• |
ide | kryesore

Video/ MarkoVanBasten shënon golin e parë në Superiore: Kukësi bën poker në Vlorë

Sport, Video



Kukësi parakalon në Vlorë me një 1-4 që pak dyshime ka lënë për diferencat e skuadrave. Praktikisht nuk ka patur ndeshje në Vlorë, me skuadrën e Shpëtim Duros që marshon në krye të kampionatit, duke mbajtur pas rivalët e tij. Problemet e Flamurtarit nuk mund të mos ndikonin në performancën e kuqezinjve, që bëjnë mirë të kthejnë sytë nga sezoni i ardhshëm në Kategorinë e Parë, pa fitore në 20 javë kampionat.

Është paradoksale të shohësh se si vlonjatët ndëshkohen gjithnjë nga vlonjatë: dy gola të Vasil Shkurtaj në fillim të ndeshjes, i dhanë drejtimin që shpresonte Kukësi, ndërsa për Flamurtarin, kaq mjaftoi për tu dorëzuar plotësisht. Në katër minuta qendërsulmuesi shënoi dy herë (7 dhe 12), duke qetësuar teknikun në pankinë, për ndonjë ngërc të mundshëm që mund ti komplikonte jetën në këtë transfertë. Kukësi u zbavit në fushë krijoi dhe mund të shkonte në pushim me avantazh më të thellë, por edhe kaq mjafton dhe misionin Blutë e përmbushin në të dytën.

Meritë në këtë rast është e Vrapit, që futi në lojë Flamurtarin në minutën e 59, duke i kujtuar Kukësit se asgjë nuk mbaron pa fërshëllyer arbitri. Potenca e vlonjatëve nuk është nga ato që mund të frikësonin kryesuesit e kampionatit, ndaj në reagimin e tyre gjërat kthyen menjëherë: kapiteni Musolli riktheu sigurinë me golin e tretë, ndërsa sulmuesi i ri MarkoVanBasten Çema firmosi pokerin. Goli i parë në Superiore për shtatlartin, që minutat i ka patur të pakta deri tani.

Me tre pikët në Vlorë, Kukësi ngjitet në kuotën e 38 pikëve duke mbajtur vendin e parë. Ndërsa për Flamurtarin nuk ka shpëtim, pasi mbetet në kuotën e 6 pikëve, në vendin e fundit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *