• |
ide | kryesore

Video/ Sormani debuton me humbje: Skënderbeu përmbys në tre minuta Partizanin me 10 lojtarë

F1, Sport, Video



Nuk ka nisur mirë aventura e Sormanit në krye të pankinës së Partizanit. Pretendimet e të kuqve kanë marrë një goditje të fortë në Korcë, ku Skënderbeu është imponuar 3-2 në një ndeshje spektakolare, ku episodet vendoën shumë: nga autogoli i Bitrit, tek penalltia e humbur e Telushit. E të mendosh që kampionët në fuqi e nisën pikërisht me një gol me 11 metërsh të mesfushorit vlonjat, që në minutën e 8.

U duk e thjeshtë, shumë madje, me impaktin që pati skuadra e Sormanit, me formacionin tip e pa ndryshime, përballë Skënderbeut që kishte treguar edhe në miqësoret e janarit se ishte në formë dhe e stabilizuar nga ardhja e Imamit. Por megjithatë, loja e korcarëve do të ishte vënë në sprovë të vërtetë, nëse kryeqytetasit nuk do të kishin treguar mbi të gjitha nervozimin se duhet të ndjekin një objektiv që e kishin menduar të tyre: vendin e parë. Rron Broja, ndoshta i ngazëllyer nga thirrja e parë e Kosovës, zgjat bërrylin shumë dhe merr kartonin e kuq që e lë Partizanin me 10 lojtarë, duke i dhënë një bonus të marrë bardhekuqve.

Skuadra e Ilir Dajës nuk priti shumë për të thënë falenderimet dhe në vetëm tre minuta i shkakton tërmet të vërtetë Partizanit me dy gola. Në fakt, gjithcka nisi me autogolin e Bitrit, që i hapi rrugën kthesës së madhe të ndeshjes. Mbrojtësi gjen devijimin e gabuar në tentativë për të larguar topin, duke befasuar Hoxhën. Pësimi sic duket nuk u bë mësim sepse në një aksion identik, Skënderbeu shënon golin e dytë, këtë herë me Krasniqin, që krosimin nga e djathta e finalizon në rrjetë.

Me 10 lojtarë duket reagimi i një skuadre të madhe dhe në fakt në pjesën e dytë Partizani provoi ta bënte, ndoshta edhe mund ta arrinte, sepse instalimi dhe presingu në zonën kundërshtare me një lojtar më pak solli penalltinë e dytë në favor të të kuqve. Por këtë herë Telushi nuk ka qetësinë e barazisë, nxitohet ashtu sikurse nuk i takon një lojtari me eksperiencën e tij, duke treguar pak a shumë gjendjen psokologjike të skuadrës. Topi jashtë dhe këtu ndeshja u vendos.

Për Skënderbeun u bë më e thjeshtë, sidomos nëse Bregu vendos trë shënojë gola si ky. Vlonjati është spektakolar dhe Partizanin e ka viktimën e preferuar. 3-1 i vendosi gjërat dhe për një skuadër në inferioritet, në transfertë, të rikuperojë dy gola është e pamundur, megjithëse në këtë rast skuadra e Sormanit meriton përgëzime, për faktin që nuk hoqi dorë pavarësisht gjithë situatave kundër, duke ngushtuar diferencën me autogolin e dytë të ndeshjes, këtë herë shënuar nga Dita në portën e tij.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *