• |
ide | kryesore

E njëjta skemë/ Si u liruan nga burgu ‘kapot’ e bandës së Durrësit

Kryesore, Lajme



Banda famëkeqe e Durrësit i ka tashmë jashtë qelisë të dy ‘kapot’ e saj. Sot gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha, dha vendimin për lirimin e Endrit Dokles. Në dhjetor të vitit 2016 fitoi lirinë nga burgu Lulzim Berisha. Duket se në të dyja rastet është përdorur e njëjta skemë nga gjyqtarët. Fillimisht Berishesh dhe Dokles iu hoqën vendimet për dënim të përjetshëm, më pas iu falen vitet e mbetura të burgut dhe u liruan me kusht për 5 vite.

Endrit Dokle

Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Më pas iu hoq dënimi i përjetshëm duke i lënë 25 vite burgim, por teksa ka kryer 3/4 e dënimit, gjykata e Krujës vendosi lirimin e tij. Vendimi është dhënë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila ka liruar më parë nga burgu edhe persona të tjerë me dënime të rënda. Dokle kërkoi rrëzimin e dënimit të përjetshëm në vitin 2017, por atëherë Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e tij. Dokle ishte i vetmi nga anëtarët e bandës së Durrësit i dënuar përjetësisht. Sipas vendimit, rezulton se Endrit Dokle ka një kontratë punësimi me kompaninë “Mato Konstruksion”, e cila është në administrim të biznesmenit Agim Çako.

Kontrata e kompanisë me Doklen është firmosur që në tetorin e vitit 2019, dhe sipas saj, i sapoliruari nga burgu do të paguhet 350 mijë lekë të vjetra në muaj, plus edhe sigurimet shëndetësore. Pozicioni ekzakt i punës nuk dihet ende. Për një periudhë tre mujore ai do të jetë në provë, më pas do të firmosë kontratë punësimi 1-vjecare.  Bisnesmeni 60-vjeçar, është gjithashtu administrator i shoqërisë “A&A OIL 10” dhe në vitin 2016 është shpallur në kërkim nga policia për fshehje të të ardhurave. Sipas njoftimit zyrtar, të bërë në atë kohë nga Policia e Fierit, Agim Çako akuzohej se i kishte fshehur shtetit shqiptar të ardhurat për 5247,89 ton naftë bruto, konkretisht 179.594.750 Lekë.  Gjatë periudhës 5-vjecare të lirimit me kusht, Dokle nuk duhet të shoqërohet me persona me precedentë penalë apo të mbajë e përdorë armë zjarri.

Lulzim Berisha

Vendimi për lirimin e tij rreth 3 vite më parë u dha nga Gjykata e Apelit të Durrësit. Trupa gjyqësore kryesohej nga Arben Vrioni dhe me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin. Ata renditën nëntë argumente në favor të lirimit të Lulzim Berishës, ku më kryesori është kushti i kryerjes së ¾ të dënimit sipas përcaktimit të nenit 64 të Kodit Penal. Shto këtu ‘sjelljen shembullore gjatë kohës së qëndrimit në burg’, si dhe një kërkesë  të dërguar nga Bashkia Durrës, e cila merre përsipër edhe punësimin e tij.

“Bashkia Durrës, duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat,” citohet shkresa e Vangjush Dakos në vendimin e lirimit. Për të mbërritur tek lirimi i Lulzim Berishës, edhe për të ishte prishur më parë dënimi me burgim të përjetshëm.

Pas 8 seancash gjyqësore, Gjykata e Lartë vendosi në vitin 2014 me 5 vota pro dhe 2 kundër të heqë dënimin me burg përjetë për Lul Berishën, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dhe të caktojë masën e dënimit që parashikon vrasja me paramendim. Ai u dënua përfundimisht me 25 vjet burg. Pesë gjyqtarët që morën vendimin në favor të të fortit të Durrësit, të kryesuar nga kreu i Kolegjit Penal Shkëlzen Selimi, argumentuan me faktin se ai duhej dënuar me ligjet e kohës në të cilën ishin kryer krimet (19998 – 2000) dhe se në atë kohë nuk ekzistonte në ligj koncepti i “organizatës kriminale”, një prej akuzave për të cilat ishte dënuar. Duke i hequr këtë akuzë, ai u dënua vetëm për vrasje me paramendim, akuzë që parashikonte 25 vjet burg si dënim maksimal në vitet 98 – 2000. Ardian Dvorani dhe Admir Thanza kanë votuar kundër.

Sot është fakt që dy ‘kapot’ e bandës famëkeqe të Durrësit janë të lirë. Shfrytëzuan natyrisht sistemin e kalbur gjyqësor në Shqipëri dhe lidhjet okulte me politikën.

Banda dhe krimet e kryera

Banda kriminale e Durrësit funksiononte që prej vitit 1994. Lul Berisha dhe Endrit Dokle, së bashku me 16 persona të tjerë, pjesë e bandës, janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore.

Sipas Prokurorisë, banda është autore e një sërë vrasjeve të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, si vrasja e Dritan Sallakut, më 17 tetor 1998, në qytetin e Durrësit, e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit. Ndërsa në vitin 1999, pasi kishin dështuar një vit më parë për vrasjen e Sotirit, i cili ishte plagosur, organizata ndërmori një aksion dhe e ekzekutoi atë më 22 gusht në zonën e Plazhit.

Në vitin 2000, banda akuzohet për vrasjen e Dritan Dishës, më 9 qershor, në fshatin Shenavlash të Durrësit. Ndër vrasje të tjera është edhe e Ervin Lames, më 14 janar 2002, në Lagjen nr. 3 të qytetit të Durrësit. Pas vrasjes së Saliut, organizata që u vendos nën drejtimin e Dokles akuzohet për vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005, në Tiranë. Kufoma e Gashit u hodh në fshatin Romanat të Durrësit. Ndërsa më 30 tetor 2005, organizata e Endrit Dokles ekzekutoi në Tiranë, pranë stadiumit “Qemal Stafa”, Ilir Koldashin. Për qëllimet e tyre, drejtuesit e “Bandës së Durrësit” përdornin edhe vrasës me pagesë.

©LAPSI.al



8 Comments

  1. Nje pyetje per komentuesit e mavijosur. Pasi na cate k… per gjyqtaret e plepave per vetingun per SPAKUN e te tjera ,si ka mundesi qe ne kohen e Berishes te gjithe keta personazhet hyne ne burg dhe ne kohen e Psikorames te gjithe dolen jashte?

    1. Duhet me i besuar shkrimet e banjes boterire qe thote qe ne shqiperi do ngelin vetem500.000 banore dhe me moshe mesatare 70 vjeç..ne kete vend shkerdhate me politane prokuror gjyghetar dhe drejtua hajduta mis prisne me shume..tani kriminelat po na behen buznesme o popull k..re dele dhe matuf.

  2. Jo se nuk besonit ju të reforma në drejtësi ????? A prisnim këtë reformë ? Fakirat për bukën e gojës kalben burgjeve kapo kriminelët gëzojnë lirinë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *