Është momenti i së vërtetës. Ose më mirë, i pjekurisë. Milan përballet me Veronën duke e ditur që nuk mund të mbështetet mbi forcën fizike, karizmën dhe cilësinë e Zlatan Ibrahimoviç, i bllokuar nga gripi dhe nga një lodhje e lehtë muskulare në pulpë. Kështu kundër prapavijës së Hellas, që udhëhiqet nga dyshja shqiptare Kumbulla e Rrahmani, kuqezinjtë e Piolit duhet të bëjnë pa qendërsulmuesin e tyre të rëndësishëm. Skuadra e Juric, në anën tjetër, vjen nga pesë rezultate radhazi të dobishme dhe nuk ka ndërmend të dorëzohet lehtë.
EMERGJENCË – Ibra, por jo vetëm. Pioli do të duhet të bëjë për fat të keq edhe pa Kjaer (edhe ai nuk është grumbulluar për shkak të gjendjes gripale), Krunic (lodhje muskolare) dhe Bennacer (i skualifikuar). Për Piolin një emergjencë e vërtetë e pas një muaji janar gjallërues, që pas zbarkimit të Zlatan Milan nuk ka humbur më në kampionat dhe ka fituar gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, afrohet prova e maturisë.
PROGRESET REALE – Objektivi është tregues që progreset e treguara në fushë janë reale dhe jo fryt i varësisë taktike, teknike dhe personalitetit të Ibrahimoviç. Nuk do të jetë e lehtë, por Pioli ka besim dhe do t’i besojë dyshes së sulmit Leao – Rebic. Trajneri pret një përgjigje të madhe nga të tijët, ashtu sikurse tifozët të gatshëm për ta shtyrë Milanin edhe në prag të derbit.