• |
ide | kryesore

I riu harrohet në burgun e Shënkollit, prokurorët ishin me pushime

Lajme, Të fundit



Një i ri nga Laçi, i dënuar për dhunë në familje është “harruar” në burgun e Shënkollit, duke bërë 38 ditë më shumë, nga sa ishte dënuar. Shkaku, vendimi i gjykatës për lirimin e tij ‘flinte’ në sirtarët e prokurorisë.

Fiks Fare trajtoi rastin e të riut nga Laçi i cili vitin e kaluar, në periudhën korrik – gusht “u harrua” në burgun e Shënkollit, Lezhë. Për shkak të natyrës së veprës penale, dhunë në familje, i riu kërkoi të mbetej anonim por nuk ngurroi që historinë e tij ta ndante në Fiks Fare.

Gjatë gjithë kohës ai pretendonte se ishte i pafajshëm dhe se ndaj tij ish ushtruar dhunë nga i ati. Pas ankesës së të atit, ai ishte arrestuar dhe nga prokuroria ishte ngritur akuza edhe e kundërshtimit të forcave të rendit gjatë arrestimit. Ai kërkoi nëpërmjet Fiksit që historia e tij të zbardhet dhe se dikush duhet të mbajë përgjegjësi për 38 ditë që iu hoq liria pa të drejtë.

Fillimisht ai u interesua pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin ku sekretarët e informuan se sipas dokumentacionit është prokuroria ajo që e ka nisur me vonesë urdhërin e ekzekutimit dhe se shteti duhet ta dëmshpërblejë një më një për ditët tepër që ka kaluar në burg. Ndërsa për sa i takon pretendimit të pafajësisë duhet hapur një tjetër proces.

Sipas dokumentacionit, urdhri i lirimit për të burgosurin, duhet të kishte dalë më datë 24 gusht të vitit 2019. Por ky urdhër ka dal plot 38 ditë me vonesë, më datë 30 shtator 2019. Këtë fakt e pranon edhe Prokuroria e Rrethit Kurbin. Kjo e fundit në përgjigjen zyrtare për Fiks Fare, pretendon se sipas të dhënave të protokollit të Prokurorisë Kurbin, me shkresën nr 4029 dt 05.06.2019, urdhri i ekzekutimit është dërguar për zbatim I.E.V.P Shënkoll Lezhë, për të dënuarin, nëpërmjet shërbimit postar.

Në komunikim me I.E.V.P Shënkoll më datë 30.09.2019 është pretenduar se urdhri nuk ka vajtur dhe është ridërguar me postë e-mail zyrtar pranë I.E.V.P.

Lidhur me periudhën që i dënuari ka qëndruar në burgim përtej vendimit gjyqësor, i lind e drejta e kompensimit. Prokuroria gjithashtu njofton se për rastin në fjalë po verifikohet procedura e ndjekur lidhur me komunikimet e urdhrit me postën Laç dhe I.E.V.P Lezhë. /Top Channel



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *