• |
ide | kryesore

Shefi i Sizmiologjisë tregon përse nuk u regjistrua tërmeti i 26 nëntorit

Arkiva, Lajme, Të fundit



Përgjegjësi i Sizmiologjisë pranë IGJEUM-it, Rexhep Koçi, ka folur sërish për termetin 6.4 ballë të 26 Nëntorit 2019 dhe pasgoditjet që ende vazhdojnë pas 1 muaji. Koçi tha se termeti nuk u mat i plotë për shkak se ikën dritat, ndërsa theksoi se duhen bateri të fuqishme për energji rezerve në stacionet sizmike. Ai tregoi gjithashtu se aktualisht gjermanet kanë ngritur 30 stacione portabel në vendin tonë.

“Situata pastermetore ka një ecuri normale, ka pasur një numër të konsiderueshëm lëkundjesh që do vazhdojnë, por magnituda shumë më e reduktuar. Edhe sot nuk ka pasur impulse… E kemi thënë shpesh se termetet nuk parashikohen, por ajo çka konstatohet është se manifestimi i energjisë tani është më i vogël”, tha Koçi.

Ndërsa i pyetur për termetet e fuqishme që kanë goditur vendin, ngjashëm me atë të 26 nëntorit, Koçi tha se “statistika të sakta nuk ka sepse sizmiologjia është shkence e re, por ngjarje të tilla mund të regjistrohen një herë në 100 vjet. Kështu përkojnë të dhënat: Në Durrës, ka qenë termeti i fortë i vitit 1926 me magnitudë 6.1 dhe tani pas një shekulli termeti i 26 nëntorit 2019 me magnitudë 6.3.”

Matja e tërmetit

Në vendin tonë janë 34 stacione sizmiologjike të vendosura në disa qytete. Ato janë të teknologjisë dixhitale, por problemi qendron tek mirëmbajtja e tyre. Vetë shefi i Sizmiologjisë tha se në këto stacione nuk ka burim energjie rezerve. Edhe termeti i fuqishëm i Durrësit, nuk u mat plotësisht për shkak të mungesës së energjisë.

I pyetur nga gazetarja Fabiola Hoxha për polemikat, mbi magnitudën e këtij termeti, sizmiologu tha se më 26 nëntor është regjistruar vendndodhja e termetit, fuqia (magnituda) dhe thellësia, por koha e termetit nuk është matur dot.

“Në Durrës kemi një stacion, ndërsa do ishte mirë të kishim dy. Atë ditë ka pasur shumë herë ndërprerje të energjise elektrike, ndaj stacioni ka regjistruar vetëm 15 sekondat e para të termetit, më pas iku energjia. Pra nuk është matur i plotë sepse termeti vazhoi për 30 sekonda. Ne kemi 90 për qind të stacioneve në gjithë vendin pa burim energjie rezerve (back-up) kjo ka munguar dhe vazhdon të mungojë prej vitesh”, deklaroi ai.

Kësisoj, Koçi nuk e mohoi neglizhencën e Universitetit Politiknik dhe të institucioneve shtetërore ndaj Departamentit të Sizmiologjisë. “Përpos mirëmbajtjes së stacioneve është është stafi i parinovuar… staf i plakur mes tyre edhe unë. Ne kemi kërkuar që të kualifikohen njerëz për këtë sektor të rëndësishëm, sepse jemi vend sizmik. Pasi ndodhi termeti i 26 nëntorit është interesuar zv.kryeministri Braçe dhe ne kemi bërë prezent problematikën. Gjithashtu janë interesuar ambasada gjermane dhe ajo franceze”, u shpreh ai.

Sakaq, ambasada gjermane, tha ai, ka dhënë ndihmesë konkrete duke sjellë specialistë që po qendrojnë në Shqipëri. “Kanë ardhur ekipe gjermane, kanë vendosur 30 stacione portabël nga rajoni Durrësi-Kavaja e deri në Lezhë dhe do të qendrojnë 3 muaj. Ata do të realizojnë studime dhe do të nxjerrin të dhëna të sakta për aktivitetin sizmik në këtë vatër”, u shpreh sizmiologu Rexhep Koçi./Abcnews



1 Comment

  1. Ja sa te bejme mini-Shengenin, dhe do ti sigurijme baterite. Pa merak. Termeti i ardhshem, do na kape me bateri te reja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *