• |
ide | kryesore

Video/ Inter pushton San Paolon pas 22 vjetësh: Lukaku e Lautaro kapin Juventus

F1, Sport, Video



Nuk fitonte prej 1997 në San Paolo, por në mbrëmjen e javës së parë të 2020 Inter merr atë që i takon me fitoren 1-3 që e pozicionon krah Juventus në krye të Serie A. Katërmbëdhjetë minuta i janë dashur Romelo Lukakut për të kaluar në avantazh Inter në San Paolo përballë Napolit. Një transfertë ku zikaltrit nuk fitojnë prej më shumë se 22 vjetësh, por ambicja për të ndjekur Juventus ishte një stimul shumë i madh. Lukaku është një furi dhe ndëshkon prapavijën e Gattuso në rastin e parë që i paraqitet, duke e bërë më të thjeshtë ndeshjen për skuadrën e Conte. Hysaj në këtë rast ka gjithë peshën për koridorin që i lejoi qendërsulmuesit të Inter.

Spektakël në San Paolo, por ishte gjithnjë Inter që komandoi ndeshjen, pavarësisht dëshirës së Napolit për të mos thyer serinë e pathyeshmërisë përballë zikaltërve. Lukaku shënoi edhe golin e dytë për skuadrën e Conte, duke konfirmuar zgjedhjen e duhur të teknikun nga Lecce, që këmbënguli për ta marrë në skuadër.

Në minutën e 33 belgu fiksoi dygolëshin personal, por Napoli nuk hoqi dorë dhe përpara se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes, ngushtoi distancën në 2-1. Milik shënoi golin e shpresës për napoletanët, pikërisht 6 minuta nga fundi i pjesës së parë.

Vetëm se nuk mundi të vazhdojë të shpresojë gjatë Napoli, sepse Inter nuk gaboi asgjë nga mundësitë që i jepen. E këtë herë ishte shumë e thjeshtë për Lautaro, të mbyllë historinë me golin e tretë, duke përfituar nga një gabim skandaloz i mbrojtjes napoletane. Argjentinasi shënoi golin e 1-3 në minutën e 62, duke i dhënë qetësinë Conte dhe Inter tre pikë që e ngjisin në kuotën e 45 pikëve, po aq sa Juventus.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *