• |
ide | kryesore

Hoxhallari me qepje, Doka dorëzohet: Tirana propozon Sidibe nga minuta e parë

Sport

Tirana nuk dëshiron të ndalë hapin as në transfertën e Krujës përballë Kastriotit, për 1/8 e finaleve të Kupës së Shqipërisë, pas pesë fitoreve radhazi nën drejtimin e Emanuel Egbo. Tekniku nigerian e ka të qartë se Kupa është një objektiv i rëndësishëm, por nga infermieria nuk është se i vijnë lajme të mira. Kundër krutanëve mbrojtja është pothuaj e gjitha jashtë shërbimi e në këtë pikë, ndoshta Tefik Osmani duhet të sakrifikojë.

Egbo duhet të rimodelojë krahun e majtë: Erion Hoxhallari është tërhequr nga sfida e mesjavës, për shkak të carjes në kokë të pësuar, ndërsa Albi Doka i është dorëzuar dhimbjes në kavilje, duke bërë që edhe në të djathtë nigeriani të bëjë ndryshime, me spostimin e mundshëm të Vangjelit në krah. Kjo situatë ndoshta do ta bëjë Osmanin të shtrëngojë dhëmbët, me Tiranën që e ka mbulesën të shkurtër në qendër të mbrojtjes, ndërsa në mesfushë do të bëjë debutimin me fanellën bardheblu Sidibe, nga minuta e parë.

Egbo e ka bërë të qartë, edhe në seancën e fundit stërvitore para ndeshjes, se ndryshime do të ketë, edhe për shkak të dëmtimeve të tre lojtarë kryesorë të mbrojtjes, por edhe për ti dhënë frymëmarrje ndonjë prej atyre që janë ngarkuar më shumë me minuta, duke i dhënë hapësirë Halilit, apo Mucit, që spikasin në pankinë. Sprinti i kampionatit, me pesë fitore në po kaq ndeshje, që kur Egbo është ulur në pankinë, nuk është mjaftueshëm kur bëhet fjalë për Tiranën. Në 100 vjetorin e klubit kërkohen trofe dhe nigeriani e di mirë se nuk është cështje zgjedhjesh: mes kampionatit e Kupës mirë është… të dyja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu