• |
ide | kryesore

Shengeni ballkanik, komardare shpëtimi?

Blog
Agon Maliqi.jpg



Sfidat kryesore të Ballkanit Perëndimor sot nuk janë thjesht problemet e brendshme politike të shteteve, apo mosmarrëveshjet bilaterale mes tyre. Këto probleme kronike kanë zgjatur aq shumë dhe, shprehur metaforikisht, kanë mbledhur aq shumë ujë, sa që gjatë dhjetëvjeçarit të ri rrezikojnë t’i shembit digat rajonale dhe të na përmbysin.

Diga e parë është ajo e stabilitetit ekonomik dhe shoqëror. Problemet politike dhe inatet historike kanë prodhuar shtete institucionalisht të dobëta dhe tregje të vogla – apo më shkurt, ekonomi jokonkuruese. Si rrjedhojë, asnjëri shtet nuk po zhvillohet me shpejtësi të mjaftueshme për ta zënë hapin me pjesën tjetër të Europës.

Pasojat po i shohim me shpopullimin masiv dhe me një depresion kolektiv i cili në thelb është një këmbanë alarmi. Risia është se kësaj here po ikin jo vetëm studentët, të varfërit dhe të pashkathëtit, por edhe profesionistët e punësuar dhe familjet e reja që kërkojnë më shumë se vende pune. Kërkojnë cilësi të jetës – spitale dhe shkolla të mira, ajër të pastër, siguri dhe drejtësi, etj.

Nëse kjo shtresë vazhdon të largohet me këto ritme, marrë parasysh edhe rritjen e ulët demografike, rajoni rrezikon të hyjë në një spirale negative dhe paralizuese. Kush do t’i ndërtojë industritë e reja dhe shërbimet cilësore publike të nevojshme për të nxitur rritje dhe zhvilim? Cilat do të jenë pasojat e moszhvillimit ekonomik për demokracinë?

Diga e dytë që rrezikon të shpërthejë është ajo e sigurisë. Brishtësia e rendit ndërkombëtar; kriza e multilateralizmit; hyrja në epokën realizmit brutal dhe të garës mes fuqive të mëdha – të gjitha këto po prodhojnë pasiguri anekënd botës. Rajonet periferike si Ballkani, që historikisht kanë qenë fushëbeteja të ndeshjeve hegjemonike dhe “luftërave proxy”, janë veçanërisht të rrezikuara.

Një krizë e re ekonomike dhe politike e përmasave botërore rrezikon ta gjejë Ballkanin me shumë çështje të hapura mes shteteve. Bashkë me dobësitë e brendshme ekonomike dhe sociale, kjo na bën të brishtë ndaj mundësisë së rihapjes së konfliketeve etnike.

Fatmirësisht, diga e dytë është pak më e lartë dhe më e qëndrueshme. Shqetësimet për sigurinë e rajonit i kanë shtyrë SHBA-të vitet e fundit për t’i dhënë prioritet përmbylljes së arkitekturës rajonale të sigurisë, gjë që u materializua me hyrjen e Malit të Zi dhe (së shpejti) Maqedonisë së Veriut në NATO.

Megjithatë, edhe kjo digë e ka një vrimë të thellë. Serbia me neutralitetin e vet ushtarak mbetet problemi nevralgjik i rajonit. E mbajtur peng nga Rusia dhe nga kryeneçësia e saj hegjemonike, Serbia po e mban peng edhe rrugën e Kosovës drejt NATO-s (për shkak të mosnjohjes prej disa shteteve anëtare), edhe atë të Bosnjes e Hercegovinës (përmes Republika Srpskas).

Diga e parë, që mendohej se do forcohej përes integrimit europian, mbetet dobësia dhe shqetësimi kryesor. Për shkak të krizës së brendshme të Europës, por edhe dobësive tona, duket qartë se shtetet e rajonit nuk do të hyjnë në BE brenda këtij dhjetëvjeçari (nëse do te hyjnë ndonjëherë). Ky është një realitet të cilin duhet ta përtypim.

Në këtë kontekst, ideja e Shengenit Ballkanik shfaqet si njëfarë jeleku i përkohshëm i shpëtimit. Teoria është se nëse e krijojmë një treg rajonal, të madh thjesht sa Rumania, e çlirojmë potencialin e ndrydhur ekonomik dhe bëhemi pak më konkurues për investime serioze. Thuhet se BE-ja si kompensim për vonesat në pranim të paktën mund të na japë qasje më të hershme në fondet e mëdha. Më fjalë të tjera, si rajon e thyejmë spiralen negative ekonomike, marrim frymë dhe qëndrojmë mbi ujë derisa Europa ta sqarojë të ardhmen e vet.

Ideja akoma mbetet në nivelin e spektaklit dhe protagonizmit të nismëtarëve që nuk duken edhe aq seriozë. Pengesat politike në pamje të parë duken të patejkalueshme. Projekti nuk ka se si të shkojë përapara pa Kosovën si palë të barabartë dhe me këtë Serbi agresive ndaj saj dhe ndaj Bosnjes dhe Hercegovinës.

Në këtë kontekst, Kosova bëri mirë që nuk tregoi entuziazëm dhe që u rebelua. Por ajo rrezikon të tregohet naive dhe humbëse nëse nuk i sheh edhe mundësitë strategjike nga një angazhim më konstruktiv.

Kjo për shkak se Serbia, ambiciet hegjemonike të së cilës janë para së gjithash ekonomike, është pala më e interesuar për projektin, dhe kjo gjë që e bën atë të kushtëzueshme. Jo vetëm nga Kosova, por edhe nga shtetet rajonale që kanë interes nga njohja e Kosovës, si dhe nga perëndimi si mbështetës i jashtëm. Shengeni Ballkanik mund të shërbejë si leva detyruese ndaj Serbisë dhe për mbylljen e arkitekturës së sigurisë – pra çelësi për njohjen dhe NATO. Serbia e di se pa u mbyllur kjo punë projekti rajonal nuk ka kuptim dhe është i paqëndrueshëm.

Së dyti, duke mos qenë integrim politik por ekonomik, projekti nuk duhet parë si zëvendësim, por si diçka komplementare me idenë e bashkimit kombëtar dhe dikur edhe me atë europian. Në kontekstin e një integrimi ekonomik rajonal, shkrirja e parë e natyrshme do të ishte ajo mes tregjeve të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe vendbanimeve të tjera ku ka shqiptarë.

Shqiptarët numerikisht do të mund të shërbenin si kundërpeshë ndaj çfarëdo përpjekjeje të Serbisë për ta kthyer projektin në mjet për dominim politik dhe hegjemonik.

Gjithsesi, Kosova bëri mirë që u rebelua ndaj mospërfilljes prej Shqipërisë në këtë fazë nismëtare, sepse diçka e tillë nuk guxon të niset pa koordinim. Por tani kërkohet që Kosova të tregohet edhe konstruktive, duke i paraqitur kushtet e saj, qoftë edhe vetëm për t’u ulur në tavolinë, sepse kjo është forma e vetme për të hasur në mirëkuptim dhe mbështetje.

Me qasjen foklorike dhe refuzuese ndaj çdo procesi ndërkombëtar të viteve të fundit, Kosova po e mbivlerëson rëndësinë e vet dhe po e rrezikon izolimin e plotë dhe braktisjen nga të gjithë.

Kosova e ka bërë të qartë se është shtet dhe se ekziston diçka që quhet interesi i veçantë i Kosovës. Por ajo duhet ta kuptojë se ekziston edhe diçka tjetër që quhet interesi i veçantë i Shqipërisë. Interesi kombëtar nuk mund të definohet unilateralisht prej asnjërës palë, por buron prej respektit të ndërsjellë dhe konsensusit mes dy interesave shtetërore.

 

Shkrimi u botua fillimisht në Le Monde Diplomatique në shqip. 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *