• |
ide | kryesore

Albin Kurti duhet të dorëzohet  

-Instant, 1, Ide

Edhe pas dështimit të takimit të fundit, zërat që i kërkojnë Albin Kurtit, një sakrificë ekstreme për formimin e qeverisë, po insistojnë me këmbëngulje.

Çështja po shtrohet sikur, nëse Vetvendosja heq dorë nga posti i kryeparlamentarit, nëse ajo pranon ta trajtojë të porsazgjedhurin Glauk Konjufca si hyzmeqarët e padinjitetshëm të partive me një pronar të vetëm, gjithçka zgjidhet pa pengesa.

Në fakt, kjo është një përshtypje iluzive, ku ngërçi i fundit mban të fshehur një hendek më të madh. Frika nuk është më se LDK do me çdo kusht drejtimin e parlamentit, problemi është se ajo nuk do më marrëveshjen. 

Lexo me tej:

Marrëveshja drejt dështimit/ Çfarë i ndan Albin Kurtin dhe Mustafën

Provat që e dëshmojnë këtë janë disa. 

Kur Konjufca nuk ishte zgjedhur ende, ish partia e Rugovës kishte kushte të tjera. Vetoja e saj vendosej për presidentin apo ministrin e Brendshëm. Me stilin e atij që do të gjejë sebep për sherr, deputetët e saj pranuan ta votonin kreun e parlamentit të propozuar nga Vetëvendosja. Po të kishin merakun që tregojnë sot për këtë post, nuk qenë të detyruar ta bënin një akt të tillë. Nuk ia jepnin votat në emër të mbajtjes gjallë të shpresës për një pakt dhe vazhdimit të bisedimeve.

Por, kur e deshi momenti, LDK nuk u soll me përgjegjësinë e dikujt që kërkon zgjidhje. Ndërsa tani, në mënyrë po aq të papërgjegjshme, pa u turpëruar aspak për votimin politik që ka bërë as një muaj më parë, i kërkon partnerit të saj të zhbëjë gjithçka për të gjetur rrugëdalje.

Natyrisht, fabula absurde e votimit me moskokçarje të Glauk Konjufcës, e pasuar menjëherë nga insistimi psikopatik për dorëheqjen e tij, nuk përbën thelbin e mosmarrëveshjeve. Gjatë gjithë kohës LDK është treguar refuzuese ndaj një bashkëpunimi të mundshëm. 

Edhe kur nuk pranoi ofertën bujare për koalicion të përbashkët parazgjedhor, me Vjosa Osmanin si prijëse të listës, edhe kur zvarritej të ulej në tryezë pas 6 tetorit, me pretendimin se nuk dihej ende rezultati,- pasi gjithë bota veç Isa Mustafës e kishte mësuar atë- ajo dëshmoi një lloj rezerve për t’u përshtatur me frymën e ndryshimit. 

Një pjesë e madhe e kësaj partie historike, ndihet më rehat me batakun e botë së vjetër, sesa me të panjohurën e një tronditje të ardhshme. Ata janë më komodë në folenë e gjarprit, sesa në shtëpinë me qira të Albinit; ata kuptojnë më mirë gjuhën e klanit pronto, sesa fjalorin e ashpër kundër oligarkisë; ata më kollaj harrojnë gjakun e Ahmet Krasniqit, Haki Imerit, Enver Malokut, sesa të denoncojnë ish strukturat kriminale të shikut.

Pikërisht frika e një transformimi radikal, që mori hov me frymën e ngritur para 6 tetorit dhe që u çertifikua të dielën e këtyre zgjedhjeve, ishte makthi i vërtetë i LDK. 

Zgjuarsia e burokratëve të saj ishte se ditën ta kapin këtë frymë duke i shitur votuesve fytyrën e Vjosa Osmanit. Bizantinizmi i bashkohësve të Rahman Morinës qe se, sapo mbaruan punë, e rikthyen Vjosën nga lidere në kukull.

Vetëm të para në këtë mënyrë, si rezistencë ndaj transformimit të shoqërisë dhe ndryshimit real politik, aktet dhe sjellja e LDK, marrin një kuptim. Përpara se të dominohen nga dëshira për të komanduar policinë, për të garantuar presidencën, apo për t’u ngërthyer në lojrat qesharake për kryeparlamentarin, aparatçikët që janë në politikë përpara Thaçit, Veselit, apo Haradinajt, i grryen ankthi i një fshese që do spastronte gjithë kastën e vjetër. Makthi i tyre nuk janë postet në qeveri, por përmbysja që po ndodh në shoqëri.

Pikërisht, këtë të vërtetë të thjeshtë duket se nuk po e kuptojnë as Vetëvendosja, as Albin Kurti. Ndoshta me vullnetin për të shpënë deri në fund mesazhin për ndryshim të qytetarëve në 6 tetor, ata po shpërqëndrohen pas detajeve duke humbur thelbin. Sepse mesazhi i gjithë kësaj që po ndodh nuk është tek kleçkat e formimit të qeverisë, por tek pamundësia e bashkjetesës së dy botëve, asaj që imagjinon përmbysjen dhe asaj që shpreson zvarritjen. Për të arritur të parën, as Albini nuk mund të mbështetet tek bastuni i Isës, as Glauku nuk mund të marrë borxh mustaqet e Agim Veliut.

Një gotë verë për të hyrë në botën e Albin Kurtit

Ka ardhur koha që ata të dorëzohen. 

Sa do e dhimbshme qoftë, çasti është që ata ta kuptojnë pamundësinë e së resë për t’u ngritur përmes të vjetrës. 

Sepse edhe sikur mrekullia të ndodhë, sepse edhe sikur të supozohet që LDK të heq dorë nga tekat dhe të vendosë për formimin e qeverisë, kabineti i ri, i dalë nga kjo përzierje botësh, nuk mund të jetë një sukses.

Një qeveri e tillë do t’i ngjajë në rastin më të mirë këtyre katër muajve të nevertishëm të bashkëjetesës me LDK. 

Kësaj historie i duhet dhënë fund. 

Për shpresat që ka ngjallur dhe parimet që ka mbrojtur, Vetvendosjes i shkon më shumë profili i një pakice morale, sesa ai i një mazhorance të korruptuar. Prandaj ajo duhet të fillojë të mendojë edhe për zgjedhjet e reja, pse jo edhe për një opozitë tjetër, duke kujtuar se, për herë të dytë, histoira i dëshmoi që e mira nuk arrihet duke bashkëpunuar me pjesëza të së keqes.

©Lapsi.al

8 Comments

  1. Edhe une jam shume dakort me kete iden tende , te kalohet ne zgjedhje te reja edhe sikur ta dishe qe do ti humbesh . Me mire ne opozite edhe i moralshem sesa ne pushtet dhe i korruptuar . Ne çdo veprim tonin eshte “cipa” ajo qe bene diferencen midis te mirit dhe te keqit , cipa dhe ideali nuk tradhetohen kurre .
    Por shprehja me e bukur e jotja eshte kur thua : ” histoira i dëshmoi që e mira nuk arrihet duke bashkëpunuar me pjesëza të së keqes” . Po ta beje nje pyetje(retorike) qe nuk ka lidhje me kete teme . Po kur e mira mundohet te krijohet nga pjesa me e keqe e te keqes a mund te kete ndonje mundesi sado te vogel te behet e mire ? E kisha per reformen zgjedhore dhe SPAK-un . Kesaj i thone te pregatisesh nje ushqim apo nje tryeze te mire kur kuzhinier ke vene menderen .

  2. Moralisht partia VV eshte shume larg partise se LDK. Ne qofte se do te mbaje kete profil moral zgjedhjet e reja jane opsioni i vetem. Por problem nuk jane zgjedhjet e reja por ligji zgjedhor i Koseves e cila pothuajse e ben te pamundur qe VV ti rifitoi zgjedhjet e vetme. Keshtu qe zgjedhjet nuk do sjellin ndonje risi ne Kosove. VV i duhet te beje nje koalicion me ndonje nga partite e vjetra te cilat jane te gjitha ku ma shum e ku ma pak te koroptuara. Dalja ne opozite e VV ndoshta do ishte nje hap i mire per nje ardhje te shpejt drejt pushtetit ne nje kohe tjeter. Lerja e pushtetit LDk do ta beje akoma ma pis kete parti qe do beje marveshje me partite qe ajo vete i ka etiketuar si hajna e qe kane vrare antaret e saj.

  3. Ne fakt ky shkrim i Bushatit i ngjan pak Internacionales me “bote te re” dhe “bote te vjeter” e me shkaterrimin e ringritjen. Kurti dihet qe eshte i majte njelloj si “gjarpri” qe fillimisht ka patur ide marksiste-leniniste dhe tek te majtet nuk eshte se duhet patur shume besim. Kjo qe po ndodh ne Kosove, nuk eshte nje perplasje mes Kurtit dhe Mustafes, eshte nje perplasje me e thelle dhe luhet diku tjeter. Mjafton te besh analogjine me zgjedhjet e dy-tre viteve me pare. Ne Itali pas zgjedhjeve u krijua nje koalicion i pazakonte, M5S, nje levizje populiste e majte dhe Lega Nord, nje parti shume afer te djathtes ekstreme. Per nga ideologjia dhe premtimet elektorale te dyja keto parti ishin mjaft larg njera tjetres, ama Lega kontrollonte M5S, pra nuk e linte te shkonte shume majtas nderkohe qe fijet pas M5S i levizte dikush tjeter. Kryeminister u zgjodh nje “profesor i nderuar dhe i dashur” i cili komandat i merrte aty nga i merrte edhe Andreoti (7 here kryeminister i Italise). Ne momenti qe Salvini e kuptoi lojen, apo nuk duhej me per te kontrolluar qeverisjen (ndoshta per te dyja arsyet bashke), mazhoranca u perca dhe u krijua nje “koalicion i pazakonte”. Meqe Kosova nuk eshte shtet aq i rendesishem ne arenen gjeopolitike dhe me sa duket edhe pse grupimet qe terheqin fijet ne Kosove nuk kane besim tek Kurti, nuk po lejohet krijimi i nje koalicioni qeverises. Kjo menyre te vepruari kenaq edhe aleatin e Rusise ne Ballkan dhe te gjitha palet jane te kenaqura. Pra thjesht nuk behet fjale per te re dhe te vjeter, por thjesht per disa interesa te te fuqishmeve dhe kete duhet te kuptoje Kurti me shoke.

    1. Shkruajte gjith ket koment te gjate dhe ne fund thua “kete duhet te kuptoje kurti me shok”….po pse mer pall kujton se kurti nuk eshte i vene atje, njelloje si rama ? Kujton se rama e ka fituar me meritokraci ate vend ? Hajde kar hajde.

  4. Edhe Cipras I Greqise keshtu kendonte,me fjalime komuniste ,me patriotizem arkaik.. pastaj I thane”paguaj borxhet,leri pordhet”.
    Kurti nuk mund te shpetoje nje shtet te rrethuar nga nje shoqeri plotesisht e korruptuar nga paraja dhe nepotizmi.
    NUK mundet Kurti te fitoje me ide marksiste ne nje shoqeri totalisht imperialiste,me mire qero patate.
    .Serbet tere jeten na kane akuzuar
    Si shtet Jo formues,paskan patur te drejte.
    Qe nga koha e Skenderbeut,Qemalit,Zogut,Hoxhes,Berishes,Rames etj etj serbet kane qene present,Jo me ne kosove qe Po kendojne.
    Asnje ne bote NUK e do Kurtin sepse mendimet diletante te drejta ndeshen me veprime hajdutesh profesionale.

  5. Ky hyjnizimi paradhenie i liderit qe nuk ka qene asnjehere ne pushtet eshte paradigma qe na ka shoqeruar gjithmone dhe gjithmone na ka zhgenjyer. Eshte interesante sesi Bushati i thote Kurtit nje gje qe ai po deshton ta kuptoje vete, pra ate qe ai dhe njerezit e tij jane me te mire moralisht se te gjithe keta te tjeret. Problemi eshte qe Kurti ka mesuar shume per natyren e pushtetit ne keto vite dhe nuk e beson me kete. P.sh. ai e di sesi Shpend Ahmeti u ridimensionua pasi mori Prishtinen dhe nuk ka bere ndonje gje me pak apo me shume se paraardhesi i tij Mustafa. E di dhe sesa kompromise eshte detyruar te beje vete dhe do te detyrohet t’i beje ne vazhdim. E keqja dhe e mira jane kategori te shkallezuara, prandaj eshte e pranueshme dhe e keshillueshme te bashkepunosh me Isa Mustafen qe la nje qytet ku te pakten zjarrfiksja e gjen rrugen dhe e tmerrshme te bashkepunosh me Ramen qe i beri njerezit si sardele ne konserve per leke dhe qe eshte mik me cdo mafioz qe i kerkon miqesi. Me mire nje qeveri me kontroll te brendshem sesa njera ne dore te nje njeriu, aq me teper te Kurtit qe nuk e dime fare cfare lloj pushtetari eshte.

  6. Pa i hytë shumë prapaskenave politike nbrenda e jashtë Kosovës, një gjë është e kjartë në këtë mosfunksionimin e koalicionit për të formuar qeverinë e re të dalë me votat e zgjedhjeve në Kosovë, që nga opinioni shqiptar dhe i huaj, përgjithësisht u pranuan të rregullta,
    Ishte bërë publike që në marëveshjen për qeverisje në koalicion, Kryeministrin, meqë LVV mori një deputet më tepër ta merte ajo, pra z. Kurti, kurse kryetari i parlamentit do të dilte nga LDK.
    Sa për presidentin që do të zgjidhej pasi ti mbaronte mandati Thaçit, ishte lënë që ai ose të zgjidhej me konsensus nga të dy palët, ose të zgjidhej direkt nga populli.
    Bushati e përgjithësisht analistë të majtë, dihet që kanë mbështetur më së shumti Albin Kurtin për bindjet e tij të deklaruara majtiste.
    Për të qenë realist, duhet pranuar se retorika e theksuar patriotike , që tërheq akoma shumicën e elektoratit në Kosovë, ka qenë joshëse edhe për elektoratin e djathtë.
    Por nëse i referohemi historisë së politikës shqiptare, e nëse korrupsionin do ta shohim edhe në qëndrimin për çështjen kombëtare, më së paku në këto 70 vitet e fundit, nuk dijmë qe e majta si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, të ketë qenë kundërshtare e rrepte e Partisë komuniste Jugosllave. Nuk duhet të harojmë asnjëhere që Partia komuniste shqiptare e lideri i saj diktator Hoxha, kanë qenë produkt i komunistëve jugosllavë.
    Si lideri ishquar i LDK ashtu edhe lideri i shquar i PD në Shqipëri, ndonëse në opinionin ndërkombëtar njihen si nismëtarët për pamvarësinë e Kosovës, si parti të djathta, kanë qenë gjimonë të sulmuara nga partitë e lëvizjet e majta shqiptare.
    Thelbi i ideollogjise së majtë ka qenë e është internacionalizmi e thelbi i së djathtës ka qenë e është nacionalizmi
    Në gjuhën shqipe fjala nacion përkon me fjalën komb.
    Fjala “patriot” ka të bëjë me vëndlindjen e babait që jo gjithmonë përfaqëson të përgjithshmen e një kombi që krijon një shtet të përbashkët kombëtar.
    Është pra kontradiktore që të majtët e paraqesin veten njëkohësisht si internacionalistë, pra ndërkombëtarë, dhe e paraqesin veten si patriotë të flakët.
    Është kjo kontradiktë që ka sjellë shprehjen e njohur se “patriotizmi i tepruar e jo i sinqertë, është streha e antikombëtarëve, antinacionalistëve”
    .
    Më duket paksa e nxituar që një politikan që akoma nuk e ka provuar pushtetin, ta glorifikosh si “të pa korruptuar”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu