• |
ide | kryesore

Shkarkimi nga Rama, flet Ilir Meta: Akuzat e Kuvendit njëpartiak më bëjnë nder

Arkiva, Lajme, Të fundit



Në një intervistë për Abcnews presidenti Ilir Meta, ka folur për Komisionin Hetimor të ngritur nga Parlamenti për shkarkimin e tij. Sipas Metës, “ky Komision po vazhdon të operojë në mënyrë anti-ligjore dhe anti-kushtetuese, pasi presidenti mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rënda kushtetuese, të natyrës që mund të cënojnë sovranitetin e vendit”.

Duke hequr një paralele mes vetes, kryeministrit dhe Parlamentit, Meta thotë se presidenti vepron përmes dekreteve ashtu si parlamenti vepron përmes ligjeve. “Shumë ligje të Kuvendit dhe Vendime të Qeverisë janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese por ata nuk janë shkarkuar nga detyra”, theksoi kreu i shtetit duke lënë të kuptohet se dekretet e firmosura prej tij janë pjesë e veprimtarisë së tij, dhe nuk përbëjnë kusht për shkarkim.

Intervista e plotë:

Gazetarja (Mimoza Koçiu): Sot është 21 janari, një datë që nuk është shumë e këndshme me çfarë ka ndodhur nëntë vite më parë.Unë do të doja një reflektim të shpejtë nga ju, si President i Republikës dhe si politikan?
Presidenti Meta: 21 janari është një datë shumë e rëndësishme, sepse është dita e Kongresit të Lushnjes. Ne sot kemi 100-vjetorin e kësaj ngjarjeje, më e rëndësishmja pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, pasi në vetvete është një rivendosje e pavarësisë dhe e organizimit të shtetit shqiptar dhe e të gjitha institucioneve, por edhe një fillim i parlamentarizmit në Shqipëri. Në këtë drejtim është një nga ditët më të rëndësishme të shtetformimit tonë dhe që na kujton se sa e rëndësishme është që të forcojmë institucionet. Sa i takon 21 janarit tjetër, sigurisht që nuk kemi asnjë arsye për t’u krenuar. Është një ngjarje që na kujton se sa tragjike është kur opozita përdor dhunën për të arritur objektiva politike të pandershme. Dhe se sa e rëndë është kur instrumentalizohen qytetarët për qëllime të tilla, sidomos kur nxiten në rrugën e dhunës. Kjo ngjarje na kujton se duhet të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga dhuna si një mjet i arritjes së qëllimeve politike.

Gazetarja: Do të doja të ndaleshim në situatën tuaj aktuale, sepse jeni i pari President për të cilin ka nisur një procedurë shkarkimi. Puna e komisionit hetimor është rritur sërish…
Presidenti Meta: Jam krenar për faktin që jam akuzuar nga një parlament njëpartiak pse kam mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe mbi të gjitha, pse kam mbrojtur pluralizmin politik,themelin mbi të cilin ndërtohet i gjithë sistemi politik dhe shtetëror në Republikën e Shqipërisë, ku bazat janë zgjedhjet e lira e të ndershme.

Gazetarja: Është shtuar objekti i komisionit hetimor ndaj jush. Pra palët edhe një herë i drejtohen Komisionit të Venecias. Po i drejtoheni sërish me pyetje të reja, çfarë do të kërkoni tashmë?
Presidenti Meta: Është një absurditet vazhdimi në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese i këtij komisioni hetimor. Por për mua nuk përbën një shqetësim. E kam thënë edhe më parë që e mira është ta zgjasin afatin deri në 24 korrik të vitit 2022. Presidenti mund të shkarkohet apo të hetohet vetëm për shkelje të rënda kushtetuese, të cilat janë të atij karakteri që mund të cenojnë sovranitetin apo integritetin e Republikës së Shqipërisë. Presidenti nuk mundet të hetohet kurrsesi apo të shkarkohet për shkak të akteve që ai nxjerr dhe të dekreteve të tij, sepse Presidenti vepron përmes dekreteve ashtu si parlamenti vepron përmes ligjeve. Sa ligje dhe sa vendime qeverie, Gjykata Kushtetuese, përpara se të paralizohej, i ka rrëzuar parlamentit apo qeverisë së Ramës?! Me dhjetëra! Nuk kemi parë që parlamenti të jetë rrëzuar apo qeveria të jetë shkarkuar. Kjo është një lojë politike që tregon shqetësimin e madh që ka mazhoranca aktuale për qëndrimet mjaft të qarta, kushtetuese, parimore dhe transparente të Presidentit të Republikës. Në këtë drejtim kjo gjë mua më bën nder.

Gazetarja: Për çfarë do ta pyesni Komisionin e Venecias, tani pas shtesës së re të hetimit të objektit?
Presidenti Meta: Nuk ka qenë qëllimi im për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias. Por për shkak se Parlamenti ka ndërmarrë një nismë të tillë për të vënë në diskutim sipas tij, kompetencën kushtetuese të Presidentit të Republikës, edhe unë isha i detyruar, për të bërë të njëjtën gjë për Parlamentin. Në qoftë se do të ishit e vëmendshme, Kuvendi ende, edhe pas më shumë se sa tri javë, edhe pse presupozohet se është institucion i përbërë nga forca të ndryshme politike, një institucion transparent dhe jo monokratik, ende nuk ka publikuar të gjithë parashtrimin apo komunikimin zyrtar të Kuvendit me Komisionin e Venecias.

Komisioni i Venecias është i detyruar të vihet në lëvizje nga ana procedurale sa herë që një parlament ia kërkon, por në rastin konkret kemi të bëjmë me një situatë absurde për arsye sepse nuk kemi se çfarë t’i interpretojmë Kushtetutës kur Kushtetuta e ka shprehur shumë qartë se si ndërtohet Gjykata Kushtetuese, pra e balancuar: tre anëtarë zgjidhen prej Presidentit, tre nga parlamenti, tre nga Gjykata e Lartë. Jo vetëm kaq, por edhe në një radhë të përcaktuar në Kushtetutë. Presidenti emërimin e parë, parlamenti emërimin e dytë, Gjykata e Lartë të tretin dhe pastaj përsëri në këtë mënyrë.

Gazetarja: A mendoni se po fitojnë kohë? Për faktin se nuk duan të bëjnë shkarkimin tuaj, por po e përdorin si një mjet për t’ju bërë presion?
Presidenti Meta: Së pari nuk ekziston mundësia nga asnjë fuqi në botë që të më bëjë mua presion në raport me Kushtetutën, në raport me ligjin dhe në raport me bindjet e mia politike.

Gazetarja: Apo nuk e kanë seriozisht?
Presidenti Meta: Kjo vetëm tregon se sa jo serioze është situata në raport me funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Komisioni i Venecias e tha shumë qartë herën e parë se pretendimet e Kuvendit nuk hyjnë kurrsesi në ato raste kur Presidenti mund të hetohet apo të shkarkohet. Kjo është tepër e qartë. Dëshira e tyre është thjesht një vetëdemaskim se ku qëndron burimi i të gjithë krizës institucionale dhe demokracisë në Shqipëri.

Në këtë vend, ku kemi një kontroll absolut nga vetëm një parti,të Kuvendit, të pushtetit vendor, të shumicës së gjithë institucioneve të pavarura të kontrolluara nga ky kuvend, dhe një kontroll të plotë të të gjitha instrumenteve të vetting-ut dhe realisht të zbatimit apo të keq zbatimit të vetë reformës në drejtësi, kemi një pengesë që është Presidenti i Republikës, që është një institucion i pavarur dhe njëkohësisht i patrembur.

Gazetarja: Ndryshe paraqitet situata nga kampi tjetër. Në fakt ju keni këtë situatë në parlamentin me mazhorancës.
Presidenti Meta: Unë e kam situatën shumë të thjeshtë, sepse unë i referohem Kushtetutës dhe vetëm Kushtetutës. Në çdo rast mund t’jua tregoj në Kushtetutë se të gjitha veprimet e Presidentit janë mjaft solide. Është Presidenti ai, i cili ka kërkuar bashkëpunim me Kuvendin dhe kjo është e dokumentuar zyrtarisht. Janë disa shkresa, disa qëndrime publike, janë të gjitha të dokumentuara dhe zyrtare, ku Presidenti i kërkon Parlamentit bashkëpunim që të dyja institucionet të mos përplasen, por të respektojnë Kushtetutën dhe të mos dëmtojnë besueshmërinë e vetë Gjykatës Kushtetuese. Siç e dimë, nuk ka pasur asnjë përgjigje nga ana e Parlamentit. Është Presidenti që i ka kërkuar KED-së, dhe në veçanti kryetarit të KED-së, i cili nuk ka asnjë kompetencë nga ato për të cilat ai është kallëzuar penalisht në Prokurori, që të respektojë Kushtetutën, të respektojë radhën kushtetuese të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu që të kryejë detyrat e tij që ta ndihmojë Presidentin të mos e shkelë Kushtetutën. Të njëjtën gjë të mos e bëjë as parlamenti dhe askush tjetër në interes të një procesi legjitim dhe të besueshëm të krijimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, Presidenti i Republikës gjithmonë ka kërkuar, i ka paraprirë dhe ka bërë gjithçka për të evituar përplasjet dhe për të mos u vendosur as vetë në një pozitë të vështirë në raport me Kushtetutën dhe ligjin, por as institucionet e tjera në këtë rast, që të mos bëjnë një dëm të tillë, i cili tashmë është bërë, jo për faj të Presidentit.

Gazetarja: Kemi një lajm të mirë që na ndodhi para pak ditësh. Na ndihmoni nëse mund ta lexojmë si të tillë! Retorikat politike të larta për shkak të krizës politike dhe institucionale, dhe pastaj një ditë të bukur, palët u ulën jo për t’u dakordësuar, por për të formalizuar një dakordësi që kishin bërë për reformën zgjedhore. Ky është lajm i mirë? Lajm i keq, një “dezha vy” (ripërsëritje – frëngjisht)? Kujtojmë që në 2017-n situata nuk ishte aq rozë, jo thjesht për Partinë Demokratike, por edhe për LSI-në që ju drejtonit atëhere?
Presidenti Meta: Jemi shumë vonë në raport me procesin e integrimit europian.Të dyja palët duhet të bashkëpunonin prej vitesh, për marrjen e përgjegjësive dhe për të vendosur një dialog të besueshëm e të mirëstrukturuar në interes të çështjeve më të mëdha që ka vendi. Megjithatë e konsideroj një hap pozitiv, për arsye se përfundimi i reformës zgjedhore dhe miratimi i saj me konsensus, është një nga kërkesat e para të Bundestag-ut dhe të gjithë procesit të kushtëzuar për hapjen e mundshme të negociatave. Le të shpresojmë se nuk do të ketë ndonjë surprizë rrugës! Por edhe sikur të vazhdojë në këtë mënyrë, është fare-fare pak, përveç se është tepër vonë, dhe kërkohet një tryezë tjetër mendoj unë, shumë e thellë dhe më e përgjegjshme për të plotësuar të gjitha këto detyrime, të cilat janë tashmë të qarta në rezolutën e Bundestag-ut.

Gazetarja: Ju thoni që të shkojë përtej reformës zgjedhore?
Presidenti Meta: Nuk është se reforma do të zgjidhë ndonjë gjë të jashtëzakonshme.

Gazetarja: Duhet shkuar përtej?
Presidenti Meta: Ndoshta mund të ishte rruga më e thjeshtë për këtë dialogun që është vendosur. Por është mjaft vonë, dhe dëmet që i janë shkaktuar vendit janë shumë të mëdha. Në çdo rast besoj se duhet të ketë një angazhim më të besueshëm dhe më të thellë e më të sinqertë se sa diçka episodike.

Gazetarja: A i jep një dorë opozita në ndërtimin e kësaj fasade? Nëse nuk funksionon si duhet apo thjesht opozita niset për të realizuar diçka edhe rrugës, nëse mund ta kuptojmë? Si e lexoni ju?
Presidenti Meta: Nuk mund të flas në emër të opozitës. Opozita ka bërë disa veprime, në vlerësimin tim mjaft të gabuara, siç është dorëzimi i mandateve apo mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, pavarësisht se ka pasur të drejtë në kauzat e saj për ndëshkimin e autorëve të blerjes së votave, apo dosjeve zyrtare që flinin në prokurori prej 3-4 vitesh, si ato të Dibrës, të Durrësit, etj. Rruga që opozita zgjodhi nuk mendoj se i shërbeu vendit, ashtu sikurse edhe mazhoranca, me shumë dëshirë, e shtyu opozitën në atë rrugë, duke dëmtuar rëndë edhe vetë legjitimitetin e saj, edhe të institucioneve kryesore të vendit, përfshirë edhe kuvendin. Shpresojmë të ketë një reflektim nga të dy palët. Shqipëria është e të gjithëve dhe në këtë drejtim të gjithë duhet të kujdesen. Shqetësimi kryesor për të gjithë duhet të jetë shpopullimi i vendit. Përmasat e largimit janë të frikshme dhe të pakrahasueshme me vendet e tjera fqinje. Kjo është mjaft e rëndë.

Gazetarja: Të flasim pak për reformën në drejtësi që ne e përdorim si etalon le të themi të përparimit tonë dhe natyrisht me të cilën mburremi kur kërkojmë hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Ju jeni personi që si Kryetar Kuvendi e imponuat këtë konsensus dhe keni histori për kalimin e votimit me 140 vota në korrik të 2016-s, por reforma në drejtësi është akoma në proces. Nuk kemi Gjykata Kushtetues nuk kemi Gjykatë të Lartë, lajm i mirë është se kemi SPAK, por gjithsesi është në fillimet e veta, ndërkohë na është ushqyer pritshmëria për SPAK. Besoj dhe ju atëherë kur u ndërtua reforma në drejtësi me kalimin e kohës kemi dhe deklaratat e ambasadorëve “peshk i madh, peshk i vogël”, “kush do ta ketë radhën”. A ka frikë Ilir Meta nga SPAK?
Presidenti Meta: Është shumë për të ardhur keq, se në ditën që është bërë betimi i anëtarëve të SPAK-ut, të cilëve edhe unë u kam uruar suksese, madje ka qenë një ditë e mbushur me urime të jashtëzakonshme nga të gjithë, nga Partia Demokratike, nga Lëvizja Socialiste për Integrim, nga mazhoranca po e po, nga të gjitha ambasadat në Shqipëri, më ka bërë përshtypje po atë mbrëmje, një sondazh te kolegu juaj Blendi Fevziu te emisioni “Opinion”, ku pikërisht pyetjes, se cilat ishin pritshmëritë e shqiptarëve, a prisnin sukses apo jo nga kjo strukturë e krijuar dhe e pa atakuar publikisht nga askush, përgjigjia ishte: gati ¾ nuk kishin besim. Mendo sikur të bënim një testim pas kësaj që ka ndodhur me Gjykatën Kushtetuese, pas sjelljes së Kuvendit dhe kryetarit të KED-së, se sa është besueshmëria në opinion e pavarësisë që njerëzit mund të mendojnë se mund të ketë Gjykata Kushtetues në të ardhmen. Një vend le të ketë Kushtetutë të mirë sa të dojë, nëse ka një Gjykatë Kushtetuese pa integritet, që në atë moment është një vend pa Kushtetutë.

Gazetarja: Ju mendoni që politikanët do ia hedhin si gjithmonë?
Presidenti Meta: Jo, unë mendoj se po të ishte një tjetër sondazh, “A po politizohet reforma në drejtësi?”, 86 % e shqiptarëve do shpreheshin se mendojnë që reforma në drejtësi po politizohet. Pse i përmenda këto aspekte? Sepse nuk është e rëndësishme vetëm se çfarë mendon Ilir Meta. Është shumë e rëndësishme se çfarë mendojnë qytetarët shqiptarë, që para tre katër vitesh kishin të tjera pritshmëri. Reforma mori një goditje në zemër, që në momentin që u zgjodh në mënyrë anti-kushtetuese Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, dhe këtu padyshim që përgjegjësia kryesore ishte e mazhorancës, dhe e atyre përfaqësive diplomatike që bënë një noterizim tërësisht anti-kushtetues. Të gjithë i dimë pasojat gati pas më shumë se dy vitesh,se si kanë ecur hetimet për çështjet më të bujshme. Shpresojmë që në të ardhmen te ketë rezultate më të mira dhe pozitive, por duket që presioni dhe kontrolli politik nga ana e mazhorancës ndaj drejtësisë është tepër evidente, dhe për një arsye, sepse praktikisht të gjithë instrumentet e vetting-ut kontrollohen nga qeveria dhe nga parlamenti, i cili është nën kontrollin e plotë të qeverisë aktualisht.

Gazetarja: A mund të jetë ky kontroll nga qeveria në organet e drejtësisë një arsye për të pasur ju frikë?
Presidenti Meta: Së pari, dua t’ju siguroj për herë të njëmiliontë, që Ilir Meta nuk i druhet dhe nuk i është druajtur asnjëherë asnjë institucioni drejtësie në Shqipëri dhe në botë. Së dyti, frika është një çështje ose arsye që nuk kam pse ta kem, sepse jam i bindur se gjithmonë i jam përmbajtur ligjeve në fuqi në çdo sjellje timen, për më shumë që kam qenë edhe politikani më i monitoruar nga të gjithë. Frika është një çështje karakteri dhe personaliteti. E kam thënë më parë po e them dhe një herë, dallimi midis atij që ka frikë dhe atij që nuk ka frikë është se ai që nuk ka frikë vdes një herë në jetë, ai që ka frikë vdes përditë. Pra, frika është çështje personaliteti nuk është thjesht një çështje, e cila mund të imponohet me pahir. Zakonisht ata që kanë frikë kalojnë nga gabimi në gabim, ndërsa ata që janë me kurajo dhe kur bëjnë një gabim e pranojnë atë.

Gazetarja: Më përmendët pak ambasadorët, do të doja t’ju kujtoja, që ju keni thyer një tabu si President, se ambasadorët nuk janë të pakritikueshëm. Keni shigjetuar shumë ashpër në konferencat tuaja për shtyp të fundvitit të kaluar, a keni patur reagim prej tyre? Kujtoj që keni bërë prapë një gjest të rëndësishëm, siç është shpallja “non grata” këtu, në këtë institucion, e ambasadorit të OSBE-së.
Presidenti Meta: Dua t’ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, se kemi 30 vite në demokraci tashmë. Kemi qenë një vend tërësisht i izoluar, kemi qenë Koreja e Veriut të Europës, sepse nuk krahasohet komunizmi jonë me atë në ish-Jugosllavi apo kudo tjetër. Mbaj mend një profesor të Universitetit Bujqësor që më thoshte se në vitin 1991-1992, na vinin ca ekspert të huaj, ku merrnin fonde nga projektet e asistencës teknike. Dihet që Universiteti jonë i Bujqësisë ka qenë nga më të mirët në botë në të kaluarën, pavarësisht nga izolimi dhe për arsye që bujqësia ishte çështje e të gjithë popullit, nuk besoj se e keni harruar! Ky profesori më thotë, “ngaqë kishim dhe adhurim për të huajt dhe ata nuk e njihnin mirë situatën këtu, kishte raste ku kishte programe që na mësonin si mbillet patatja, pra në çfarë lartësie, në çfarë periudhe etj. Dhe ne na vinte zor t’i thoshim: Ore, ne dimë ta mbjellim pataten, se ne pataten e kishim edhe bukë edhe gjellë dhe me atë mbahej gjithë populli. Por, thotë profesori, e kishim të vështirë t’ua thoshim se mos i ofendonim.

Kështu që unë mendoj se pas 30 vjetësh është e rëndësishme që ne t’u qëndrojmë fort atyre vlerave europiane dhe euroatlantike që kemi zgjedhur dhe për të cilat ne i kemi dashur dhe i duam Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, ku ne jemi anëtar. Dhe është e qartë, që të gjitha këto demokraci mbështeten fort në atë që quhet “rule of laë”. Shqipëria do të ketë një të ardhme europiane vetëm duke u mbështetur fort në shtetin e së drejtës dhe në sundimin e ligjit. Nuk mundet kurrsesi një shtet të eci përpara në bazë të interpretimeve të kujtdo tjetër që nuk mban përgjegjësi në Shqipëri për shkak edhe të mandatit të kufizuar që ka apo për shkak të subjektivizmit të caktuar për arsye të ndryshme.

Gazetarja: Shpresoni që kjo situatë të ndryshojë me ardhjen e ambasadores së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, e cila pritet të vijë këto ditë për t’ju paraqitur letrat kredenciale?
Presidenti Meta: Unë mendoj se kjo është një përgjegjësi në radhë të parë e politikanëve shqiptarë dhe e popullit shqiptar. Vetë populli shqiptar duhet të ndërgjegjësohet më shumë për rëndësinë që ka mbrojtja e Kushtetutës, sepse ajo i garanton mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të përditshme të çdo qytetari në këtë vend. E kam theksuar edhe më parë, që rruga e vetme që vendi të dalë nga ky rreth vicioz i paaftësisë për të ndërtuar institucione të besueshme, llogaridhënëse dhe që garantojnë gjithmonë mbrojtjen e Kushtetutës, të interesit kombëtar, të interesit publik dhe rrjedhimisht të interesit të përgjithshëm qytetar është rruga e përdorimit të referendumit. Është një e drejtë që populli shqiptar e ka vendosur vetë në Kushtetutë për t’u shprehur për çështje të veçanta sa herë që qytetarët do ta gjykojnë të arsyeshme për të shprehur vullnetin e tyre.

Gazetarja: Flasim pak për Kosovën. Ju dhe Berisha jeni politikanët më jetëgjatë për shkak se keni nisur karrierën qysh në fillim të viteve ‘90 si student i dhjetorit. A mbani mend ndonjëherë edhe si aktor dhe si dëshmitar të kemi patur këto lloj marrëdhëniesh me Kosovën? Kur kemi Kryeministrin e Shqipërisë që padit në gjykatë Kryeministrin e Kosovës…
Presidenti Meta: Nuk do të doja të përfshihesha në këto debate. Është e rëndësishme që politikanët e Shqipërisë në radhë të parë të përpiqen të zgjidhin problemet e Shqipërisë dhe sa më mirë t’i zgjidhin këto probleme janë edhe një shembull pozitiv për politikanët e Kosovës apo për shtetin e Kosovës dhe e njëjta gjë do të thosha edhe në Kosovë. Ndërkohë që në politikën e jashtme Shqipëria gjithmonë e ka patur dhe do ta ketë në prioritetin e saj kryesor mbrojtjen e interesave të Kosovës, të shtetit të Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon në tërësi, por kurrsesi nga pozita paternaliste.

Gazetarja: Pra, nuk është lajm i mirë, por mirë është t’i lëmë vetë ta zgjidhin, kur dy Kryeministra përplasen?
Presidenti Meta: Padyshim që nuk është një lajm jo vetëm pozitiv, por është një gjë tërësisht e panevojshme.



1 Comment

  1. qofshi te nderuar te gjith me kete lloj nderi pa dallim dhe kurdoher dhe historia e nderit do tju vij nga pas.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *