• |
ide | kryesore

“Zgjohet” edhe Shqipëria, masa për virusin që po bën namin në Kinë

Lajme, Të fundit

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka disa ditë që ka vënë alarmin për koronavirusin (i ngjashëm me SARS) i shfaqur në Kinë dhe që u ka marrë jetën të paktën 25 personave. Tashmë janë mbi 20 vende që kanë njoftuar të prekur me këtë virus pas lëvizjeve në Kinë. Rastet janë regjistruar në SHBA, Europë dhe Azi.

Vetëm tani ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka dalë me një deklaratë ku sqaron se Shqipëria është vend me rrezikshmëri të ulët për t’u prekur nga koronavirusi i ri i i identifkuar në Wuhan të Kinës.

“Në zbatim të rekomandimeve të OBSh-së, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka nxjerrë një urdhër për marrjen e masave parapërgatitore, për t’u mbrojtur nga depërtimi i koronavirusit të ri, edhe pse duhet theksuar se, sipas OBSH jemi kushtet kur ende nuk ka të dhëna të qarta mbi mënyrën e trasnmetimit nga njeriu tek njeriu.

Sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, ISHP duhet të përforcojë survejancën e infeksioneve të rënda respiratore akute në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit. Urdhri specifikon që ISHP të përgatisë përkufizimin e rastit, udhëzimet për survejancën, hetimin epidemiologjik dhe menaxhimin e rasteve në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit.

Sipas urdhrit të Ministres Manastirliu strukturat përgjegjëse të marrin masat për vënien në zbatim të planeve të emergjencës për reagimin ndaj infeksioneve virale, sipas shkallës së rrezikshmërisë” – thuhet në njoftimin e ministrisë së Shëndetësisë. ©lapsi.AL

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu