• |
ide | kryesore

Superiore, festa me borxhe mbytëse: pesë ndër dhjetë klube të fundosura

F1, Sport



Vit i ri avaze të vjetra. Borxhet janë problemi më i madh i 2019 dhe shqetësimi gjithashtu i 2020 për klubet shqiptare. Këtu mbartja e borxheve është proces me të cilën klubet janë mësuar aq shumë, sa është bërë karakteriale dhe nuk është 2020 që do ta ndryshojë këtë situatë. E kështu buxhetet e miratuara nga një pjesë e atyre që administrohen nga Bashkitë nuk dalin as për të përballuar gjysmën e mbetur të sezonit, e jo më të mendohet të futen në forcë për uljen e borxheve të akumuluara.

Për të gjetur dikë që nuk ka detyrime të prapambetura në këtë fund viti duhet të kërkosh gjatë, e madje edhe mund të mos gjesh. Flamurtari e Luftëtari janë të mbytura prej kohësh dhe nuk guxojnë as të kundërshtojnë fatin e zi. Gjirokastritët nuk kanë as buxhet të miratuar nga Bashkia, Flamurtari bëhet qesharak në Vlorë me 10 milionë lekë të vjetra, që nuk i del as për shpenzime transfertash. Më e shqetësuar duhet të jetë Tirana që siguroi Licensimin ashtu si dy të tjerët por edhe Skënderbeu, përmes marrëveshjeve që shtyjnë kohë, por nuk zhdukin borxhin, që vazhdon të jetë i konsiderueshëm, pavarësisht pretendimeve të Halilit për uljen nga 2.7 miliardë në 300 milionë lekë, pa llogaritur këtu gjyqet me tatimet.

Në listë është edhe Vllaznia, që i kishte varur shpresat tek buxheti vjetor, por me 440 milionët e miratuar nga Këshilli Bashkiak, gjërat nuk përmirësohen fare. Situata e detyrimeve të prapambetura të klubit Vllaznia, qoftë ndaj të tretëve, ishlojtarëve, subjekteve apo institucioneve të ndryshme dhe detyrimet ndaj drejtorisë rajonale të Tatimeve ka shkuar në rreth 1 miliard e 500 milionë lekë të vjetër, gjë që vështirë se përfundon me likuidim. Kështu, gëzuar festat të gjithëve, deri në licensimin e ardhshëm të FSHF-së mund të gjejmë një tjetër marrveshje…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *