• |
ide | kryesore

Apelohet vendimi, prokuroria rendit 4 shkeljet e gjyqtares që liroi Endrit Doklen

Lajme, Të fundit



Prokuroria e Krujës pas apelimit të vendimit për lirimin nga burgu të Endrit Dokle ka paraqitur relacionin në të cilat rendit të gjitha shkeljet që gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka kryer në lidhje me vendimin që ajo mori ditën e martë për lënien e lirë të një të dënuari me burgim të përjetshëm.

Prokuroria renditi 4 shkelje të kryera nga gjyqtarja Hoxha, ku përfshihet periudha e vuajtjes së dënimit nga i pandehuri, arsyet se pse nuk duhet të përfitonte lirim me kusht, llogaritja gabim e kohës së lirimit me kusht dhe sjellja e tij gjatë vuajtjes së dënimit.

Prokuroria tha se Dokle është përsëritës i dënimeve të kryera me dashje dhe si një i dënuar me burgim të përjetshëm nuk duhet të përfitonte lirim me kusht pa vuajtur të paktën 35 vite burg. Në lidhje me “sjelljet shembullore” dhe riintegrimin e tij në shoqëri, prokuroria thekson se nuk ka prova të qarta se Endrit Dokle nuk përbën më një person me rrezikshmëri në shoqëri.

Me renditjen e këtyre arsyeve prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Hoxha, pasi nuk ofronte garanci për të qenë e paanshme në këtë proces gjykimi dhe nuk ka krijuar një proces të rregullt dhe ligjor gjyqësor.

Një nga shkeljet e lirimit me kusht të Dokles është periudha e vuajtjes së dënimit, ku i dënuari duhet të ketë kryer pjesën më të madhe të dënimit dhe sipas llogaritjen Dokle ka kryer rreth 20 vite burg.

“Koha e vuajtjes së dënimit nuk plotëson kushti kryesor e cila përbën një parakusht procedural pa të cilën gjykata nuk mund të analizojë arsyet e veçanta që të legjitimojnë lirimin e tij përpara se të përfundojë dënimin e dhënë për të” shprehet prokuroria.

Në shkeljen e dytë është fakti se përfituesi i lirisë me kusht nuk duhet të ketë kryes krime të përsëritura dhe në rastin e Dokles, prokuroria vlerëson se “Kërkuesi është përsëritës për krime të kryera me dashje, ku është deklaruar fajtor për veprën penale Grup i strukturuar kriminal dhe trafikimi i narkotikëve”

Në lidhje me identifikimin e “arsyeve të veçanta” dhe sjelljes shembullore si një nga kushtet thelbësore për aplikimin e lirimit me kusht, prokuroria vlerëson se nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm. “Kjo mund të lejohet vetëm, kur i dënuari mund të ketë kryer jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim dhe gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij. Në çështjen objekt gjykimi rezultoi se kërkuesi nuk plotësonte kushtet çka nënkupton se nuk provohet ekzistenca e arsyeve të veçanta apo sjelljes shembullore, nuk ka vuajtur as 25 vite sipas ligjit para ndryshimeve dhe as 35 vite sipas ligjit në fuqi nga dënimi i dhënë. Kërkuesi konsiderohet se ka vuajtur rreth 20 vite pra nuk ka plotësuar kohën e vuajtjes së dënimit” shprehet prokuroria.

Edhe llogaritja gabim nga gjykata e kohës së provës është një tjetër shkelje e gjyqtares, ku prokuroria thekson se “koha e provës do të jetë e barabartë me kohën e mbetur të masës së dënimit me burgim, për të dënuarin që lirohet me kusht.” Pra gjykata ka gabuar në zbatimin për analogji të kohës e caktuar dhe ka caktuar në mënyrë jopropocionale dhe ligjore kohën e shërbimit në provë vetëm për 5 vite.

Më 14 janar gjyqtarja Enkelejda Hoxha pranoi kërkesën e ish-numrit dy të bandës së Durrësit, Endrit Dokle duke i shuar dënimin përjetë dhe dënuar përfundimisht me 25 vite ku 5 vitet e fundit u konvertuan në shërbim prove për shkak të sjelljes së tij të mirë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *