• |
ide | kryesore

Video/ Gol në të 96′, Tirana mund Bylis me polemikash: me 10 lojtarë ballshiotët ndëshkohen nga Ngo’o

F1, Sport, Video



Tirana fiton dhe spostohet e dyta, vetëm një distancë nga kreu, pas fitores 2-1 ndaj Bylis, me 10 lojtarë për gati 20 minuta, në Selman Stërmasi. Vendosi sfidën një gol i Ngo’o në minutën e 6 shtesë, por ka polemika të forta, për kartonin e kuq të Mëllugjës (72) dhe golin e anglezit, që shkaktoi protestat e forta të mallakastriotëve.

Një ndeshje e luajtur me ritme të larta e ku asnjë nga dy formacionet nuk dëshironte të zhgënjente. Një sukses do ti kishte dhënë skuadrës së Dovedan vendin e parë, por gjërat u komplikuan në golin spektakolar të Kale, në një kombinim me Torassa në minutën e 19. Një avantazh rrjedhojë e një loje imponuese të bardhebluve, që detyrën më delikate e kishin të përballonin një kundërshtar, që pas golit doli përpara në kërkim të barazimit.

Bylis është nga ato skuadra që di të mbrohet, por edhe të sulmojë dhe ofensiva e Dovedan e vuri në provë të vështirë Tiranën në disa momente. Shansin për të mbyllur ndeshjen në kundërsulm bardheblutë e patën, por Cobinah ishte pafat në minutën e 62 i ndalur nga shtylla. Presioni i mallakastriotëve kurorëzohet dy minuta më pas, në një prekje me dorë të topit nga Doka, që i jep mundësinë Isli Hidit të ndëshkojë ish-skuadrën e tij nga pika e bardhë e penalltisë, duke barazuar rezultatin.

Episodet vendimtarë kanë qenë ato të minutës së 72 kur Mëllugja u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe goli në të gjashtë shtesë nga Ngo’o për të cilin lojtarët e Bylis protestuan ashpër. Anglezi në fakt duket më i avancuar se të tjerët kur topi kthehet me kokë në zonë e për më tepër të jep impresionin se shkakton edhe faull përpara se ta shtyjë topin në rrjetë.

Shkon në katër fitore radhazi, në po aq ndeshje në detyrë Emanuel Egbo, që me 31 pikë është vetëm një larg Kukësit të vendit të parë. Bardheblutë tani mund të jenë më të qetë, me një kalendar që vazhdon në shtëpi, ndërsa Bylis ka dalë i mundur në rezultat, por ka treguar një tjetër përfaqësim dinjitoz në kryeqytet.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *