• |
ide | kryesore

Kush është Qassem Soleimani, vrasja e të cilit po fut SHBA-të në një luftë të re

F1, Planet



Gjeneral Majori iranian Qassem Soleimani, komandanti i Forcave elitë Quds të Gardës Revolucionare, ka ndihmuar Iranin të luftojë përmes palëve të treta në mbarë Lindjen e Mesme. Ai nxiste forcat paraushtarake në terren dhe negocionte me udhëheqësit politikë. Vdekja e tij të premten nga një sulm ajror ndaj autokolonës së tij në aeroportin e Bagdatit shënoi fundin e drejtuesit të operacioneve të zbulimit dhe operacioneve të fshehta ushtarake të Iranit jashtë vendit. Pentagoni tha se sulmi ajror synoi të dekurajonte sulme të ardhshme të Iranit.

Qassem Soleimani ishte drejtues i operacioneve klandestine të Iranit jashtë vendit. Ai shihej shpesh në fushëbetejë duke udhëhequr grupe shiite në luftën kundër Shtetit Islamik. Vdekja e tij të premten nga një sulm ajror ndaj autokolonës së tij në aeroportin e Bagdatit shënoi fundin e një njeriu të mirënjohur në vendin e tij dhe të mbajtur nën vëmendje nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe rivali kryesor i Teheranit, Arabia Saudite.

Bashkë me të u vra një nga komandantët e milicive irakiane, Abu Mahdi al-Muhandis. Të dy shihen si heronj të luftës së Iranit dhe televizioni shtetëror i mbuloi me lëvdata menjëherë pasi u njoftua vdekja e tyre.
Televizioni tregoi pamje të tij me Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, si dhe në zona lufte me uniformë ushtarake, madje edhe kur sapo ishte diplomuar dhe drejtonte një njësi gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980-të.

Soleimani ngjiti me shpejtësi rangjet e Gardës Revolucionare të Iranit dhe u bë komandant i Forcave Quds, ku ndihmoi Iranin të krijonte aleanca në Lindjen e Mesme, ndërkohë që vendi u gjend nën presionin e sanksioneve amerikane që kanë dëmtuar ekonominë e Republikës Islamike.

Shtetet e Bashkuara e shpallën Gardën Revolucionare organizatë të huaj terroriste në 2019-tën, si pjesë e një fushate presioni maksimal për të detyruar Iranin të negocionte programin e tij të raketave dhe politikën bërthamore.

Soleimani u përgjigj në atë kohë duke thënë se: çdo negociatë me Shtetet e Bashkuara do të ishte “një dorëzim i plotë”.
Forcat e tij Quds rritën mbështetjen për Presidentin sirian Bashir al-Assad kur ai ishte pranë humbjes në luftën civile që shpërtheu në 2011-tën, si dhe ndihmuan milicitë që luftonin Shtetin Islamik në Irak.

Sukseset e këtyre forcave e zhvendosën Soleimanin në epiqendër të përpjekjes për shtrirjen e vazhdueshme të ndikimit të Iranit në Lindjen e Mesme, shtrirje të cilën janë munduar ta kufizojnë Shtetet e Bashkuara dhe kundërshtarët rajonalë të Teheranit, Arabia Saudite dhe Izraeli.

Ajatollahu Khamenei e bëri Soleimanin kreun e Forcave Quds në vitin 1998, një post ku ai ruajti një profil të ulët për shumë vite, ndërsa forconte lidhjet e Iranit me Hezbollahun në Liban, me qeverinë e Assadit në Siri, si dhe me milicitë shiite në Irak.

Gjatë viteve të fundit, ai mori një staturë më publike. Luftëtarët dhe komandatët në Irak dhe Siri postonin në mediat sociale imazhe të tij në fushëbetejë.

Autoriteti i tij në rritje brenda hierarkisë ushtarake në Iran u shpalos në 2019-tën, kur Khamenei i dha atij Urdhërin e Zolfiqar-it, medalja më e lartë ushtarake e Iranit. Kjo ishte hera e parë që medalja i jepej një komandanti ushtarak, që nga krijimi i Republikës Islamike në vitin 1979.

Në një deklaratë pas vdekjes së Soleimanit, Ajatollahu Khamenei tha se “kriminelët” që e vranë i pret një hakmarrje e ashpër. Udhëheqësi iranian shtoi se vdekja e tij, megjithëse e hidhur, do të dyfishojë rezistencën ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Soleimani ishte gjithashtu drejtues i operacioneve të zbulimit dhe të operacioneve të fshehta ushtarake të kryera nga Forcat Quds. Në vitin 2018-të, ai sfidoi publikisht Presidentin amerikan Donald Trump.

Soleimani, i njohur për tonin e tij të butë, lindi në një familje bujqërish në Rabor, në juglindje të Iranit, më 11 mars 1957.

Në kulmin e luftës civile mes militantëve sunitë dhe shiitë në Irak në vitin 2007, ushtria amerikane akuzoi Forcat Quds se furnizonin me paisje shpërthyese të improvizuara militantët shiitë, të cilat morën jetët e shumë ushtarakëve amerikanë.

Soleimani pati një rol edhe më të madh në Siri. Vizita e tij në Moskë në verën e vitit 2015, ishte hapi i parë drejt planifikimit të ndërhyrjes ushtarake ruse që ndryshoi drejtimin e luftës siriane dhe krijoi një aleancë të re Iran – Rusi në mbështetje të Assadit.

Aktivitetet e tij e vendosën atë në epiqendër të sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit, së bashku me Forcat Quds, për mbështetjen ndaj organizatës Hezbollah në Liban dhe ndaj grupeve të tjera të armatosura, për rolin e tij në Siri në shtypjen e lëvizjes popullore, si dhe për përfshirjen e tij në një tentativë për të vrarë ambasadorin saudit në Shtetet e Bashkuara. /VOA



1 Comment

  1. Jam Saimir Kumbaro dhe per momentin drejtoj FMAA, forumin e mbrojtjes se pronesise intelektuale. Forumi yne eshte regjistruar ne Gjykaten e Tiranes ne vitin 2002 si shoqate e pamvarur jo fitimprurese. Shteti shqiptar ka aderuar ne Konventen e Bernes ne vitin 1994 e cila u nje eskluzivisht autoreve te drejten e pronesise mbi veprat e tyre. Por c’ndodh ne realitet ne Shqiperi? Platformar digitale piratojne filma vendas te prodhuara nga ish Kinostudio dhe i tregetojne pa autorizim nga QKK ( qendra kombetare e kinematografise) dhe pa lejen me shkrim te FMAA! Piratimi vazhdon . Ju lutem kerkojme ndihmen e ” lapsit .com.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *