• |
ide | kryesore

Kosovë, Parlamenti mblidhet pa marrëveshje për koalicion qeveritar

Arkiva, Lajme, Të fundit



Lëvizja Vetëvendosja dhe LDK nuk arritën marrëveshje koalicioni për shkak të dallimeve në ndarjen e posteve kryesore. Megjithatë seanca konstituive e parlamentit mbahet të enjten.

Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që dolën të parat në zgjedhje nuk arritën të merren vesh për ndarjen e përgjegjësive në koalicionin e parashikuar, ndonëse ka kohë që ato e kanë harmonizuar programin qeveritar. Vetëvendosja në zgjedhjet e 6 tetorit doli e para me një deputet më shumë se LDK. Pas më shumë se dy muajsh negociata, Lideri i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti informoi, se partia e tij dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për koalicionin qeverisës dhe kështu në seancën konstituive ata shkojnë pa marrëveshje. Përmes një video-mesazhi në profilin e tij social, Kurti tha, se LDK-ja e ka refuzuar ofertën e Vetëvendosjes, e cila i ofronte LDK-së pozitën e kryetarit të Kuvendit, një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri në qeveri.

Kompromiset e saj nuk pranohen, thotë Vetëvendosja, LDK reagon

“Është obligimi im moral dhe politik, shtetëror dhe kombëtar, qytetar dhe njerëzor që t’ju njoftoj se në seancën inaguruese të legjislaturës së shtatë, do të shkojmë pa pajtimin për qeverinë. Marrëveshjes për programin qeverisës nuk kemi mundur t’ia bashkëngjitim edhe atë për ndarjen e përgjegjësive. Oferta ime e parmbrëmshme e datës së 23 dhjetor 2019, u refuzua dje nga LDK”, tha Albin Kurti. Sipas tij, në rast se insistohet që LDK ta ketë edhe pozitën e presidentit, atëherë ai tha se i ka ofruar LDK-së që ta caktojnë një kandidat konsensual dhe jo partiak. Sipas Albin Kurtit, ky është kompromisi i fundit që mund të bëjë lëvizja Vetëvendosje.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili tha se për LDK-në, negociatat nuk kanë dështuar por sipas tij, “ka dështuar vetëm strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t’ia hedhur fajin LDK-së”. “Asnjë prej kërkesave tona nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kërkesë ndaj Vetëvendosjes, për shkak se Vetëvendosja nuk i ka fituar të gjitha përgjegjësitë, ajo ka fituar rreth 1/4 e votave dhe jo më shume, dhe pothuajse aq ka fituar dhe LDK-ja. Prandaj, kërkesat tona kanë konsistuar dhe do të konsistojnë në ndarjen e balancuar të përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit”, tha Isa Mustafa.

Rreziku i zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Seanca konstituive e parlamentit të Kosovës është caktuar për të enjten pasdite, më 26 dhjetor. Nëse në seancën e sotme nuk konstituohet kuvendi, atëherë LVV dhe LDK do të kenë një afat të pacaktuar që të arrijnë marrëveshje, por, në rast se ato deklarojnë dështimin, atëherë Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar. Kuvendi ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet pakicë. Kuvendi cilësohet i konstituuar në momentin kur zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarët që përbëjnë kryesinë e kuvendit. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Kurse tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Dy nënkryetarët e tjerë duhet të vijnë nga komunitetet pakicë./ DW



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *