Ka gjëra të bëra mirë, vend për përmirësime, keqardhje për mundësi të humbura, por në fund të 2019 mund ti gëzohemi një skuadre që luan si skuadër, një trajneri që sapo ka rinovuar kontratën dhe një impianti modern, që në fushatën e ardhshme kualifikuese do të jetë një mbështetje e madhe për të arritur objektivat ambicjozë. Është pikërisht kjo përmbledhja e një viti, që nisi në mënyrën më të keqe për kuqezinjtë, me atë humbje në debutimin me Turqinë në Loro Borici, që i vuri vulën Christian Panuccit në krye të skuadrës. Italiani, që kishte bërë një Nations League katastrofike në krye të Kombëtares, u shkarkua pas ndeshjes, duke u zëvendësuar nga njeriu që në mbrëmjen e ftohtë të Shkodrës ndiqte skuadrën e tij të ardhshme, rastësisht, sic i pëlqen ta thotë zyrtarisht.
Por jo përpara se skuadra ta kalonte fazën tranzitore me një fitore në Andorra. Riformatimi i një skuadre të dërrmuar psikologjikisht, që mbi të gjitha kishte humbur besimin tek vetja ishte sprova e parë e 74 vjecarit, që skepticizmin për moshën e tij duhet ta shuante në Islandë. E bëri me performancë loje, por jo rezultati, gjë që e arriti në qershor me fitoren 2-0 në shtëpi ndaj Moldavisë. Dilemat e një skeme të preferuar të Rejas, atë 3-5-2 që u bë e aplikueshme në të gjitha ndeshjet e ndezi disfata e Parisit, me 4-1 kundër Francës që la shije të hidhur e konfirmoi se një si Roshi nuk e gjen veten, se Hysaj sakrifikohet se skuadra nuk e ka edhe aq të thjeshtë ta interpretojë.
Përgjigjet Reja i dha me një bosht të ri skuadre, nga Dermaku në mbrojtje, që u bë lideri i ri, duke bërë të harrohet Mavraj, gladiatori i mesfushës Gjasula, zbulimi më i bukur edhe pse në moshë të pjekur, aq sa tekat e Xhakës e Grezdës të mos e vinin në vështirësi teknikun, ndërsa shpluhërimi i Bares, Manajt e Cikalleshit solli freskinë e fitoreve me Islandën, e më pas në Moldavi, duke fiksuar edhe dy rekorde: golat më të shumtë të shënuar në një ndeshje eleminatore dhe fitoren më të thellë jashtë fushe në kualifikuese. Në fund pikët mbeten 13 dhe rekordi tjetër që dëshironte Reja, ajo e më shumë pikëve në grup, nuk u arrit me barazimin e turpshëm në shtëpi me Andorrën, tre ditë përpara se të niste festa e inaugurimit të një shtëpie të re të kombëtares, një stadium modern, që kundër Francës, nisi vërtetë me humbje, ndoshta e pashmangshme, por që në të ardhmen premton ti kthejë favorin e munguar në 90 minutave kundër kampionëve të botës, kuqezinjve…