• |
ide | kryesore

Vit i Ri në Kenia: Luiza Gega stërvitet me atletë “lepuj”

Sport



Luiza Gega është e para sportiste që është kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Për një përgatitje më të mirë për të gjitha garat e sezonit të ardhshëm, Luiza Gega ndodhet që më 7 dhjetor në Kenia në periudhë përgatitore. E që nga data 15 dhjetor, po në Kenia, asaj i është bashkuar trajneri Taulant Stërmasi. Dhe deri më 27-28 janar ata do të jenë atje në vazhdim të periudhës përgatitore: “Ky grumbullim është shumë i rëndësishëm për atleten pasi është baza e garave verore – tregoi Stërmasi -. Sigurisht që pjesë do të jenë edhe garat testuese në sallë. Deri tani stërvitja është duke shkuar shumë mirë. Luiza e ndjen veten shumë mirë. Po punojmë me volume që në fakt janë shumë më të larta se çfarë kemi punuar më përpara. Sigurisht që janë përgatitje shumë të rëndësishme, sepse jemi në vitin më të rëndësishëm, që është viti olimpik, ndërsa jemi në prag të pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Një sërë aktivitetesh ndërkombëtare, por dhe objektiva të qarta, ndërsa Stërmasi rrëfen veprimtaritë ku Gega mund të marrë pjesë gjatë 2020-ës. “Do të veçoja dy aktivitete shumë të rëndësishme që janë Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe Kampionatin Evropian, i cili bëhet menjëherë dy javë pas këtyre Lojërave, në Paris. Janë gara shumë të rëndësishme, ku atletja Luiza Gega do të japi maksimumin. Dhe kjo si pasojë e punës, përkushtimit, vetëmohimit, por sigurisht dhe talentit. Sepse Luiza Gega ka gjetur kushtet e duhura të stërvitjes për garat e gjata, apo dhe ato teknike. Ka dhe atletë të tjerë, të cilët e ndihmojnë atë gjatë stërvitjes. Ka nga ato kenianë, që kur Luiza ka nevojë, i bëjnë lepurin”.

“Objektivat janë për të marrë pjesë dhe në garat e dimrit, të cilat nisin në fund të janarit. Ndërkohë që do të bëjë 3000 metra, sepse në salla nuk ka 3000 metra me pengesa. Për 3000 metra me pengesa do të vendosim më vonë, por do të jetë një garë testuese. Sakaq garat do të nisin në Karlsruhe në fund të janarit. Do të kemi besoj dhe dy gara testuese, ndoshta mund të marrim pjesë në Kampionatin Ballkanik, por t’ia lëmë kohës. Mund të jetë opsion dhe garimi në Kampionatin Botëror të sallave të mbyllura në Nanjing të Kinës në mars. Do ta shohim”, shpjegon Stërmasi.

Ndërkohë së bashku me Luiza Gegën, në Kenia është duke u stërvitur dhe David Nikolli, një tjetër atlet potencial në garat e mesme dhe të thellësisë, 800, 1500 dhe 3000 metra.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *