• |
ide | kryesore

Rrëfimi i biznesmenit të plagosur: Si u përballa me grabitësit brenda në shtëpi

Lajme, Të fundit



Pasi e ka kaluar rrezikun për jetën, Petrit Laze, i cili mbeti i plagosur rëndë brenda shtëpisë së tij, nga dy persona që tentuan ta grabisnin, ka treguar rrethanat se si ndodhi ngjarja. Ai, bashkë me të shoqen, Afërdita Lazen, që po ashtu u plagos mbrëmjen e së dielës në zonën e Alliasit në Tiranë, janë pyetur nga oficerët e Policisë dhe kanë dhënë detaje për momentin e sulmit.

Burime nga grupi hetimor thanë për Panorama se Laze ka treguar se në tentativë për t’i nxjerrë jashtë grabitësit, duke i shtyrë drejt derës, njëri prej tyre e ka qëlluar me armë dhe e kanë mbyllur në banjë.

Por, edhe pse ishte i gjakosur, ai ka marrë një levë dhe ka dalë nga dritarja e tualetit, duke u futur prapë në shtëpi për të shpëtuar familjarët nga personat e armatosur. Por në atë kohë, ata ishin larguar, pasi nuk kishin arritur të merrnin asgjë. Ndërkohë, në atë moment ka parë që grabitësit kishin plagosur edhe bashkëshorten e tij. Petrit Laze ka deklaruar se ka qenë vajza e tyre, e cila e ka dëgjuar e para zhurmën e autorëve.

Pasi janë ngjitur në katin e dytë të vilës ku banon familja Laze, autorët kanë tentuar të hapin derën dhe vajza e çiftit në atë moment ndodhej aty, për shkak të zhurmës që kishte dëgjuar. Ajo është përballur e para me dy personat e maskuar, të cilët e kanë kapur nga flokët, duke e futur me forcë në njërën prej dhomave të shtëpisë. Në këtë kohë, në korridor ka dalë e zonja e shtëpisë, Afërdita Laze, të cilën grabitësit e kanë qëlluar menjëherë, duke e plagosur në këmbë. Petrit Laze ka deklaruar para oficerëve të Policisë se ndodhej në dhomën e gjumit kur ka dëgjuar krismën e armës dhe ka nxituar të dalë nga dhoma. Sapo është përballur me autorët, ata i kanë drejtuar armën dhe i kanë kërkuar çelësin e kasafortës.

“Duke tentuar që t’i nxirrja jashtë shtëpisë, ata më qëlluan me armë. E ndjeva se isha plagosur, por ata më shtynë drejt banjës dhe më mbyllën aty. Kam marrë një levë dhe jam hedhur nga dritarja për t’u rifutur në shtëpi, por ata ishin larguar pa marrë gjë”, është shprehur 61- vjeçari Laze.

Në këtë kohë, vajza e tij i kishte telefonuar dajës, duke i kërkuar të shkonte aty pasi u kishin hyrë në shtëpi për të vjedhur dhe po i vrisnin. Ndërsa daja kishte lajmëruar menjëherë Policinë. Nga përshkrimi që u kanë bërë autorëve çifti i plagosur dhe vajza e tyre, dyshohet se ata janë dy të rinj, që mund të jenë rreth 18 vjeç.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *