• |
ide | kryesore

Rruga Kardhiq-Delvinë, KLSH kallëzon penalisht ish-drejtoreshën e ARRSH

Arkiva, Lajme, Të fundit



Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon për shkelje Sonila Qaton. KLSH: Kërkojmë hetimin për prokurimin e ndërtimit të rrugës Kardhiq-Delvine

-Raporti i plotë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 363/1 datë 29.05.2019, ndryshuar, ka përfunduar auditimin e Përputhshmërisë në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) Tiranë, për periudhën e veprimtarisë nga data 01.01.2017 deri në datën 31.07.2019. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkelje të dispozitave ligjore në fuqi. Më konkretisht shkeljet e konstatuara evidentohen në Raportin Përfundimtar të Auditimit, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së nr. 135, datë 24.10.2019.

Ndër çështjet më të rëndësishme që trajtohen në Raportin Përfundimtar të Auditimit janë:

-Në këtë auditim, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka depozituar indicie për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë për: S.Q, ish- Drejtore e ARRSH dhe Anëtarët e KVO: E.G, S.P dhe E. S. Çështja që kemi kërkuar një hetim të thelluar nga ana e organit të Prokurorisë ka të bëjë me ligjshmërinë e zbatimit të procedurës së prokurimit me objekt: “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvine, Loti 7, me fondin limit 2,332,573,946 lekë, të zhvilluar në korrik 2019. Konkretisht, në këtë procedurë prokurimi, nga 6 operatorët pjesëmarrës, është kualifikuar vetëm BOE “I.&.S.&.V.&.A&E”, me ofertën ekonomike në vlerën 2,299,327,253.75 lekë dhe janë skualifikuar 5 operatorët e tjerë. Të 5 këta operatorë kanë paraqitur ofertat ekonomike më të ulët se operatori i kualifikuar. Katër nga këta operatorë janë skualifikuar në përputhje me rregullat e prokurimit publik sepse nuk plotësonin kriteret e veçanta të kërkuara në DT e veçanërisht nuk kishin përvojë të ngjashme në punimet e tuneleve tokësore. Ndërsa BOE “Gj.&.C&.G&.G” është skualifikuar nga KVO, në kundërshtim me ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, si më poshtë:

KLSH, me përfundimin e fazës së vlerësimit nga KVO të dokumentacionit të operatorëve pjesëmarrës, menjëherë mbas njohjes së këtij vlerësimi nëpërmjet sistemit elektronik, i kërkojë Autoritetit Kontraktor (AK), vënien në dispozicion të dokumentacionit e këtij prokurimi të cilat nuk gjenerohen nga sistemi elektronik. Por AK nuk ju përgjigj kësaj kërkese dhe grupi i auditimit me shkresë të protokolluar në ARRSH me datë 18.07.2019 i është drejtuar, Drejtorisë Juridike, Sektorit te Prokurimeve dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH dhe i ka kërkuar që të vihen në dispozicion të auditimit i gjithë dokumentacioni që nuk gjenerohet nga sistemi elektronik dhe veçanërisht ankesat e operatorëve ekonomik. Përsëri strukturat drejtuese të ARRSH nuk i vunë në dispozicion këto dokumente dhe as nuk kthyen përgjigje shkresës sonë, veprim ky që bie në kundërshtim me nenin 15 të ligjit nr. 154/2014, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Në kushtet e mosvënies në dispozicion të këtij dokumentacioni, auditimi u përqendrua vetëm në dokumentacionin e gjeneruar nga sistemi elektronik i prokurimeve dhe u konstatua se, dokumentacioni i paraqitur nga ky operator plotëson të gjitha kërkesat ligjore dhe kërkesat e veçanta të vendosura në DT. Për pasojë, KVO duhej ta kualifikonte këtë bashkim operatorësh për fazën tjetër të shqyrtimit të ofertës ekonomike. Dhe meqenëse, ky bashkim operatorësh kishte paraqitur ofertën ekonomike në vlerën 1,789,598,000 lekë e cila është më e ulët se oferta e operatori tjetër i kualifikuar “I.&.S.&.V.&.A&E”, duhej të klasifikonte i pari në renditje dhe duhej ta shpallte fitues, pasi oferta ekonomike e tij ishte në vlerë më të ulët me diferencë prej 611,675,104 lekë. Kështu do të eliminohej dëmi ekonomik në vlerën 611,675,104 lekë me TVSH nga skualifikimi i pa drejtë i këtij bashkimi operatorësh ekonomik.

Për këtë skualifikim, ky bashkim operatorësh ka paraqitur fillimisht ankesë pranë ARRSH, e cila nuk e ka pranuar këtë ankesë dhe më pas ka paraqitur ankesë, pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). KPP, me Vendimin nr. 150, datë 09.07.2019 ka Vendosur: të pranojë ankesën e paraqitur nga ky bashkimi i operatorëve ekonomikë; AK të anulojë vendimin e KVO-së për skualifikimin e BOE; të korrigjojë shkeljet e konstatuara, duke e kualifikuar BOE “Gj.&.C&.G&.G”.

Në arsyetimin e Vendimit nr. 150, datë 09.07.2019, KPP ka bërë në thelb, të njëjtën arsyetim dhe interpretim ligjor si arsyetimet dhe interpretimet e bëra nga auditimi i KLSH si dhe ka dalë me të njëjtin konkluzion dhe vendimmarrje se, BO “Gj.&.C&.G&.G” duhej të kualifikohej për në fazën e shqyrtimit ekonomik. Mirëpo, deri në datën 31.08.2019, që përkon me përfundimin e auditimit në terren, AK në zbatim të vendimit të KPP, nuk ka bërë rikualifikimin e operatoreve e operatorëve.

Duke i konsideruar çështjet/veprimet e përmendura më sipër, (trajtuar hollësisht në Raportin Përfundimtar të Auditimit dhe në Vendimin e Kryetarit të KLSH-së nr. 135, datë 24.10.2019), si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” me ndryshimet përkatëse, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale si dhe nenit 15 germa “gj” të ligjit nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH i ka përcjellë me shkresën nr.363/16, prot. datë 28.10.2019, indicie për kallëzim penal, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Gjithashtu në këtë auditim janë konstatuar:

-Përgjithësisht nuk janë përcaktuar mekanizma të mirë organizuar dhe funksionalë të procesit të menaxhimit të riskut, efekt që pasqyrohet edhe në rezultatet e treguesve të performancës së buxhetit dhe thesarit duke shfaqur mangësi, gjatë zbatimit të kontratave për punë dhe shërbime dhe rezerva në planifikimin e buxheteve dhe në parashikimin e nevojave për likuiditete, çka ka çuar në rritjen e nivelit dhe të stokut të detyrimeve të prapambetura. Kështu në çdo fund viti, ARRSH vazhdon të trashëgoj të njëjtin borxh ndaj subjekteve që shkon nga 3 miliard lekë në 4 miliard lekë.

– Në procedurën e prokurimit me objekt: “Menaxhimi e Mirëmbajtja e Pajisjeve dhe Operimi i Tunelit të Kërrabës për vitin 2018”, me vlerë 98,120 mijë lekë, u konstatua se llogaritja e fondit limit nuk është e mirë argumentuar sepse, nuk janë analizuar çmimet për njësi të shërbimeve të kryera në fakt të kontratave të shërbimeve që ka pasur në zbatim ARRSH të viteve të mëparshme, por i është referuar vetëm vlerës përfundimtare të këtyre kontratave, pa bere më parë një analizë të çmimeve të zërave të shërbimeve të paguara në fakt.

-Në disa procedura prokurimi (“Ndërtim mbrojtja nga lumi km 9+500, rruga Milot – Skuraj”, “Plotësimi, rakordimi, masa mbrojtëse dhe siguria rrugore në viaduktet e aksit Kukës – Morinë”, “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvine, Loti 6”, “Plotësimi i punimeve të mbetura dhe lidhja me rrugën ekzistuese të objektit Sistemim Asfaltim rruga Korçë-Erseke Loti 1”, “Përmirësimi i sigurisë rrugore në aksin Kashar-Rinas”, “Ndërtim i aksit rrugor Skrapar – Përmet, Loti 1”, “Menaxhimi e Mirëmbajtja e Pajisjeve dhe Operimi i Tunelit të Kërrabës për vitet 2019-2020” dhe “Masa inxhinierie për stabilizimin e rrëshqitjes ne km 21+363 ÷21+468, ne segmentin Lin – Pogradec 2019), janë bërë skualifikime të operatorëve ekonomik me oferta me të ulta se fituesit që shkojnë në vlerën totale rreth 442,000 mijë lekë. Skualifikimet nga procedurat e prokurimeve të këtyre operatorëve janë bërë për disa mangësi në dokumentacionet e paraqitura për përmbushjen e kritereve të veçanta të kërkuara në dokumentet e tenderit, mangësi të cilat mundë ti konsideroheshin si devijime të vogla, kështu këto fonde buxhetore në vlerën rreth 442,000 mijë lekë do të menaxhoheshin, më me ekonomicitet.

-Gjatë vitit 2018 në kundërshtim me Ligjin 152/2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar, janë dhënë shpërblime punonjësve të ARRSH-së, me arsyetimin e ndryshimit të statusit të tyre nga nëpunës civil, në punonjës që marrëdhëniet juridike që rregullohen në bazë të Kodit të Punës. Vlera e këtyre shpërblimeve në dëm të buxhetit të shtetit është 51,239 mijë lekë;

– Në disa kontrata për ndërtimin e infrastrukturës rrugore, gjatë zbatimit të punimeve janë konstatuar punime të kryera nga kontraktorët dhe të paguara nga ARRSH, në vlerën totale rreth 223,747 mijë lekë. Por këto punime janë të pa rakorduar me dokumentacionin justifikues teknik si, libreza masash, fatura, analiza laboratorike të materialeve, etj, duke bërë kështu që vlera rreth 46,000 mijë lekë të menaxhohet në mungesë të dokumentacionit.

– Në zbatim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, gjatë periudhës objekt auditimi, janë paguar nga buxheti i shtetit për vitin 2018 shuma prej 350,000 mijë lekë, vlerë kjo të cilës i është shtuar edhe kosto e përmbarimit në shumën rreth 31,745 mijë lekë. Meqenëse shlyerja këtyre detyrimeve nuk është bërë në mënyrë vullnetare, ka sjellë efekt negativ për buxhetin e shtetit pasi këto fonde buxhetore në vlerën 31,745 mijë lekë janë shpenzuar si pasoje e mosveprimeve në kohën e duhur.

Për përmirësimin e performances së veprimtarisë së ARRSH kemi përcjell në 35 rekomandime për zbatim si: 17 masa për përmirësimin e veprimtarisë së institucionit me karakter organizativ; 5 masa për shpërblim dëmi ekonomik në shumën dhe 13 masa për menaxhim jo efektiv fondesh buxhetore.



5 Comments

  1. PO NE CA BASHKI TE VOGLA PARA NJE MUAJI PSE NUK KONTROLLUAT ASNJE TENDER KUR E DINIT QE KISHTE SHUME PISLLUQE? APO BEYTHQIRI QE ISHTE ME PAREJU KISHTE PAGUAR ?

  2. Po mire me shtet bthq , po ate afrim qendron me gjiknuri grup qe fallsifikuan 40 milion euro pse nuk e hetoni ??

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *