• |
ide | kryesore

Një avion si precedent për marrëveshjet Prishtinë- Beograd

2, Ide



A ka vend për brengosje prej gjithë këtij gëzimi për një linjë ajrore Prishtinë- Beograd?

1.

Duhet të ketë qenë thatësirë e madhe dhe ende e padëgjuar lajmesh të mira nga Kosova që një i këtillë i natyrës komerciale e që ende nuk ka mbërritur të quhet as kontratë, të marrë dimensionin e lajmit historik e të marrë dhenë e të bëhet lajm që do ta meritojë edhe komentin e presidentit të SHBA-së, madje ditën kur kundër tij zhvillohej gjyqi për shkarkim në Senatin amerikan.

Lajmi që bëri aq bujë të madhe – u gëzuan për të presidentët e Kosovës dhe Serbisë, kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, gati në cilësi të çifteve të lumtura- qe një letër qëllimi (letter of intent) e kompanisë “Lufthansa”, nënshkruar me përfaqësuesit e autoriteteve civile të aviacionit të Kosovës dhe Serbisë, me të cilën kjo kompani ajrore shpreh dëshirën që të vendosë linjën ajrore Prishtinë- Beograd. Kaq kishte ky lajm. Në kontekstin e pastër ekonomik ishte sikur Grundigu të kishte nënshkruar letër qëllimi, që do të shesë televizorë në Beograd dhe Prishtinë në mënyrë simultane, Selena Gomez të nënshkruante se do të mbajë njërin koncert pas tjetrit në Prishtinë e pastaj në Beograd, apo që Netflix do të ofrojë shërbimet e veta për tregun kosovar dhe për atë serb njëkohësisht.

Por, këta tre shembuj të fundit ndodhin pa kurrfarë buje të madhe, aq më pak letra qëllimi të nënshkruara në Ambasadën amerikane në Berlin, në prani të ambasadorit, i cili është njëkohësisht edhe i dërguari i veçantë i presidentit Trump për Ballkanin Perëndimor, më saktësisht për Kosovë e Serbi. Dhe aq më pak në prani të këshilltarit për siguri kombëtare, O’Brien.

Atëherë, lajmi nuk paska fare të bëjë me ekonomi, linjë ajrore apo liri të lëvizjes. Ka të bëjë krejtësisht me politikë, siç dëshmon prania e këshilltarit amerikan për siguri kombëtare dhe atribuimin e kësaj marrëveshjeje presidentit Trump.

2.

Rrëfimi ekonomik është i thjeshtë. Kompania subsidiare e “Lufthansës”, Eurowings, do t’i nënshkruajë kontratat me autoritetet në Serbi, përfshirë edhe Aeroportin e Beogradit për shfrytëzimin e shërbimeve dhe të njëjtën gjë do ta bëjë me autoritetet në Kosovë, përfshirë edhe Aeroportin e Prishtinës. Në rastin e Kosovës, do t’i duhet edhe pëlqimi i NATO-s, si mbikëqyrës i hapësirës ajrore kosovare. Pak a shumë me kaq përfundojnë “hollësitë e nevojshme”.

Rrëfimi politik është pak më i ndërlikuar. Të supozojmë për një moment se detyra për ta krijuar “lirinë e komunikimit” mes Kosovës dhe Serbisë (ashtu siç po synohet me mini-Shengenin) ishte edhe lirimi i hapësirës ajrore të Kosovës dhe hapja e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, siç qe kërkuar prej kohësh në “dialogun e Brukselit”. Brenda kontekstit të parimeve të barazisë, që do të duhej të ishin në mini-Shengen, kjo detyrë do të zgjidhej ashtu që autoritetet përkatëse të Kosovës e Serbisë, me apo pa ndërmjetësim ndërkombëtar, do të nënshkruanin marrëveshjen për hapjen e linjës Prishtinë-Beograd dhe do t’i caktonin kuotat e ndërsjella të shfrytëzimit të kësaj linje për avio-kompanitë shtetërore në bazë të reciprocitetit. Brenda kontekstit tjetër, atij të “dialogut të Brukselit”, BE-ja do të bëhej ndërmjetës për një marrëveshje “neutrale ndaj statusit”, me të cilën Kosovo* dhe Serbia do të lejonin linjën Prishtinë-Beograd “pa e paragjykuar statusin e hapësirës ajrore të Kosovo*”. Në Ambasadën amerikane në Berlin u vendos një tjetër kontekst parimesh që është më afër vitit 1999. Në këto parime, Serbia nuk ka fare çka bën negociata me Kosovën, por do ta bëjë me palën e tretë, në këtë rast “Lufthansën”. Çka do që të ketë nevojë të bëhet me Kosovën, do të zhvillohet, e pranon edhe vetë presidenti i Serbisë, Vuçiq, me UNMIK-un dhe NATO-n.

Kjo është një zgjidhje ad-hoc. Pra, për një detyrë projektuese-gjeje zgjidhjen për lirinë e lëvizjes në hapësirë ajrore-në vend të një shporte parimesh juridike dhe precedentësh diplomatikë-jepet një zgjidhje që nuk ka nevojë për parime që kanë të bëjnë me sovranitetin e të ngjashme. Në fakt, nuk ka nevojë as për detyrën projektuese, sepse nuk e zgjidh lirinë e lëvizjes në hapësirën ajrore. Vetëm tregon se ajo, liria e lëvizjes ajrore, është e mundshme. Ky është mbase leksion i vlefshëm, se liria e lëvizjes ajrore është e mundshme, por është shumë e mundshme po ashtu që numri i atyre që këtë nuk e kanë ditur të jetë krejtësisht minimal, diku në afërsi të zeros.

3.

Marrëveshja për linjë ajrore mund ta ketë karakterin e një “nxitësi” të bisedimeve. Pra, të tregohet se meqë Kosova dhe Serbia mund të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për “probleme konkrete”, atëherë mund të ulen e të gjejnë zgjidhje edhe për probleme më të rënda. Një qasje e këtillë nuk është e re: prej vitit 1990 deri më sot, ritualisht lajmërohet iniciativa për çështje konkrete (Shën Egjidio për shkolla, Dialogu i Brukselit për targat e veturave), por gjithnjë gjërat kthehen te problemet thelbësore, natyrën e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pastaj, kur palët të thellohen tek problemet thelbësore, marrëveshja për “çështje konkrete” mund të rikthehet edhe si precedent. Këtë fat mund ta ketë marrëveshja për linjë ajrore. Kjo marrëveshje u mbërrit pas paralizës së “dialogut të Brukselit, gjegjësisht vdekjes klinike të tij me degjenerimin që e bënë Mogherini-Thaçi-Vuçiqi, duke biseduar për këmbime territoriale. Rrjedhimisht, marrëveshja e ambasadorit Grenell mund të paralajmërojë marrëveshje të ngjashme “konkrete”. Nëse është kështu, atëherë presidenti i Serbisë mund të kërkojë që marrëveshjet e ardhshme të ndërtohen në bazë të precedentit të mëparmë, që Serbia të mos negociojë drejtpërdrejt me Kosovën, por me një palë të tretë të autorizuar që do t’i zgjidhë problemet: për siguri NATO, për ekonomi Banka Botërore e FMN-ja, për administratë lokale UNMIK-u e EULEX-i dhe kështu me radhë.

Dhe, në këtë frymë mund të përfshihet edhe atë që “Lufthansa” e përshkroi në postimin e vet e që mund të lajmërohet si parim: fillimisht nënshkruhet marrëveshja, pastaj do të shikohen hollësitë. Nëse kjo metodë ndërtohet si parim i negociatave, atëherë ka arsye për brengosje të thellë: nëse një diplomat do të donte, për shembull, të arrinte “marrëveshje” mes Kosovës dhe Serbisë deri në prill, kur mbahen zgjedhjet parlamentare të Serbisë, atëherë do të hynte shumë në punë “marrëveshja tash, hollësitë më pastaj”. Bosnjë-Hercegovina ka bërë 25 vjet stazh duke u marrë me hollësitë që duhet të vijnë pastaj dhe mund të merret edhe 25 të tjera me të njëjtin rezultat.

Çdokush që dëgjon se marrëveshja për linjë ajrore dëshmon se marrëveshja Kosovë-Serbi mund të arrihet shpejt duhet të frikësohet.

4.

Për mbledhësit e shënimeve ironike ballkanike, marrëveshja Grenell është materie e obligueshme.

Pas dështimeve disavjeçare evropiane në ndërmjetësimin Kosovë-Serbi, një diplomat amerikan shënon suksesin e parë – duke futur në mes një avio-kompani gjermane.

Ndoshta kjo materie e obligueshme nuk u hyn në punë vetëm mbledhësve të ironive ballkanike, ndoshta u hyn në punë edhe Komisionit të ri të BE-së dhe shteteve të fuqishme anëtare të BE-së për të gjeneruar ide të tjera prej atyre që janë përdorur deri më sot.

© KOHA. 



3 Comments

  1. Politika thuhet se quhet”kurve”.Marreveshja ajrore,nepermjet Lufthanses,Serbise dhe Natos dhe UMNIK-ut (pra jo direkt me qeverine e Kosoves),na tregon se Kjo politike (pra Kurva),na qenka me licensen amerikane.

  2. Nuk po di ta kuptoj presidentin e Amerikes, te Sebise e kryeministrin e Tiranes per gezimin qe shfaqen ne arritjen e kesaj marveshje ajrore Beograd-Prishtine qe ne thelbin e tij ekonomik e praktik eshte hiç gje. Diku tjeter fle lepuri! Politika kosovare duhet te alarmohet e te risin vigjilencen ne qofte se e kane kete aftesi! Gjer tani mos aritja e dakordise per qeverine tregon nje provincialitet te skajshem e te demshem.

  3. Po e lexoj këtë shkrimin e “të diturit” Veton Surroi e nuk po mar vesh se përse qenka shqetësuar që Luftëhansa, do të bëjë veç fluturimeve nga Gjermania në Beograd, edhe nga Beogradi në Prishtinë e anasjelltas.
    E dëgjova “të paditurin” Ramush Haradinaj që me thjeshtësi e pa sofizma, argumentoi se përse e kishte mbështetur këtë ide e mu duk shumë bindës.
    Aludimet bëhen duke u lidhur me transportin e mallrave serbe, për të cilat Haradinaj këmbëngul që të mbahet taksa 100% e që nuk ka të bëjë me pasagjerët por me mallrat në rrugë e dogana tokësore.
    Haradinaj e shpjegoi kjartësisht se meqë nga Gjermania e Europa lëvizin rreth një milion emigrantë shqiptarë për të ardhur në Kosovë, kanë pasur probleme të shumta me lëvizjet me makina private nëoër Serbi me vonesa e ndalesa të qëllimëshme, e kjo linjë e një kompanie gjermane, përveç se do ta shkurtojë shumë kohën e udhëtimit, do të shmangë edhe abuzimet e policisë me problemet që ju hapin shqiptarëve të Kosovës, nëse ata ndodhen në listat e policisë serbe si pjesmarës së UÇK. Pra evitohet kontrolli policor i pasagjerëve shqiptarë në Aeroportin e Beogradit e në Terminalin e Gatet e Lufthansës, pasi tranziti kryhet mbrenda terminalit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *