteti që nuk erdhi kurrë iu falën për 14 javë Lerdës e Partizanit, për sa kohë ishin në vend të parë, por thyerja në derbi e para pas gati 6 vjet dominimi rrëzoi një project që mbahej në këmbë, vetëm sepse edhe të tjerët nuk kalonin situatë më të mirë.

E Partizani e pa vetën me një trajner, që deri dje ishte lojtar, një që nuk mund ta fajësosh për dy humbjet që pasuan atë me Tiranën, në një seri prej tre rezultatesh negative radhazi, që të kuqtë nuk i provonin që nga sezoni 2017-18. Tani në pushimet dimërore kryeqytetasit ngushëllohen me një fitore jo bindëse me Vllazninë e ëndërrojnë që poshtë pemës së krishtlindjes të jetë një emër që ti rikthejë aty ku duhet, sepse në fakt, nga vendi i parë janë vetëm tre pikë larg.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *