• |
ide | kryesore

Opozita duhet të demokratizohet para se të synojë pushtetin

Blog



Shqipëria nuk është as demokraci, as diktaturë—është një regjim hibrid, me tipare të përzjera demokratike dhe diktatoriale. Në renditjen e fundit të Indeksit të Demorkracisë të revistës The Economist, Shqipëria ka shkarë 7 vende nga viti i kaluar dhe është një nga vetëm dy vendet me regjim hibrid në rajon, krahas Bosnjes, e ardhmja territoriale e të cilës mbetet ende e pazgjidhur.

Regjimet hibride janë kryesisht rezultat i tranzicioneve të papërfunduara demokratike dhe gërshetojnë tipare autokratike me fasada demokratike.

Në qendër të këtij regjimi janë autokratët dhe institucionet kanë natyrë dekorative demokratike—zgjedhjet nuk sjellin ndryshim të pushtetit, opozitat formale votojnë njësoj si partia e autokratit, mediat përcjellin vetëm qëndrimet dhe propagandën e regjimit.

Ideologjia e regjimeve hibride është totalitarizmi dhe ato mbështeten tek metodat diktatoriale, me ndryshimin se mbajnë një nivel më të kontrolluar të dhunës në krahasim me diktaturat.

Regjimi i Edi Ramës i përmbush të gjitha këto tipare. I gjithë pushteti në Shqipëri buron nga dhe është në dorën e Edi Ramës. Institucionet që duhet të ishin të pavarura janë vetëm dekoracion për pushtetin e pakufizuar të Edi Ramës—gjyqësori dhe institucionet e sigurisë janë vetëm formalisht të pavarura, por veprojnë si seksione të bindura të qeverisë socialiste.

Zgjedhjet nuk kanë sjellë asnjë ndryshim, përveç thellimit të kontrollit të Edi Ramës në të gjitha nivelet e qeverisjes. Mediat kontrollohen plotësisht prej tij përmes skemave të shpërblimit korruptiv për pronarët e tyre. Opozita reale është tërësisht e paralizuar dhe ‘opozita e re’ në parlament voton në të njëjtin drejtim me pushtetin.

Natyrisht, nuk ka dhunë të dukshme dhe gjakderdhje—regjimi përdor një propagandë të sofistikuar për të parcelizuar edhe rezistencat më të vogla; pasi i përçan qëndresat lokale, regjimi përdor dhunën vetëm ndaj më të paepurve, të cilët janë pak.

Kur regjimet përvetësojnë format por jo funksionet e institucioneve demokratike perëndimore, si pluralizmin politik, zgjedhjet formale apo legjislaturat, krijohet një sistem që njihet si kamuflazh i totalitarizmit.

Kjo duket se është gjendja në Shqipëri, e cila rrezikon të kthehet në një gjendje të qendrueshme afatgjatë pasi Shqipëria nuk është në ndonjë tranzicion drejt demokracisë. Përkundrazi, gjendja e lirive dhe demokracisë në vend ka degraduar vazhdimisht që nga ardhja e socialistëve në pushtet para 7 viteve.

Ne sot jemi para mundësisë së madhe që regjimi politik i vendit të stabilizohet si regjim hibrid dhe të jetojë gjatë si i tillë. Në të vërtetë, sot në Shqipëri ka një koalicion aktorësh të pushtetshëm që ju intereson një gjendje e tillë e papërcaktuar politike e cila favorizon arritjen e synimeve të tyre politike dhe, si pasojë, ata nuk kanë asnjë arsye përse të synojnë një regjim të vërtetë demokratik.

Ka një farë konsensusi mes studiuesve politikë dhe politikanëve perëndimorë se kur bashkë-ekzistenca e tipareve autoritare me kamuflazhin demokratik zgjat për më shumë se dhjetë vite, mund të besohet se aktorët kryesorë të regjimit kanë gjetur mjetet e duhura për përjetësimin e pushtetit të tyre.

Shqipëria është renditur përherë si regjim hibrid që kur Indeksi i Demokracisë u hartua për herë të parë në vitin 2006. Edhe pse politika me justifikimin e rremë të integrimit në BE vazhdon t’u ofrojë shqiptarëve iluzionin e një demokracie në ndërtim dhe përparim, e vërteta është se sistemi ynë politik është tashmë një regjim hibrid i stabilizuar.

Faktorët kryesorë që e kanë stabilizuar dhe e mbajnë këtë regjim sundimit autokratik me fasadë demokratike janë dy: oligarkia ekonomike dhe oligarkia politike.

Marrëdhëniet e qëndrueshme e oligarkisë ekonomike me qeveritë e të gjithë krahëve gjatë dy dekadave të fundit janë të provuara. Oligarkët ekonomikë u krijuan përmes skemave kriminale të kontrabandës e trafiqeve, të skemave korruptive të privatizimit të pasurive shtetërore, të grabitjes së burimeve natyrore dhe fondeve publike përmes skemave të konçesioneve dhe kontratave monopoliste dhe ekskluzive me qeverinë.

Interesi i oligarkisë ekonomike që Shqipëria të mos bëhet asnjëherë një vend demokratik, ku sundon ligji, liria e sipërmarrjes dhe konkurrenca e ndershme, është i jashtëzakonshëm. Stabilizimi i konjukturës oligarkike në ekonomi është realizuar përmes përqëndrimit të pasurisë dhe monopolizimit të tregjeve me ndihmën e qeverive, duke vrarë lirinë e sipërmarrjes, duke bllokuar hyrjen në tregje të të tjerëve, duke shmangur konkurrencën e ndershme, duke siguruar kontrata dhe monopole afatagjata. Demokracia në politikë do të thotë liri dhe konkurrencë në treg, çfarë do t’i heqë kësaj klase pushtetin ekonomik.

Grupimi i dytë i oligarkëve, ai politik, është i kristalizuar në të gjithë partitë politike kryesore, përfshirë edhe partitë e vogla politike që shërbejnë si garniturë për krijimin e koalicioneve elektorale. Stabilizimi i tyre është i dukshëm në ngrirjen pothuajse të plotë të kupolave drejtuese të partive. Në vend që të demokratizoheshin, partitë politike janë bërë edhe më hermetike vitet e fundit.

Shkelja kaq e hapur e parimeve demokratike brenda vetë partive i ka shndërruar ato në klube të përhershme të gatshme për të përfituar pushtet të pakontrolluar. Ndërsa në një demokraci zgjedhjet janë një institucion demokratik për zëvendësimin legjitim të elitave, në Shqipëri ato janë një mekanizëm për shkëmbimin e pushtetit brendapërbrenda një oligarkie politike të stabilizuar.

Shpresa e vetme për të nisur daljen nga kjo zonë gri e autarkisë është ajo që filozofët e Greqisë së lashtë e quanin skenari i konfliktit brenda-elitë. Shkëputja e një oligarku apo një grupi oligarkësh të mëdhenj nga klubi i mbyllur i oligarkisë mund të shkaktojë dobësimin dhe rrënimin gradual të saj.

Megjithatë, skenari i përçarjes së oligarkisë ekonomike duket i pamundur me stabilitetin okult që kanë dëshmuar gjatë 15 viteve të fundit. Përçarja e oligarkisë politike mund të shpresohet gjithmonë dhe duhet pritur të vijë nga partitë e opozitës.

Por de-oligarkizimi i partive politike nuk është i thjeshtë. Ky proces do të duhej të ishte më i lehtë në opozitë dhe kërkon demokratizimin e vështirë të opozitës së stabilizuar shqiptare. Nëse ky stabilitet nuk cënohet nga opozita, asnjë ndryshim pozitiv nuk mund të pritet, pasi autarkia në natyrën e saj është përkeqësuese.

Elitat politike dhe mundësia  që ata kanë për të përjetësuar veten në pozitat e pushtetit përcaktojnë natyrën e regjimit. Prandaj demokratizimi i opozitës nuk arrihet thjesht me zhvillimin e zgjedhjeve, me ndryshimin e motiveve dhe mjeteve me të cilën kandidatët mund të çojnë përpara karrierat e tyre politike.

Janë pikërisht, metodat e rekrutimit dhe zëvendësimit të elitës që përcaktojnë në një masë të madhe natyrën e regjimit. Opozita do të jetë demokratike vetëm kur elita e saj të dalë nga zgjedhje të lira.

Vetëm një proces zgjedhjesh të lira brenda opozitës do të jetë hapi i parë i çarjes së oligarkisë politike dhe vullnetit të sinqertë për ta nxjerrë vendin nga regjimi autarkik.

Një vit e gjysëm përpara zgjedhjeve të përgjithshme, opozita nuk duhet të humbë kohë me përpjekjet për rrëzimin e qeverisë. Ajo mund ta shpëtojë demokracinë dhe Shqipërinë duke e përdorur këtë kohë për t’u demokratizuar vetë. Nëse opozita arrin të demokratizohet, Shqiptarët do ta shohin atë si forca që do të thyejë oligarkinë dhe do ta sjellin në pushtet.



2 Comments

  1. Ky zoteria e ka then bukur se si mund te behet Shqiperia por fatkeqsisht nje problem ^ te vogel^ se luli nuk ben opozitarin por i sherben denjesisht kryeministrit ndaj ne jemi te denuar te vuajme dhe mjere ai qe beson te fjalet qe perbetohen per ne Ishalla qofsha i gabuar

  2. keto jane sisteme qe vete rregullohen Me siguri, kesaj rradhe fiton Luli por me pak % e cila do ta beje me te brishte pushtetin dhe do ekuilibroje te dyja anet qe me siguri do shkojne ne nje “demokratizim” e cila nuk eshte gje tjeter pervecse nje garanci bipartizan!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *